LAJMI I FUNDIT:

Vdes nga sulmi në zemër aktori shqiptar Gjergj Trola

Vdes nga sulmi në zemër aktori shqiptar Gjergj Trola
-->

Aktori i mirënjohur shqiptar, Gjergj Trola ka ndërruar jetë në moshën 45 vjeçare. Trola ka pësuar infarkt në zemër teksa ishte ulur në një kafene afër Shallvareve, në Tiranë.

Burime për dritare.net, thanë se ai ishte ulur në këtë kafe, ku kishte lënë takim me miq të tij, të cilët e gjetën, me kokën mbi tryezë. Askush përreth nuk kishte kuptuar asgjë.

Aktori ka lënë pas djalin e tij të vetëm, në klasën e tretë. Gjergj Trola ka marrë pjesë në shumë produksione dhe së fundmi ka luajtur në serialin “Familja”, të regjisorit Ylli Pepo.

Një prodhim i RTSH, Trola ishte në rolin e babait, i cili ishte taksist në ministri. Një kontribut shumë të madh Trola ka dhënë edhe në zbulimin e talenteve të reja, nëpërmjet organizmit të festivaleve teatrore.

Trola ishte drejtor i Festivalit Mbarëkombëtar i Shkollave të Mesme dhe Drejtor i Festivalit të Tiranës. Trola me natyrën e tij optimiste dhe solidare, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzave të ndryshme të qytetit, veçanërisht në temat mjedisore, ku ishte pjesë e organizatës Ecovolis.