LAJMI I FUNDIT:

Blloqet e KEK-ut prodhojnë 640 megavat

Blloqet e KEK-ut  prodhojnë 640 megavat

Gjatë ditë së martë në blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë prodhuar 640 megavat orë energji elektrike.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka thënë për Telegrafin se janë duke iu përmbajtur me përpikëri planifikimeve për prodhimit e energjisë elektrike. Derisa pas privatizimit të një rrjetit shpërndarës, sipas tij, KEK-u nuk ka obligime për furnizim me energji elektrike.


“Nga privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit, sipas licencës obligimi për furnizimin e konsumatorëve, pavarësisht burimit i takon furnizuesit publik KEDS/KESCO”, ka thënë Skender Bucolli.

Sipas tij, edhe pse kanë vështirësi me blloqet e vjetruara ata po ia dalin, me prodhim të rrymës, falë angazhimit maksimal nga ana e menaxhmentit dhe punëtorëve të KEK-ut.

“Duke u bazuar në marrëveshjet kontraktuale me KEDS/KESCO, për kundër faktit të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta, gjithnjë falë përkushtimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, edhe në këto moment jemi duke realizuar prodhimin konformë planifikimit”, tha ai.

Sipas tij, moti i ligë dhe temperaturat e ulëta, kanë shfaqur probleme të pa evitueshme në bllokun A4 të Termocentralit “Kosova A”.

“Kemi ngritur kapacitetet në blloqet e tjera dhe prapë kemi arritur prodhimin në mbi 85% të planifikimit edhe për këtë ditë”, tregon zëdhënësi Bucolli. /Telegrafi/