Kosova mbetet tregu kryesor i turistëve të huaj në Shqipëri. Në gjashtë muaj, 2.2 milionë qytetarë të Kosovës vizituan vendin, ndërsa italianët renditen të dytët. Shqipëria po zgjeron hartën turistike, me vizitorë nga 152 vende të botës.

Gati gjysma e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në harkun e muajve janar-qershor janë nga Kosova.


“Çdo vit që mundemi, vijmë në Shqipëri. Këtu i kemi kaluar gjithnjë pushimet.”, tha një turiste nga Kosova.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 5 milionë të huaj në total, 2.2 milionë janë shqiptarë të Kosovës. Italianët renditen të dytët me mbi 430 mijë pushues.

“Jemi nga Parma dhe kemi ardhur si grup shoqëror. Shqipëria është kaq afër dhe shpenzimet janë thuajse minimale.”

Lista pasohet nga turistët e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Gjermanisë.

“Sigurisht që Kosova mbetet një treg shumë i rëndësishëm për ne, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve që kemi, por ajo që po ndryshon është diversifikimi i tregut.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti territorin e vendit tonë e kanë vizituar qytetarë nga 152 vende të ndryshme të botës.", tha Albiona Muçoimaj, operatore turistike.

“Po ashtu, po shtohet interesi nga Polonia, Çekia dhe vende të tjera të Evropës Qendrore. Pra, kemi një shpërndarje më të gjerë të origjinës së turistëve dhe kjo është shumë pozitive për tregun shqiptar.”, shtoi ajo

Shqipëria nuk ka pasur asnjë turist në harkun e muajve janar-qershor nga Kongo, Eritrea, Monako, Guajana, Bahamas dhe Belize./A2 CNN