LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet nacionale në LDK

Zgjedhjet nacionale në LDK

“Të gjithë rrejnë, por s’ka lidhje! Edhe ashtu askush nuk dëgjon”! Kështu thotë i famshmi Marfi, por a është vërtetë ashtu? A po rrejnë të gjithë dhe a po dëgjon kush kënd në këtë vend? Jemi dëshmitarë se ligjet që vlejnë gjithkund tjetër, nuk vlejnë edhe për ne.

Në vende si ky i yni, nuk shtrohet pyetja a dëgjon kush, por a e dëgjojnë kë. Elektorati në vende të vogla, me pak pronarë të mëdhenj e me pak qytetari, sipas rregullit të pashkruar, janë votues që dëgjojnë dhe shërbejnë sundimtarët. Biznesmenë tepër të mëdhenj për përmasat e një vendi të vogël, apo komandantë repartesh tepër të fuqishëm të cilët sundojnë mbi institucionet, drejtues fanatikësh, apo kushdo tjetër i cili në rrjetën e vet të ndikimit dhe të fuqisë e përfshinë një pjesë të madhe të qytetarëve, të cilët interesat dhe fjalën e sundimtarit e vejnë mbi interesin e vet dhe mbi mendimin e vet, sundojnë nëpër vende të vogla e të varfra. Aty pushteti në fakt nuk ndërrohet as nuk zgjidhet, përkundër fushatave të zhurmshme elektorale. Thjesht, ndërrohen nëpunësit. Ndërrimi në krye të shtetit, në këtë rast do të thotë vetëm ndërrim fytyrash. Krejt varet se kë përcjellin në rrjetet sociale dhe kë shohin nga emisionet më të famshme të sponsorizuara nga familjet e mëdha të politikës e biznesit. Të gjitha janë zhurmë, përpos fjalive të koduara për ushtarët nëpër rrjete dhe nëpër rrugë.


Pra, nëse më siguroni se askush nuk po dëgjon…?! Le krejt, po flas, dëgjon apo nuk dëgjon kush, sepse tema e sotme vërtetë është dilemë në vete. Nga përfundimi i saj marrin drejtim shumë procese në vend, mund të parashikohen edhe koalicionet e ardhshme për Parlamentin e vendit, ku përfaqësuesit e zgjedhur të familjeve përfaqësojnë regjionet tona dhe interesat globale. Pra, në krye të kujt bëjnë be: në krye të cilit komandant lokal dhe “komandant” global, autoritar si Trump, Erdogan, apo Putin?

Zgjedhja e kryetarit të LDK-së u bë si fenomen shqetësues, nacional vetëm pas vdekjes së presidentit Rugova. Derisa ishte gjallë Rugova, zgjedhjet në LDK dhe në shtet nuk ishin interesante, sepse dihej fituesi. Pas kuvendit ku një karrige kishte kuptimin e më shumë votave, gjithçka u bë lajm dhe interes(im) nacional i Kosovës. Zgjedhjet brenda kësaj partie i tejkalojnë votat e saj në Parlament, dhe mbetet çelës i të gjitha kombinimeve.

Cila parti do të fitojë në LDK? E si mund të fitojë një parti brenda një partie tjetër? A nuk dolën aq parti nga partitë e tjera? Mund të pyetemi se si fitoi zhvillua brenda një partie tjetër dhe si po formësohet Partia e sotme socialdemokrate? Edhe nga LDK, para dhe pas lufte, kishin dalë disa parti të cilat ishin ngjizur brenda saj. Dolën parti edhe nga PDK-ja, ndërkaq u përçan në dy apo më shumë krah edhe parti të tjera shqiptare dhe joshqiptare në Parlament.

Por, me gjasë në këtë lëvizje, të quajtur LDK, për dallim prej të tjerave ende i kemi prezent të gjitha partitë dhe ndikimet, sepse LDK gjithnjë ishte lëvizje, një lidhje politike mes rrymave, ideve, interesave ku mund të akomodohej kushdo që mbante drejtimin e përgjithshëm të erërave dominuese politike.

Pra, mbi të gjitha ishte fryma. Fryma e bënte forcën e LDK-së e cila në fazën e shthurjes së përgjithshme të ish-Lidhjes Komuniste, u formësua në një lidhje të aspiratave demokratike e nacionale.

Kushdo të kandidojë dhe kush do të fitojë në LDK, do të vendoset me gjasë në organin më të lartë të partisë, me konsensus, ose do të vendoset me karrige. Nejse, me karrige do të vendoset nëse dështon të zgjidhet kandidati i preferuar nga ata që e kanë fuqinë në vend. Pozita dhe opozita janë të interesuat t’i fitojnë zgjedhjet në LDK, sepse kështu kanë gjasat t’i sigurojnë edhe ato nacionale. Ka shumë gjasë që në këto zgjedhje PDK dhe koalicioni PAN të shkojë me dy kandidatë, “Vetëvendosje” me një, ndërsa një ose e shumta dy mund të jenë edhe kandidat të familjeve të mëdha në LDK. Një kandidat mund ta ketë i vetëm edhe presidenti i vendit. Mund të jem i gabuar në këto llogari, por pak a shumë numrat janë këta.

Lufta politike mes qytetarëve dhe pronarëve të mëdhenj është e pabarabartë. LDK kishte qytetari dhe vazhdon ta ketë, ndërkohë që në mandatin e kaluar një grup teknokratësh të fuqishëm që erdhi në fuqi pas erës së presidentit Sejdiu, filloi të sfidohet prej disa drejtimeve nga kandidatë të gjeneratës së re dhe të mesme.

Fryma e LDK-së në fakt ishte artikuluar fillimisht nga një brez intelektualësh humanistë, si Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, Sabri Hamiti, Anton Çeta, dhe është vështirë të besohet se mund të mbahet ose zhvillohet më tej nga teknokratë apo burokratë të rritur e të formësuar në strukturat e partisë, por është gjithashtu e vështirë të besohet se vija e inteligjencës humaniste nga ish-“Çarku i Prishtinës”, dikur jashtë interesave të ngushta, mund të dominojnë sërish elektoratin tashmë të diferencuar në vija të qarta interesash e ndikimesh.

As burokratët e partisë, të lindur, rritur e pjekur politikisht në këtë parti, vështirë se mund të jenë të pranueshëm për “partitë” e tjera të mëdha, në LDK.

Në anën tjetër, disa kandidatë të rinj, kritikë ndaj qeverisjes, armikun kryesor do ta kenë moshën e tyre dhe vetëm ndërhyrja nga “Arbëria” mund t’ju japë peshën e nevojshme për të dalë në krye.

Teknokracia, teknokratët e rinj, mbeten opsioni i mesëm i pranueshëm për të gjithë, dhe i cili mund të jetë i favorizuar edhe prej qarqeve të jashtme, por edhe nga vijat e interesave brenda partisë e mbi të gjitha të partive të tjera. Vijat e interesave të brendshme dhe të jashtme do t’i nxjerrin kandidatët e tyre për zgjedhje…

Pra kush do të fitojë në LDK? Cila parti? Cilat vija të interesit? Qytetaria apo oligarkia? Perëndimi apo dikush tjetër? Këto votime do të jenë paralajmërim se kah do të rrjedhin proceset.