LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni ndikon në rritjen e kostos së ndërtimit në Kosovë

Inflacioni ndikon në rritjen e kostos së ndërtimit në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e kostos së ndërtimit për tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas saj, niveli është rritur për 3.9 përqind.

Shtëpinë nuk ka ende një vit që ka nisur ta ndërtojë. E shpenzimet i kanë dal jashtë pritshmërive.

Një banor nga qyteti i Obiliqit, që nuk deshi të flasë para kamerës thotë se çmimet e materialeve ndërtuese e të nevojshme për shtëpinë e vet janë rritur, e njëherit kanë kaluar pritshmëritë.


“Para disa viteve, shtëpia dy kat më ka kushtuar rreth 12 mijë euro ndërsa sot, vetëm një kat rreth 30 mijë euro. Rreth 45 cent blloku, 1.50 tjegullat, 75 euro betoni dhe rreth 8.50 euro armatura”, tregon ai për RTV Dukagjinin.

E se kostoja e ndërtimit është rritur e thotë edhe një raport i realizuar nga ASK.

Sipas këtij raporti, krahasuar me vitin 2023, në tremujorin e dytë të këtij viti, rritje e indeksit të ndërtimit është shënuar për 3.9 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 3,9% në tremujorin e dytë (TM2 2024), krahasuar me tremujorin e dytë (TM2 2023). Rritje më të madhe kishte te pagat (16,8%), transporti (6,3%), kostot e tjera (2,4%), dhe materialet (2,0%). Ndërsa, rënie pati te energjia (-2,1%) dhe makineritë (-1,3%)”, njofton ASK

Sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike, e gjithë kjo shkaku i inflacionit.

”Përveç materialeve bazike në ndërtimtari dhe ngritjes së çmimit të tyre, kemi edhe ngritje të fuqisë punëtore, të kostos së saj dhe kësaj i shtohet edhe një fakt, kemi material të importuar nga pjesa dërrmuese e importit përcillet me inflacion, çka e bën koston e ndërtimit tejet të shtrenjtë. ..Vet fakti që krahasuar me vitin e kaluar kemi rënie të të ardhurave, liberalizimi e ka ngritur shpenzimet për udhëtime dhe janë barrë pjesa dërrmuese e diasporës, duhet të gjindet një modalitet që ky sektor të mbështetet sepse nëse nuk është në monitorim, do kemi dëmtim të këtij sektori, shumë degët të ekonomisë mund të shkatërrohen. Bankat do jenë shumë më fleksibile që të mbështesin ndërtimin por edhe në të njëjtën kohë, të kenë fleksibilitet dhe  komunikim më të mire me blerësit potencial që të kenë kredi”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ekonomist.

E si zgjidhje, Gërxhaliu sheh nevojën për më shumë investime e gatishmëri nga bankat.

”Kemi të bëjmë edhe me fuqinë e rënies së fuqisë blerëse nga diaspora dhe kjo e dëshmon se kapitali kosovar më shumë po vepron jashtë sesa në Kosovë. Besoj që një dialog publiko-privat është i nevojshëm. Bankat komerciale duhet të marrin rol më të rëndësishëm në këtë drejtim…të kemi kapital më të freskët, qoftë nga diaspora por në mungesë të stabilitetit ekonomik, shumëkush po ikë nga Kosova, jo vetëm investorë të huaj por edhe biznese vendore. Andaj besoj që duhet të bëhet shumë më tepër për ekonominë sesa vetëm të flitet dhe duhet të depolitiziohet, nëse mendohet të jetë proces i volitshëm në të ardhmen”, ka thënë Gërxhaliu.

Vitin e kaluar, indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit në Kosovë pati rritje për 0.4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.