LAJMI I FUNDIT:

Zhvillimet më të rëndësishme politike në Maqedoni gjatë vitit 2019

Zhvillimet më të rëndësishme politike në Maqedoni gjatë vitit 2019

Viti 2019 nisi me përçarjen më të thellë politike mes pushtetit dhe opozitës. 11 janar 2019 Kuvendi miratoi ndryshimet Kushtetuese në përputhje me marrëveshjen e Prespës, kundër së cilës ishte OBRM-PDUKM-ja. Në ditën që ndryshimet u votuan, opozita kërkoi zgjedhje.

“Zaev dil në zgjedhje, zgjedhje të cilat nuk janë për ulëse por për fitore të popullit, të OBRM-PDUKM-së dhe të Maqedonisë krenare”.


Pushteti refuzoi kërkesën e opozitës. Kryeministri Zaev nisi negociatat për gjetjen e kandidatit konsensual për president, ndërsa opozita kërkonte zgjedhje presidenciale bashkë me parlamentare. Pas disa muajve negociata, LSDM, BDI, PDSH dhe 30 subjekte të tjera politike dolën me Stevo Pendarovskin si kandidat konsensual për president.

“Për herë të parë në histori të Maqedonisë, ndryshimet bashkohen për një kandidat. Të gjithë rreshtohemi për Stevo Pendarovskin”.

Opozita shqiptare doli me kandidatin e tyre, Blerim Reka që në raundin e parë morën mbi 80 mijë vota, ndërsa në raundin e dytë mbështetën kandidaturën e Pendarovskit. Votat që i siguroi opozita me Gordana Siljanovskan, i dhanë edhe më shumë arsye që Mickoski të vazhdojë të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga rezultati i arritur u alarmua kryeministri Zaev nga i cili qytetarët kërkuan reforma në Qeveri dhe parti. Zaev paralajmëroi fshesën e famshme. Në ekzekutiv ndodhën ndryshime të vogla, ndërsa në parti Zaev ndryshoi të gjithë krerët e degëve, Këshillin Qendror dhe Ekzekutiv si dhe disa nënkryetar të partisë bashkë me sekretarin e përgjithshëm. Në qershor ku skadoi afati i PSP-së për të ngritur akuza, pushteti propozoi ligj të ri.

Opozita kundërshtonte versionin duke kërkuar largimin e Katica Janevas dhe ekipit saj bashkë me shuarjen e Speciales. Zaev thirri takim liderësh, por opozita e bojkotoi me idenë se në atë takim nuk bisedohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat Mickoski i kërkonte në muajin prill. Me shpalosjen e rastit “Haraçi”, opozita filloi edhe më tepër t’i kërkojë zgjedhjet.

““Në tetor të 2020 janë zgjedhjet normale, por dua të them qëndrimin tim të cilin akoma nuk e kam hapur në organet e partisë. Muaji prill, tingëllon me simpati”.

Zaev arsyetohej se zgjedhjet ndikojnë dëmshëm në ekonomi, duke ofruar si muaj të zgjedhjeve tetorin e vitit 2020.

“Unë mbetem optimist por nëse duan zgjedhje të parakohshme, ja: tetori i vitit 2020”.

Sa më shumë zbardhej rasti “Haraçi”, aq më shumë pushtetit i ngushtohej litari. Tani për të mos shkuar në zgjedhje, Zaev gjeti si arsye datën për negociata me BE-në. Kur vendimi i Këshillit Evropian erdhi negativ për Maqedoninë e Veriut, Zaev paralajmëroi dorëheqje dhe zgjedhje të menjëhershme parlamentare. Propozimi i tij për zgjedhje pa Qeveri teknike ra poshtë, ndërsa presidenti ftoi takim liderësh në të cilin liderët e bllokut politik shqiptar dhe maqedonas u pajtuan që 12 prilli 2020 të jetë datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si pasojë e obstruksioneve nga opozita ndaj ligjeve ekonomike në Kuvend, kryeministri në ikje Zoran Zaev disa herë deklaroi se më 3 janar mund të mos tërhiqet nëse opozita bllokon ligjet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Por organet e LSDM-së vendosën që në vend të Zaev të vij Oliver Spasovski ndërsa Milla Carovska nga Puna dhe Politika Sociale të emërohet në postin e zëvendëskryeministres për çështje ekonomike. Zëvendësministra plotësues në Polici dhe Punë e politikë sociale, LSDM-ja propozoi shefat e kabineteve të ministrave paraprak, ndërsa propozimin e opozitës për ministër teknik të Brendshëm, e kundërshtoi duke u thirrur në dispozita kushtetuese. Për të mos rrezikuar anëtarësimin në NATO, Qeveria paralajmëroi propozimin e Ligjit për ratifikimin e protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO, para se ratifikimi të kalojë në Parlamentin Spanjoll. Më 3 janar duhet të votohet Qeveria teknike, ndërsa më 11 shkurt të shpallen zgjedhjet e parakohshme të cilat planifikohen të mbahen më 12 prill./Alsat/