LAJMI I FUNDIT:

Trusti: Kriza aktuale nga pandemia e COVID-19 ka prekur edhe pensionet e kosovarëve

Trusti: Kriza aktuale nga pandemia e COVID-19 ka prekur edhe pensionet e kosovarëve

Kriza në tregjet financiare botërore shkaku i pandemisë së Coronavirusit ka prekur edhe paratë e kontribuesdhënësve të Kosovës, që ruhen në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trusti).

Sipas raportimit të fundit nga ky institucion, vetëm për një ditë janë humbur 14.1 milionë euro në investime, apo brenda vitit aktual janë 104.53 milionë euro më pak nga kthimi bruto.


Lidhur me këtë, Trusti thotë se kjo ka ardhur si pasojë e rënies së tregjeve në botë të shkaktuara nga pandemia.

“Kriza aktuale globale, nga pandemia COVID-19, ka prekur të gjitha investimet në botë, e natyrisht edhe investimet e Trustit”, njofton ky institucion, përcjell Telegrafi.

Çmimi aktual për njësi dhe kthimi bruto | Burimi: Trusti

Në Trust thonë se, kontribuuesit që pensionohen gjatë këtij viti nuk do të ndikohen nga kjo rënie në investime.

“Lajmi kryesor tani është se Trusti ka marrë masa që asnjë kontribuues i moshës, që pensionohet gjatë vitit 2020, nuk do të ndikohet nga rënia e investimeve. Ata pra janë të mbrojtur e imun ndaj çfarëdo lëvizje negative gjatë këtij viti, kur edhe pensionohen”, njofton Trusti.

Njohësi i çështjeve financiare dhe ish-anëtari i Bordit të Trustit, Flamur Keqa, për Telegrafin tha se, ka shumë rëndësi koha e ripozicionit të mjeteve financiare nga ana e institucionit në mënyrë që të mbrohen mjetet e kontributdhënësve.

“Megjithatë shumë varet edhe nga koha e ripozicionimit të mjeteve të Trustit. Për mbrojtjen e parave të kontributdhënësve zgjidhja më e mirë ka qenë një propozim që e kam dhënë për garantimin e kontributeve pensionale. Megjithatë, ekzistojnë opsione tjera që së paku të minimizohen humbjet për personat që pensionohen rishtazi duke investuar në portfolio më të sigurta dhe me fitim/humbje më të vogla”, tha Keqa.

Ai shpreson se amortizimi negativ do të rikthehet shpejtë dhe të rifilloj performanca pozitive.

“Realisht ekonomitë botërore janë prekur nga recesioni dhe të shpresojmë të mos kemi depresion ekonomik për shkak te rikonsolidimi i ekonomive dhe tregjeve financiare rrjedhimisht do të zgjas më shumë. Edhe pse parashikimet janë të pasigurta gjithnjë shpresoj që amortizimi negativ të arrihet brenda dy muajve me çka do të filloj edhe performanca pozitive”, tha ai.

Të dhënat e kthimit bruto nga investimet në pesë vjetët e fundit | Burimi: Trusti

Trusti ka nën menaxhim mbi 1.8 miliard euro, apo 3.6 për qind më pak sesa kishte në fund të vitit 2019. Kurse, vitin vitin e kaluar e kishte mbyllur më performancë pozitive në investime. Kthimi në investime ishte 161 milionë euro. /Telegrafi/