LAJMI I FUNDIT:

Vala 4.2 milionë euro më shumë

Vala 4.2 milionë euro më shumë

Pesëmujori i parë i këtij viti është për 4.2 milionë euro më i mirë në aspektin financiar sesa pesëmujori i parë vitit të kaluar. Kjo tregon se Vala ka shënuar sërish një ngritje të ndjeshme në gjithë sistemin e saj të operimit. Bëhet fjalë për rritje të grafikonit të thirrjeve, sms-ve, përdorimit të roamingut, shtimit të numrit të konsumatorëve si dhe refleksione pozitive financiare pas luftimit të dukurisë Sim to Sim.

Bazuar në të dhënat faktike të Operatorit Vala brenda një periudhe kohore prej një viti është evidentuar rritje e performansave të rrjetit dhe shërbimeve të këtij operatori, ndërkohë që grafikonët e rritjes vërehen sidomos në pesë muajt e parë të këtij viti, ku përqindjet e kësaj rritjeje janë dukshëm më pozitiv krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të shkuar.

Të dhënat tregojnë se prej vitit 2009 vërehet afërsisht një rritje prej 10 për qind të të hyrave vjetore. Për periudhën janar-maj të këtij viti, Vala ka gjeneruar 4.2 milionë euro të hyra më shumë së në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka ardhur si rezultat i shfrytëzueshmërisë në rritje, ndikimit të madh të luftës së Sim to Sim, atraktivitetit të shërbimeve dhe produkteve.

“Duke i parë grafikonët e rritjes në Vala në të gjitha nivelet dhe shtimit të përgjithshëm të të hyrave financiare në muajt e parë të këtij viti, është edhe një dëshmi tjetër se këtu punohet me përkushtim të madh, në mënyrë që të vazhdohet t’i rritet vlera kompanisë sonë”, deklaroi Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së.


Sipas tij me këtë përkushtim maksimal do të arrihen rezultate edhe më të mira për t’u ofruar konsumatorëve shërbim cilësor dhe produkte joshëse, në një anë dhe duke i siguruar dividendë Qeverisë së Kosovës, nga ana tjetër. “Këtë rritje aktuale e kuptoj si shenjë e besnikërisë së konsumatorëve tanë dhe mesazhit të tyre të qartë se ata janë me ne, se e duan VALA-n dhe janë të kënaqur me atë dhe janë të kënaqur me atë çfarë ne iu ofrojmë atyre”, është shprehur Haxha.

Në këtë periudhë pesëmujore vlen të përmendet se ka pasur gjenerim të të hyrave më të mëdha nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare me rritje në kuotën deri në 30 për qind krahasuar më pesëmujorin e vitit 2010, ndërkohë që edhe kategoritë tjera të të hyrave kanë shënuar rritje, përfshirë të hyrat nga thirrjet lokale që janë rritur 8 për qind, shfrytëzimi i sms-ve në shkallën 23 për qind. /Telegrafi/