Një person i moshës 70 vjeçare ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore nga një aksident mes dy veturash i cili ka ndodhur sot rreth orës 08:30 në rrugën Viti-Ramnishtë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Ismet Hashani.


Sipas tij, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupor kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë. Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Hashani.

Tutje ai tha se hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan. /Telegrafi/