LAJMI I FUNDIT:

Vala Pupovci: Dietologjia, ‘arti’ i shëndetshëm që zgjoi ëndrrën dhe plotësoi jetën time

Vala Pupovci: Dietologjia, ‘arti’ i shëndetshëm që zgjoi ëndrrën dhe plotësoi jetën time

Se nuk është lehtë të arrini linjën e kënaqshme e di secili që ndonjëherë është përballur me këtë qëllim, mirëpo këshillat e Vala Pupovcit, me siguri do t’ju ndihmojnë në atë mision ose së paku do t’jua bëjnë më të lehtë arritjen e rezultateve.

Vendimi për kalimin në regjimin e shëndetshëm të ushqimit kurrë nuk është i lehtë, aq më parë nëse bëhet fjalë për ndryshim të madh të shprehive jetësore. Mu për këtë është e rëndësishme ndihma e ekspertëve kur dëshirojmë të arrijmë rezultate të përhershme.


Dieteologia e diplomuar Vala Pupovci, u ndihmon klientëve që të hedhin poshtë shprehitë e këqija, të zgjidhin problemin me tepricën e kilogramëve dhe të fillojnë kapitullin e ri të shëndetshëm të jetës. Klientët e shumtë të kënaqur me të, njëkohësisht janë edhe rekomandimi i saj më i mirë.

Vala, ju keni studiuar dietologjinë në Athinë. Si nisi ky rrugëtim? A mund të na tregoni me pak fjalë përvojat tuaja?

Të ushqyerit e shëndetshëm më ka interesuar që kur isha 15 vjeçare, kur edhe kuptova se ekzistonte një profesion që merret pikërisht me këtë. Prej aty, vendosa që do të studioj dietologjinë, pasi ta përfundoja shkollën e mesme. Gjatë kërkimit të universiteteve për dietetikë, krahas universiteteve tjera, zgjodha atë në Athinë, për shkak se kishe një program të akredituar dhe diplomën e Coventry University, i cili renditet i 12-ti në ligën e universiteteve të “The Guardian”. Gjatë qëndrimit në Athinë, përveç mësimeve universitare, kreva edhe praktikën në spitale të ndryshme, si spitali “Attikon” dhe në zyra tjera dietologjike, si dietologe.

Si duket jeta e një dietelogeje dhe çfarë të ardhme sjell nutricionizmi?

Dietologu është këshilltar për mënyrën e të ushqyerit dhe punon me klientë që kanë probleme me mbipeshë, me nënpeshë, me sëmundje kronike dhe akute që lidhen me ushqimin, por me ata që vetëm duan të ushqehen shëndetshëm. Këshillimi dietologjik zhvillohet përmes seancave me klientë. Po ashtu, duhet të jetë i gatshëm të përgjigjet në pyetjet e kohëpaskohshme të klientit rreth dilemave që mund t’i ketë për ushqimet e ndryshme. Zakonisht, seancat mbahen 1-2 herë në muaj. Atëherë rishikohet progresi, bëhen matjet e parametrave trupore dhe, sipas nevojës, ndryshohet dieta. Megjithatë, dietologu ka edhe rolin e motivuesit. Përveç tjerash, kanë rol edukativ në përcaktimin e dietave. Për shembull, do të ishte shumë normale që një kuzhinë shkollore, një kuzhinë spitali ose një fabrikë e prodhimeve ushqimorë të merr këshilla nga dietologu.

Çdo ditë bisedoni me një numër të madh klientësh për ushqimin e tyre. Cilat janë gabimet më të shpeshta të cilat i bëjnë shumica e njerëzve?

Sa i përket marrjes së informatës, shumë shpesh hasi në persona të cilët janë krejtësisht të dezinformuar rreth ushqimit, si pasojë e marrjes së informatave prej burimeve apo personave të pakualifikuar për këtë punë. Përndryshe, gabimin e ushqimit që shumica e njerëzve e bëjnë është fokusimi te gjërat që pak kanë rëndësi në dietë ( si p.sh. konsumimi i çajit të gjelbër), duke anashkaluar problemet më të mëdha (si p.sh. konsumimi i porcioneve të mëdha të ushqimit).

Çka është ajo më e rëndësishmja që i këshilloni klientët tuaj?

Këshilla më e rëndësishme që klientët e mi dua të marrin është se, një dietë nuk duhet të zgjasë vetëm për aq kohë sa ndiqet nga unë, apo deri në momentin kur arrihet qëllimi i dëshiruar. Nëse klienti arrin qëllimin dhe kthehet në mënyrën e mëparshme të ushqyerit, padyshim se edhe parametrat metabolik ose pesha do të kthehet në të njëjtën gjendje. Pra, është shumë e rëndësishme që klienti të edukohet në mënyrë të drejtë, dhe të mësohet ta balansojë ushqimin vetë brenda ditës, në mënyrë që, edhe kur ndonjëherë dieta “rrëshqet” apo “prishet”, të mos dorëzohet komplet.

Për çka kujdeseni kur dikujt ia bëni programin e ushqimit?

Programet e ushqimit që përpiloj gjithmonë janë të bazuara në nevojat dhe qëllimet metabolike të klientëve (qoftë mbipeshë/nënpeshë apo parametra tjerë të gjakut siç është yndyra apo sheqeri në gjak). Megjithatë, për mua shumë me rëndësi është që klienti im ta mbajë dietën, si dhe të ndihet mirë në atë mënyrë të të ushqyerit, si nga ana fizike edhe ajo psikike.

Klientët e të cilit kanë rezultate të lakmueshme, si i motivoni njerëzit që t’i ndryshojnë shprehitë e ushqimit?

Zakonisht, motivimi vjen nga rezultatet që njerëzit arrijnë me anë të dietës. Është detyrë e imja, t’ua përkujtoj klientëve se rezultati vjen me anë të përkushtimit dhe kujdesit të mëtutjeshëm. Nuk është lehtë të “luftosh” kundër apetitit tënd, prandaj njerëzit kanë nevojë për motivim. Inkurajimi më i madh ndodhë kur klienti e sheh se pesha e tij po lëvizë në drejtimin e dëshiruar, se po adaptohet me mënyrën e re të të ushqyerit.

Çdo produkt në etiketë ka tabelën e vet të vlerave nutritive. A mund të na jepni disa instruksione, si t’i analizojmë më lehtë ato të dhëna?

Tabela e vlera nutritive është shumë me rëndësi të shprehet në të gjitha ushqimet, për të gjithë personat, e sidomos ata që duan të ushqehen shëndetshëm. Filloni duke lexuar sasinë e porcionit dhe sa porcione përmban kutia e ushqimit në total. Ndonjëherë tabela tregon vlerat nutritive për 100g të produktit, pra të keni parasysh sasinë që konsumoni! Energjia apo kaloritë tregon se sa kalori në total përmban porcioni i shprehur ose 100g i produktit. Pastaj, zakonisht, në pjesën e sipërme të tabelës gjenden yndyrat, acidet yndyrore të ngopura dhe ato trans, kolesteroli dhe kripa, pra lëndët ushqyese që preferohet të konsumohen në sasi më të vogël. Ndërkaq, ato që shkruhen në pjesën e poshtme të tabelës si fibrat, vitaminat dhe mineralet janë lëndët ushqyese që preferohet të konsumohen në sasi më të madhe. Anash, në disa prej produkteve, gjendet një përqindje e vlerave ditore (%DV). Kjo vlerë paraqet sa përqind të vlerave ditore të secilës lëndë ushqyese mbulon produkti i cili do të konsumohet. Një produkt i cili ka më pak se 5%DV të lëndës ushqyese (si p.sh. të yndyrës) konsiderohet që ka sasi të ulët të yndyrës. Ndërkaq një produkt i cili ka më shumë se 20% DV të ndonjë lënde ushqyese (si p.sh. të kalciumit), konsiderohet se ai produkt ka sasi të lartë të kalciumit. Në këtë mënyrë, nëse qëllimi është të konsumoni më pak yndyrë, zgjidhni produktet që përmbajnë më pak se 5 ose 10 % DV të yndyrës. Por, nëse qëllimi është të konsumoni më shumë kalcium, zgjidhni produktet që kanë më shumë se 20% DV për kalciumin.

Përse qëndrimet mbi ushqimin e (pa)shëndetshëm shpesh ndryshojnë?

Faktet mbi të ushqyerit ndryshojnë shumë shpesh, së pari për shkak se shkenca e dietologjisë, si çdo shkencë tjetër që ka të bëjë me shëndetin, ndryshon shumë shpesh. Mu për këtë arsye, personat që janë të orientuar kah shkencat shëndetësore, preferohet të aplikojnë të mësuarit gjatë gjithë jetës, në mënyrë që informatat të rifreskohen. Sa i përket qëndrimeve, të pasurit “qëndrim” krahas shëndetit të një personi, përveç që nuk është aspak profesionale, është edhe jo-korrekte. Prandaj, aplikohen vetëm rekomandimet zyrtare, që janë shkencërisht të vërtetuara, dhe jo të eksperimentohet me njerëz në bazë të qëndrimeve, vetëm për shkak se personi prej të cilit jep këshilla beson në atë mënyrë, ose ka pasur sukses me të njëjtën mënyrë.

Cilat janë ato gënjeshtrat më të mëdha mbi ushqimin të cilat na promovojnë shoqëria dhe mediet e tashme?

Gënjeshtra më e madhe që njerëzit besojnë, është se ekziston një ushqim ose një grup i ushqimeve që duhet të eliminohet apo promovohet, në mënyrë që të jemi të shëndetshëm. Një ushqim i tillë do të mund të ishte buka, të cilën shpeshherë dëgjoj se personat e eliminojnë tërësisht nga dieta, qoftë bukën e bardhë apo të zezën. Kjo është absolutisht e pasaktë! Buka e zezë ka fibra, vitaminat B dhe acidin folik si dhe antioksidantë siç është vitamina E dhe seleniumi. Pra, nuk ka arsye të eliminohet totalisht nga dieta. Megjithatë, në anën tjetër hasi edhe në persona që hanë bukën e zezë në sasi të palimituar. Edhe kjo nuk është aspak e saktë, sidomos për personat që duan të humbin peshë! Fakti që një ushqim është i shëndetshëm, nuk do të thotë që lejohet të konsumohet në sasi të palimituar.

Secili tip i ushqimit alternativ kërkon kohë shtesë, angazhim dhe para. Si është e mundshme të harmonizohen me tempin e tashëm të jetës dhe, gjithsesi, me buxhetin e zvogëluar shtëpiak?

Një dietë e shëndetshme është dietë e balansuar dhe ka llojllojshmëri. Kohëve të fundit, në Kosovë mund të gjinden edhe ushqimet alternative si avokado, shparguj, mango, të cilat kohë më parë nuk kanë qenë në treg. Kuptohet, se jo të gjithë njerëzit mund t’i përballojnë financiarisht këto ushqime, dhe jo të gjithë njerëzit pëlqejnë këto ushqime. Nuk do të thotë se llojllojshmëria arrihet vetëm me anë të konsumimit të ushqimeve që janë për momentin në trend. Thjesht, duhet të mësohemi të jemi më kreativ me kushtet që na janë ofruar në vendin ku jetojmë. Sallata me tunë ose mish pule është mjaft e llojllojshme nëse në përbërje, krahas tunës ka sallatë të gjelbër, domate, tranguj, karota dhe speca. Unë kujdesem që klientët e mi të kenë llojllojshmëri të ushqimeve në planet e dietës, dhe të kenë produkte të cilat gjenden në treg lehtë. Gjithashtu, të mos mungojnë gjellët dhe ushqimet tjera tradicionale, të cilat me pak përpjekje, mund të përgatiten në mënyrë të shëndetshme.

Në disa vite të fundit flitet shumë për superushqimet – çfarë mendoni për atë kategori artikujsh dhe cilat do t’i kishit ndarë si ndonjë artikull të cilin gjithsesi duhet përfshirë në ushqim?

Një mënyrë e të ushqyerit të shëndetshëm dhe e balansuar është shumë më me rëndësi sesa konsumimi i një ushqimi të vetëm, i cili është i shëndetshëm. Asnjë ushqim, përfshirë edhe ato që quhen “superushqime”, siç janë brokoli, boronicat, çokollata e zezë, çaji i gjelbër nuk do të kompenzojë faktin se mënyra e të ushqyerit nuk është e shëndetshme. Të gjitha ushqimet e paprocesuara do të mund të konsideroheshin superushqime, për shkak se të gjitha marrin pjesë në një mënyrë të balansuar të ushqimit.
Në fakt, dietologët preferojnë termin superdietë, në vend të termit superushqim! Një superdietë është dieta Mediterane, për të cilën ka fakte të mjaftueshme se zvogëlon rrezikun për sëmundje kronike dhe rrit jetëgjatësinë. Dieta Mediterane thekson konsumimin e sasive më të mëdha të frutave dhe perimeve, vajit të ullirit dhe fasuleve dhe konsumimin e sasive më të vogla të mishit, produkteve të qumështit dhe ushqimeve të procesuara.

Si ushqeheni ju? A i respektoni gjithmonë rregullat e ushqimit të shëndetshëm apo vetes i lejoni “gabime të vogla”?

Unë mundohem që të kem një jetë të shëndetshme në tërësi. Pra, përveç se ushqehem shëndetshëm, merrem edhe me aktivitet fizik të rregullt, por kam edhe një jetë sociale shumë të mirë. Të gjitha këto, ndikojnë në mirëqenien time dhe më bëjnë mua të ndihem e shëndetshme. Në asnjë mënyrë, nuk ja ndaloj vetes një ushqim, nëse dua ta konsumoj atë ushqim. Në të njëjtën kohë, në asnjë mënyrë nuk lejoj që ushqimi të ndikojë në jetën time sociale, pra të mos shkoj në ndonjë takim me shoqëri, për shkak se ushqimi i ‘pashëndetshëm’ do të jetë në pjatën time.

A mund të na përshkruani si duket një meny juaja mesatare – çfarë gjendet në pjatën tuaj?

Megjithëse dieta është gjithmonë e personalizuar, meny-ja në përgjithësi zakonisht përfshin të paktën 3 shujta në ditë dhe 2-3 zamra (snacks). Në pjatat kryesore, më shumë se 1/3 e pjatës do të përmbajë fruta ose perime dhe 1/3 tjetër do të përmbajë drithëra, prej te cilave shumica janë integrale. Ndërkaq, pjesa e mbetur do të përmbajë ndonjë burim të proteinës, si mishi, peshku, fasulet ose produktet e qumështit. Gjithmonë ushqimet përgatiten me 1-2 lugë vaj ulliri për secilin person që përgatitet. Gjithashtu, për zamër apo snack, zakonisht përdoren frutat, perimet, arrat e ndryshme dhe farat. Pra, brenda një shujte nuk mungon asnjëri grup i ushqimit.

Si ia bëni që të mos tundoheni dhe ta prishni regjimin tuaj ushqimor?

Thjesht, nuk e kufizoj veten në shumë gjëra. Në momentin që dieta ka kufizime të mëdha, jeta bëhet e vështirë dhe të mbajturit dietë bëhet obligim, dhe jo mënyrë e jetesës.

Si është e mundshme të përmirësojmë metabolizmin tonë?

Rreth 10% e shpejtësisë së metabolizmit vjen si pasojë e faktorit gjenetik. Ndërkaq, meshkujt kanë metabolizëm më të shpejtë se femrat, dhe në të njëjtën mënyrë, një 12 vjeçar ka metabolizëm më të shpejtë se një 45 vjeçar. Megjithatë, pesha/gjatësia dhe përbërja trupore ndikojnë shumë në metabolizëm. Pra, një person që ka masë muskulore më të lartë, dhe dhjamore më të ulët djeg më shumë se ai që ka masën muskulore të ulët, dhe atë dhjamore të lartë. Pra, duke marrë parasysh këtë, metabolizmi mund të përmirësohet më së shumti me anë të një diete të balansuar dhe aktivitetit fizik, në mënyrë që të arrihet rritja e masës muskulore dhe ulja e masës dhjamore. Megjithatë, ulja e tepërt e kalorive ditore mund të çojë deri te ngadalësimi i metabolizmit, pra, nuk preferohet as konsumimi i sasive tejet të vogla të ushqimit, e as aktiviteti i tepërt fizik.

Sa është e rëndësishme sinergjia e ushqimit dhe e ushtrimeve?

Padyshim që të qenit të shëndetshëm nuk kufizohet vetëm te ushqimi. Aktiviteti fizik, patjetër që luan rol të madh në shëndetin tonë. Me anë të aktivitetit fizik, jo vetëm arritja e qëllimeve, çfarëdo qofshin ato është shumë më e lehtë, por ndihmon edhe në menaxhimin e stresit. Pra, për të pasur një jetë të shëndetshme, gërshetimi i të dyjave është shumë i rëndësishëm. Vëmendje të veçantë duhet t’i jepet edhe sportistëve, të cilëve mënyra e saktë e të ushqyerit ju ndihmon në arritjen e rezultateve sa më të dëshirueshme. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Florin Krasniqi kërkon mbi 28 milionë euro dëmshpërblim nga Mali i Zi

Florin Krasniqi kërkon mbi 28 milionë euro dëmshpërblim nga Mali i Zi

Ekonomi
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Teknologji
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Botë
Ikona e Barcelonës befason të gjithë - rikthehet të luajë futboll profesionist në moshën 58-vjeçare

Ikona e Barcelonës befason të gjithë - rikthehet të luajë futboll profesionist në moshën 58-vjeçare

La Liga
Kalo në kategori