LAJMI I FUNDIT:

Thesaret e arkivave arvanitase në bibliotekat e Francës

Thesaret e arkivave arvanitase në bibliotekat e Francës
Ilustrim

Shqiptarët e shekullit XVII-XIX në të gjitha trojet ku ata jetonin, përfaqësohen ende me një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste. Ish-diplomati Luan Rama, shkrimtar dhe studiues i njohur, prej vitesh hedh në dritë thesaret e arkivave të zbuluara në bibliotekat kombëtare të Francës. Aty ai gjen letra, dokumente, piktura, akte dipolomatike, fotografi, litografi, krijimtari, folklor, libra të çmuar të dijetarëve dhe diplomatëve francezë për shqiptarët dhe arvanitasit. Bëhet fjalë për më shumë se dy shekuj pasuri dokumentare origjinale, duke u shtyrë tutje deri në periudhën e Napoleon Bonapartit.

Autori i librit prej 700 faqesh “Me arvanitët rrugëve të Greqisë” dhe i një morie veprash të tjera studimore e letrare, promovoi këtë të mërkurë në Akademinë e Shkencave dy librat më të rinj: “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”, një punim shumë voluminoz i tij, dhe botimin “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë” nga Luois Dupre.

Rama në këtë intervistë rrëfen sesi historitë e përshkruara nga konsujt, dijetarët, apo artistët franceze për Shqipërinë dhe arvanitasit na shfaqet me ngjarje mbresëlënëse, duke na nxitur imagjinatën për të rikrijuar në mendjet tona imazhin e qyteteve shqiptare dhe të jetës së përditshme në Shqipëri, ku krahas bëmave historike, janë edhe legjendat, këngët historike dhe ato të dashurisë, përrallat, besëtytnitë e deri tek “ligjet” e gjakut.


Ku qëndron sekreti i insistimit tuaj në këto kërkime?

Në fakt ke të drejtë. Mua më pëlqen shumë të bëjë kërkime në bibliotekat e Francës. I njoh shumë mirë bibliotekat. Kështu që fillmisht kam bërë një libër për arvanitasit, i cili është botuar edhe në shqip edhe në greqisht, ku ka referenca mjaft të vjetra, që nga koha bizantine, koha e Mesjetës, vitet 1800 etj. Pastaj, gjatë kërkimeve të mia, një ditë zbulova një botim të vjetër francez të autorit Louis Dupre, i cili ishte piktor. Zbulova nga ai litografi të jashtëzakonshme të suljotëve që kishin luftuar për mbrojtjen e Korfuzit. Ka litografi të Ali Pashë Tepelenës, ka një skenë gjahu. Dhe, si të thuash, ai ka bërë fshehurazi dhe portretin e Ali Pashës

Pse Louis Dupre duhej t’ia bënte fshehurazi portretin Ali Pashës?

Sepse ai nuk pranonte. Për shembull, një ditë më parë Dupre kishte qenë bashkë me një komisar anglez të dërguar nga mbreti i Anglisë pranë Ali Pashë Tepelenës, dhe ishte pikërisht ky lord anglez që ia prezantoi Pashait: “Ja një piktor francez” dhe lordi i tha: “Tregoja pikturat e tua Pashait”. Ai i tregoi shumë portrete suljotësh, kishte skena gjahu, nga jeta e përditshme etj. Lordi i thotë pas kësaj Ali Pashës: “Le ta bëjë edhe ty një portret, Pasha”. “Jo, nuk më lejohet nga feja”, i tha Pashai. Dihet se sipas profetit Muhamed, nuk lejohej që fytyra e njeriut të pikturohej. Kjo më kujton një rast tjetër që kishte ndodhur edhe me Eduard Laerin në Elabasan, ku rreth tij mblidhen shumë njerëz e më shumë prej tyre turq që e trajtonin si një magjistar. Aq e rrallë ishte dukuria e pikturimit në botën myslimane.

Po ju bëj një ndërhyrje për një koment tuajin të shkurtër. Ali Pasha ishte besimtar i fesë myslimane, por në oborrin e tij ai komunikonte ndryshe me piktorë, poetë e personalitete të larta ardhur të Perëndimit, duke e ditur fare mirë se bënin një jetë të lirë, larg çdo norme fetare. Si shpjegohet?

I pëlqente Ali Pashë Tepelena artistët. Ishte një njeri shumë i zgjuar dhe kishte edhe vetë një lloj kulture. Ai e donte Perëndimin dhe kishte dërguar për studime disa njerëz të tij atje. Por, e donte edhe se kishte nevojë për mbështetje, ku përpiqej të shmangej nga varësia ndaj Perandorisë Osmane. Ai kishte lidhje të fortë kur e mori supremacinë Franca dhe më vonë kur Napoleoni humbi e pastaj e mori fuqinë Anglia. Ai bëri një diplomaci shumë të hollë. Të gjithë artistët, piktorët, letrarët që qëndronin në Janinë, ktheheshin aty e zbulonin botën shqiptare, se atëherë ishte pjesë e Ilirisë, e të huajt kishin lidhje kryesisht me botën ilirike. Aliu i priste këta. Dhe, gjëja më e bukur është pritja që i ka bërë Lord Bajronit, duke u sjellë me shumë ngrohtësi e dashuri, apo Tomas Hughes që ka bërë një libër për udhëtimin e tij në Shqipëri. Ai ka ndenjur shumë gjatë me Ali Pashën dhe ka botuar një libër që ka zbuluar gjithçka nga këto takime, pra ai vetë e evidenton këtë fakt.

Cilat mendon se janë prurje me më shumë interes nga zbulimet tuaja arkivore në Bibliotekat e Francës?

Në fakt mua pëlqen shumë arkivi dhe pasioni im për arkivat ka nisur qëkur rishikoja filmat e vjetër në Kinostudio, ende i paqartë se çfarë doja të zbuloja. Gjithashtu, gjatë qëndrimit tim në Paris, para shumë vitesh kam zbuluar gjëra dhe kam botuar një libër me 700 faqe me dijetarët francezë gjatë shekullit XIX në Shqipëri, dhe aty ka dokumente e dorëshkrime nga arkeologë, gjeologë, historianë, konsuj, fotografë, hartografë, letrarë… Të gjithë ata kanë botuar shënime dhe shumë-shumë libra deri në fund të 1900-s. Çdo njeri prej tyre është një libër më vete, e një faqe historie e re tashmë. Për shembull, F. Pouqueville është botuar nga Ardian Klosi, nëse ju kujtohet libri i tij “Udhëtim në More dhe në Shqipëri”, por ka shumë nga ky autor dhe ne nuk e njohim se kush ishte ky Pouqueville. Ai meriton një libër më vete. Unë bëra një kapitull fillimisht për të, por ka shumë për të bërë.

Çfarë të pathënash zbuluat ju vetë prej ai?

Është i jashtëzakonshëm në fakt. Ai ka dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare të Francës “Fjalorin e Marko Boçarit”. Kjo dihet, por në librat e tij ka një mori të jashtëzakonshme faktesh dhe ngjarjesh historike. Ka një libër tjetër të tij që nuk është përkthyer në shqip, që është një përkthim në Greqi. Aty ai ka shënime për arvanitasit, për këngët, folklorin, besëtytnitë shqiptare. Gjëra që nuk njihen akoma dhe meritojnë të bëhen libra me vete. Të njëjtin kërkim bëra edhe për konsullin francez Auguste Dozon. Është ai që botoi për herë të parë nga folklori shqiptar përrallat shqiptare dhe meritoi çmimin e Akademisë Franceze. Dhe, njëkohësisht e mësoi shqipen dhe bëri një manual të gjuhës shqipe; krijoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe në Francë. Kështu, unë bëra një libër fillimisht me një kapitull, ku e përfshiva tek libri “Bujtësi i largët” kushtuar dijetarëve francezë gjatë shekullit XIX dhe pastaj bëra një libër më vete në shqip. Është e gjithë jeta e tij si konsull, që më pas e përktheva dhe e bëra edhe në frëngjisht. Kështu bëra edhe për librin “Arvanitasit…” ku ka shumë të dhëna për kontributin shqiptar që në kohën bizantine. Është një shkencëtar shumë i madh që ka zbuluar të gjitha familjet e mëdha shqiptare, që jetonin në harta, jetonin në Athinë, në ishujt. Arkivat janë pasion më vete dhe nganjëherë mua më vjen keq që nuk merrem me letërsinë, por gjithmonë më del diçka intriguese, e panjohur dhe dihet që librat historikë të hanë shumë kohë. Është shumë më i vështirë hartimi i një libri historik.

Shumë nga këto thesare nuk janë marrë në konsideratë nga studiuesit në albanologjinë apo në filologjinë shqiptare për 50 apo 100 vjet me radhë. A mendoni dhe ju kështu?

Po ka pasur shumë mungesa në studimet filologjike. Madje më vjen mirë që Aurel Plasari në fjalën që mbajti gjatë promovimit, evidentoi dhe gjëra të reja që sjell ky libër për fiset çame, siç ishin lidhjet e disa prej personaliteteve greke me ta. Është në këtë libër një konsull që quhet Degrand. Ai ka zbuluar saktësisht origjinën e Zervas gjatë shoqërimit me të. Shumë e dinin se Zerva ishte grek, por ai ishte shqiptar, sepse kur shoqërohet me të vetë Zerva i thoshte: “Këtu në Çamëri kam rrënojat, këtu kam shtëpitë”. Mirëpo, grekët i kanë fshehur burimet e origjinës së tij. Ka shënime kur një grek në dokumentet e vjetra tregon se Marko Boçari fliste shqip me luftëtarët e tij etj. Ka shënime të tjera që tregojnë se kur vinte Tafil Buzi në Janinë me 2000 luftëtarë, otomanët nuk guxonin ta preknin. Madje për Tafil Buzin, imazhin e të cilit e njohim aq pak, shkruhej se kishte kulturë perëndimore dhe hante me thikë, lugë e pirunë në tryezë. Kështu që janë libra me përshkrime të jashtëzakonshme të zbuluara nga rrëfime të konsujve, siç rrëfen edhe konsulli Gabriel Aubaret, që ishte nuni i djalit të princit të Oroshit, Preng Bid Dodaj, e që mori gradën Pasha e shkoi si gjeneral në luftën e Krimesë. Kur konsulli ishte në Shkodër, princi shqiptar i kërkoi të bëhej nun i djalit të vet. Madje, Prenga kishte lënë në testament që nuni të ishte ekzekutuesi i testamentit. Imagjino, një princ shqiptar që bashkëpunonte me francezët në Mirditë. Të njëjtën gjë e shohim tek një fotografi shumë të bukur të vetë konsullit, sepse ishte dhe fotograf. Pra, janë dokumente të jashtëzakonshme këto foto.

Çfarë të ka nxitur që gjatë qëndrimi tuaj në Francë të lini disi mënjanë krijimtarinë letrare dhe të kërkoni pa fund fakte për shqiptarët e tu dhe për hapësirat e Shqipërisë?

Duke prekur shumë arkiva, kërkim pas kërkimi gjeja gjëra që nuk njihen, letra pa fund, siç do t’ju tregoj edhe letrat e Esat Pashë Toptanit, që janë nga më të rëndomtat deri tek më sekretet. Ka letra ku shkruante sesi t’i sillnin vaj ulliri nga Shqipëria gruas së tij e t’ia çonin në Paris. Për shembull, në këtë libër interesante është një letër e Zef Jubanit, që i shkruante presidentit të Francës për të qenë azilant i mbrojtur nga Franca. Ishte i jashtëzakonshëm ky dokument, por janë ndër librat e rrallë që flasin për ngjarje që kanë ndodhur në vitin 1800 edhe pse libri është botuar më vonë në 1840. Pra, këto gjëra janë regjistruar edhe më parë. Ose dokumente që flasin për djegien e Konsullatës së Artës, apo fakti që kishte dhe konsullatë në Sarandë, ende e pakonceptueshme sot. Del gjithashtu se Franca bënte shumë tregti me Shqipërinë, dhe Shqipëria i çonte drithë kur ajo ishte në krizë buke. E shumë e shumë të tjera! /Dhurata Hamzai/Shqiptarja/