LAJMI I FUNDIT:

Trilogjia e Jon Fossesë, një lexim i mjegullës së pathënëshme

Trilogjia e Jon Fossesë, një lexim i mjegullës së pathënëshme

Nga: Elsa Skënderi

Ditën që do të shpallej çmimi Nobel në Letërsi, pata bërë një hamendeshim me toke shakaje, duke parashikuar se si njerëzit, siç bëjnë rëndom çdo vit në të njëjtin rast, do të rendnin të tregonin se si e njihnin që më parë nobelistin, se si ia kishin lexuar librat apo se si me largpamësi vizionare ia kishin përkthyer tashmë veprat në shqip; një farë mburracakërie e njohur  mes lexuesish e njerëzish të letrave ndër ne. Dhe, ja, Nobeli në Letërsi për vitin 2023 u shpall. Kurora e larme e dafinave iu dha një norvegjezi, Jon Fosse, i njohur për dramat e tij më shumë se për prozën, por me motivacionin për ‘për dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të pathënëshmes’.


Nxitova të mësoj më shumë për të dhe, tek lexova ca tekste të thukëta për krijimtarinë e tij, kuptova që hamendësimin tim të mëhershëm tashmë duhej ta vijoja si një autoironi. Jon Fosse dhe unë kishim një të përbashkët, Universitetin e Bergenit. Të dy ishim diplomuar në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Bergenit, sigurisht me dekada diference mes nesh. Ai në letërsi të krahasuar, unë në gjuhësi të përgjithshme, por kishim frekuentuar të njëjtat hapësira universitare, të njëjtat salla biblioteke, të njëjtat udhë për në leksione. Universiteti kish bërë një shpallje ku thoshte se kjo ishte një ditë e madhe dhe se flamuri ish ngritur lart për të festuar alumnus-in e vet.

Lexova dhe pak për të nga sa mund të gjeja në norvegjishte dhe anglishte, teksa u kuptua që prej Fossesë, përveç një teksti drame të vënë në skenë, nuk kish diçka të përkthyer në shqip. Për fat, asnjë nga përkthyesit a botuesit s’i hyri rropatjes së ethshme për ta përkthyer sa hap e mbyll sytë Fossenë e për ta nxjerrë për Panairin e Librit, me vulën famëmadhe të nobelistit më të ri të letërsisë.

Dhe, një ditë fundjanari, arrita që ta lexoja “Triologjinë”. Mbase vonë, por në kohën e duhur, sipas rrjedhës së kohës sime. Mbresat e këtij leximi po i ndaj këtu, pa mëtimin e një kritike letrare mbi terma teorikë, madje me një farë droje të kuptueshme, për shkak të simpatisë a priori ndaj autorit. Por e, bukura e leximeve interpretuese është që munden të jenë qasje krejt vetjake, që dikush madje i ka cilësuar edhe një farë ‘letërsie’ për ‘letërsinë’.

Tek nis të lexosh Fossenë, e pyet veten në ke lexuar diçka të tillë më parë. Edhe nëse po, mund të kesh lexuar diçka të ngjashme si teksti i ‘Triologjisë’, tepër rrallë. Libri fill të përball me një ndjesi habie, jo për tematikën, por për lehtësinë e frazave fare minimale, që duket se të rrëfejnë si të ishe fëmijë. Fjalitë nuk kanë pikë në fund. Ato lidhen paprerë, një tekst i tërë romanor qëndron i thurur falë fuqisë së jashtëzakonshme të lidhëzës bashkërenditëse dhe. Frazat, përgjithësisht të gjata, këputen, kur ata pak dialogë mes personazheve jepen në formë ligjërate të zhdrejtë. Rrëfimtari i gjithëdijshëm e di se çfarë i bën personazhet kryesore të veprës Asle-n dhe Alidën, 17-vjeçarë, të çapiten mundimshëm, rrugëve të Bjørgvin-it,[1] në kushte të një sforcimi të skajshëm fizik, për të gjetur strehë, në një fundvjeshtë të errët dhe të ftohtë, pasi janë larguar nga hangari, në të cilin qenë strehuar në vendlindjen e tyre, ku kishin zbuluar, në mënyrën më të dëlirë e më të natyrshme të mundshme, dashurinë për njëri-tjetrin, fryt i së cilës ishte fëmija që Alida priste të sillte në jetë nga çasti në çast.

por mbyll sytë dhe sheh që fjordi është i qetë dhe me një blu vezulluese, dhe deti atje është blu vezullues, dhe varka lëkundet lehtë në mol, dhe kodrat rreth Hangarit të varkave janë të gjelbra, dhe ai ulet në stol dhe mban violinën në dorë dhe e mbështet violinën në sup dhe luan dhe atje, atje tej në Brotet, aty vjen Alida duke vrapuar dhe duket sikur loja e tij dhe lëvizjet e saj përzihen me dritën dhe ditën e gjelbër dhe një lumturi kaq e madhe e bën lojën e tij të bëhet njësh me gjithçka që rritet dhe merr frymë dhe ai ndien se dashuria e tij për Alidën rrjedh dhe rrjedh tek ai dhe rrjedh përsipër tij dhe violinës ku luan dhe rrjedh në gjithçka që rritet dhe merr frymë […] sepse dje ishte hera e parë që ata flisnin, por ata e kishin parë njëri-tjetrin dhe kishin ndierë një tërheqje ndaj njëri-tjetrit përderisa ata qenë të rritur tashmë dhe arritën në moshën ku djemtë vënë re vajzat dhe vajzat vënë re djemtë, tashmë që herën e parë që u panë ata e panë njëri-tjetrin thellë, që të dy e dinin këtë, pa thënë asgjë fare, dhe mbrëmjen që shkoi ata folën tok dhe njohën për herë të parë njëri-tjetrin [….]

Mandej rrëfimtari, duke i rimarrë e përsëritur frazat si përforcime për atë strukturë sintaksore masive, si një dëshmitar i ngeshëm i një ngjarjeje, zë të të bindë se di gjithçka për si është të mos të t’i hapin asnjë prej 20 dyerve ku troket për strehë, si është të jesh i skamur aq sa të vjedhësh para nga arka e kursimeve të nënës, e cila asnjëherë nuk të ka dashur vërtet, si është të lagesh prej shiut në të ftohtë e terr, të të zënë dhimbjet e lindjeve papritmas pa pasur një njeri të të ndihmojë, në një qytet ku ‘s’duhet të ketë më shumë njerëz se ç’ka’. Në pjesën e parë të triologjisë “Pagjumësi”, teksa lexon, kraharori herë të ngushtohet e herë të zgjerohet; të ngushton pezmi për vështirësitë e dy të rinjve, ndërsa motivi i skamjes e i urisë ta ndërmend “Urinë” e nobelistit tjetër norvegjez, Knut Hamsun, ndjesia e padrejtësisë sociale, po ashtu. Por, në të gjithë zymtësinë e territ, referenca si vegim që shoqëron Aslen dhe Alidën është Fjordi i kaltër, përmasë e iluzionit të kaltër e të bukur të dashurisë. Dashuria e tyre është e përrallshme, të ngre peshë si tingujt e violinës që i binte aq bukur Asle dhe i ati i tij dikur; dashuria iu sjell në jetë djalin Sigvald.

Në pjesën e dytë të triologjisë “Ëndërr e Olafit”, subjektit të romanit me tipare të shqueshme të letërsisë realiste, i shtohen elemente të letërsisë së verdhë, të krimeve, për të cilat Asle akuzohet se i ka kryer, në përpjekje për të çarë në jetën e re me Alidën “Asle e ndien se nga mënyra sesi ai është mbrujtur, nuk është vetja e vet që është e rëndësishme, është fluturimi i madh ai që është i rëndësishëm, […] dhe sa për të, fluturimi i madh është Alida”. Për të humbur gjurmët, Asle dhe Alida ndërrojnë emrat, bëhen Olaf dhe Åsta. Olafi largohet për të blerë unazat e tyre. Por një burrë i vjetër e ndjek dhe e heton se ai në të vërtetë është Asle, që ka kryer disa vrasje, për ç’shkak edhe vetë duhet të vritet.

Përpara se të kapet, Asle blen me ato pak para, të fundit që iu kishin mbetur, pasi kish shitur edhe violinën, të trashëguar nga i ati i ndjerë, një byzylyk të mrekullueshëm: “ja ku është, një njeri i mjerë si ai, rrugës për të blerë dhuratën më të mirë për të dashurën, jo keq, apo jo mendon edhe nëse ka ardhur në Bjørgvin për të blerë unaza, mund të blejë edhe një byzylyk, unazat mund t’i blejë më vonë, mendon, hë për hë, tani që ka parë byzylykun më të mirë, në arin më të verdhë, dhe perlat më të kaltra”. Gjithë rrëfimi për kapjen e Asles kryhet me të njëjtën frazë në dukje lineare që hyn e del prej ëndrrash e parandjenjash. Ëndrra të Olafit (Asles), parandjenja të Alidës, shfaqje të mistershme të një burri plak, që s’thuhet as kush është e as nga e njeh Aslen. Një personazh si ato të realizmit magjik, që në mjegullën e rrëfimit bjørgvinas, e çon Aslen drejt fundit tragjik, dënimi me varje.

Pikëllimi është i pashmangshëm. Nga njëra pjesë edhe te tjetra, dhe madje brenda një fraze të vetme, rrëfimi zhvendoset nga koha para lidhjes së Asles dhe Alidës, te koha pas lidhjes së tyre kur rropaten për t’ia dalë teksa gjithë gjendja e përgjithshme është një rraskapitje, njëjtë si emri i pjesës së tretë të Triologjisë. Alida rron, e shpëton një burrë më i madh se ajo në moshë, por për jetën e saj ‘të mjegulluar’, në këtë pjesë të romanit tanimë rrëfehet përmes përsiatjesh të së bijës. Alida ka jetuar, por e mbyllur në mjegullën e përbrendshme, ndonëse me shumë dashuri për fëmijët e vet, ka pasur përherë në dorë ‘byzylykun më të mirë, me arin më të verdhë dhe perlat më të kaltra’, derisa një ditë ka shkuar te valët dhe për fund i shfaqet si vegim i gjallë së bijës, e cila gjithashtu e shoqëron vegimin e së ëmës te valët, drejt fundit.

Kur ke përfunduar së lexuari ‘Trilogjinë’, habisë se po lexon diçka të pazakontë i zë vendin një trishtim i thatë, që mund edhe të duash ta njomësh me dy-tri lot. Mos ndoshta ngaqë ti e di si ndihet një vjeshtë e ftohtë e amullt në Bjørgvin apo mos ndoshta ngaqë Fosse, sapo të ka mërmëritur, siç mërmëriteshin rrëfenjat që në fillesa të njerëzimit, një histori dhimbjeje, humbjeje a trishtimi, që në një trajtë a në një tjetrën ti e njeh, e ke përjetuar apo që i druhesh si djallit?  Të jetë kjo e pathënshmja jonë?

Të njëjtat personazhe Fosse i përdor edhe në veprat e tij të tjera, së paku emrat e njëjtë, duke krijuar një hapësirë të vetën narrative, ku personazhet hyjnë e dalin nëpër dyer romanesh, pasi kanë trokitur në dyer lexuesish të gjithë botës, përfshirë dhe të lexuesve shqiptarë. Trokitje, që me gjasë, grishin për ta parë letërsinë e Jon Fosse-s, në mesin e xhevahireve letrare, si ‘një byzylyk shumë i bukur, prej ari të verdhë, shumë të verdhë dhe me perla të kaltra, shuuumë të kaltra’. /Gazeta “ExLibris”/

_________

[1] Emri i vjetër i Bergenit