Kosova vazhdon përgatitjet me intensitet maksimal, një futbollist lëshon stërvitjen shkaku i lëndimit

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot (e enjte) përgatitjet intensive për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor kundër Çekisë dhe Andorrës, me atmosferën në kampin “Dardan” që po bëhet gjithnjë e më serioze teksa afrojnë sfidat e radhës.
Në stërvitjen e dytë të zhvilluar nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët kanë treguar ritëm të lartë, përkushtim maksimal dhe energji të madhe në çdo ushtrim.
Fokus i veçantë gjatë seancës ishte puna në aspektin taktik, organizimi i lojës dhe koordinimi mes repartesh, me stafin teknik që po synon të krijojë një skuadër sa më kompakte dhe konkurruese për duelet e ardhshme.
Foda ka punuar intensivisht në lëvizjet pa top, tranzicionin sulmues dhe pozicionimin mbrojtës, duke kërkuar disiplinë dhe reagim të shpejtë nga futbollistët.
Atmosfera në stërvitje është karakterizuar nga serioziteti dhe konkurrenca e fortë mes lojtarëve për të fituar besimin e trajnerit para publikimit të formacionit për ndeshjet miqësore.
Megjithatë, jo gjithçka ka kaluar pa probleme për Kosovën. Mbrojtësi Andi Hoti u detyrua ta ndërpresë stërvitjen para kohe për shkak të një shqetësimi në nyje.
Futbollisti do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara nga stafi mjekësor i Kombëtares, në mënyrë që të përcaktohet shkalla e lëndimit dhe nëse ai do të jetë i gatshëm për sfidat ndaj Çekisë dhe Andorrës.
Dy ndeshjet e ardhshme shihen si një test i rëndësishëm për Kosovën, sidomos për ndërtimin e skuadrës dhe krijimin e identitetit të lojës nën drejtimin e Franco Fodës, në prag të sfidave zyrtare që e presin Kombëtaren në muajt e ardhshëm. /Telegrafi/









































