0Shares

Psikologia në klinikën e neurologjisë në QKUK, Mr. Sci Donika Tahirsylaj-Alidemi thotë se divorci i prindërve ka impakt në sjelljen e fëmijëve me një diferencë të moderuar që më tepër shfaqet tek djemtë sesa tek vajzat, mirëpo agresiviteti, pasiguria dhe shfaqja e pa lumturisë janë vetëm disa nga shenjat që ndarja e prindërve ndikon tek të vegjlit e tyre.

Sipas saj, divorci ka një impakt më të madh në sjelljen e fëmijëve për grupmoshën 6-10 vjeç sesa grupmoshat 11-14 vjeç dhe 15-18 vjeç.

Ajo shtoi se fëmijët shfaqin kryesisht sjellje agresive, bëhen të pashoqërueshëm, krijojnë varësi, nuk afrohen lehtë në rrethin social ku bëjnë pjesë, por mbyllen në vetvete. Këto sjellje, sipas Tahirsylaj-Alidemi, janë të theksuara më shumë vitet e para të divorcit të prindërve dhe zbehen me kalimin e kohës.

Sipas psikologes, studime të shumta kanë treguar se fëmijët që jetojnë bashkë me prindërit e tyre biologjikë janë 20-35% më të shëndetshëm psikologjikisht sesa fëmijët me prindër të divorcuar, dhe se fëmijët që kanë konflikte familjare para dhe pas divorcit shfaqin një pafundësi problemesh të sjelljes së tyre.

Tahirsylaj-Alidemi ka shtuar se divorci zakonisht ndikon më shumë në sjelljen e më vonshme të fëmijëve.

“Divorci i prindërve ndikon në sjelljen e mëvonshme të fëmijës, ndikon në shfaqjen e simptomave emocionale, mungesës së vëmendjes ose hiperaktivitetit, sjelljeve josociale, sjelljeve në grup, problem në sjellje, rritjen e nivelit të stresit”, tha ajo.

Krahas fëmijëve, divorci ndikon edhe në sjelljen e prindërve pas ndarjes së tyre, sidomos gjatë vitit të parë dhe ndryshe njihet si “kujdesi minimal prindëror”.

“Gjatë vitit të parë pas ndërprerjes së martesës prindërit duken më të inatosur, të frikësuar në depresion dhe fajtor për fëmijët e tyre. Këto reagime të turbullta shpesh vazhdojnë edhe në vitin e dytë. Kërkimet afatgjata tregojnë se kalimi nga martesa në divorc shoqërohet me stres, depresion, ankth dhe çorganizim të situatës familjare e cila quhet ndryshe “kujdes minimal prindëror”, ka shtuar ajo.

Më tej psikologia, Donika Tahirsylaj- Alidemi ka thënë se kur prindërit divorcohen, fëmijët zakonisht bëhen më indiferent sepse nuk duan që rrethi shoqëror ta kuptojnë që prindërit e tyre janë ndarë.

“Fëmijët me prindër të divorcuar paraqesin në përgjithësi një rënie lidhur me vetëvlerësimin, kompetencën sociale, shfaqje të problemeve emocionale dhe të sjelljes. Djemtë dhe në përgjithësi fëmijët me temperament të vështirë janë të prirur të braktisin shkollën dhe të demostrojnë sjellje antisociale gjatë adoleshencës. Analiza cilësore tregon për qëndrimin dhe sjelljen e fëmijëve ndaj divorcit të prindërve. Rezulton se fëmijët kanë një ndjenjë frike dhe pasigurie nga mungesa e njërit prind. Ata nuk janë gati të pranojnë situatën në të cilën ndodhen. Fëmijët kanë një shmangie ndaj shkollës, bashkëmoshatarëve, mësueses në mënyrë që të mos mësohet divorci i prindërve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq mënyra se si prindërit duhet të sillen kur ndodhen para, gjatë dhe pas divorcin psikologia, Tahirsyla-Alidema ka këshilluar që prindërit të duhet të gjejnë të dy një mënyrë për të folur me fëmijën për ta informuar se çfarë mund të ndodhë apo do të ndodhë në mënyrë të tillë që fëmija mos të traumatizohet në të ardhmen, gjatë divorcit prindërit, pavarësisht problemeve të tyre, duhet t’i përkushtohen dhe fëmijëve sepse ata kanë nevojë më shume se kurrë për vëmendjen e tyre, prindërit e ndarë nuk duhet t’u flasin keq fëmijëve për babain ose nënën e tyre.

Fëmija duhet të paralajmërohet për ndryshimet që do të përballet. Psh: Ndryshimi i shtëpisë, shkollës, fëmijëve duhet t’i mundësohet takimi me prindin tjetër që jetojnë të ndarë dhe mos t’i mohohet kjo e drejtë.

Ajo në fund ka thënë se plus i madh për fëmijët pas divorcit të prindërve do të ishte gjetja e një gjuhe të përbashkët nga ana e prindërve me qëllim të diskutimit për problemet e fëmijëve. /B.Ibishi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)