LAJMI I FUNDIT:

Van Gaal: Nuk do ta fitojmë Superkupën

Van Gaal: Nuk do ta fitojmë Superkupën

Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, ka deklaruar se ky parasezon ka qenë shumë i keq për Bayernin, për arsye të angazhimit të shumë lojtarëve në Botëror.

“Unë i kam pasur 13 lojtarë në Botëror dhe 11 prej tyre në gjysmëfinale, më shumë se çdo klub tjetër në botë”, theksoi Van Gaal që gjithashtu shtoi se një kontingjent aq i suksesshëm ka bërë që përderisa të tjerët po përgatiten për sezonin e ardhshëm, lojtarët e tij të jenë në pushime.

“Unë e ripërsëris, ky nuk është një parasezon i mirë. Është një fakt me të cilin duhet të pajtohemi. Unë do të doja ta fitonim Superkupën e Gjermanisë, por do të jetë praktikisht e pamundur”, përfundoi Van Gaal që nuk pret asnjë prej yjeve të luajnë për 90 minuta në sfidën që zhvillohet më 7 gusht.

Skuadra e Van Gaal është aq e limituar në lojtarë, sa që ai as vet nuk e di se kë ta vë në lojë ndaj Trentinos në një miqësore. 58-vjeçari bëri shaka kur tha se ai do të mund ta bënte debutimin për Bayernin gjatë asaj ndeshjeje. /Telegrafi/