LAJMI I FUNDIT:

(R)evolucionari Orhan Kerkezi

(R)evolucionari Orhan Kerkezi

Kur Kerkezi e kishte marrë dramën e Luigji Pirandellos për ta lexuar, herën e parë e kishte hedhur nga duart. “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” atij i ishte dukur çmenduri. Çmenduria për të është kur shoqëria nuk ka guxim me thënë të vërtetën. Orhan Kerkezi konsideron se shoqëria kosovare është ndër më frikacaket në botë. Regjisori me shfaqjen e tij mëton që ta shpie njeriun drejt ndryshimit, drejt revolucionit. Thotë se shfaqja e tij nuk ka mesazh, sepse kemi ardhur në një pikë kur nuk duhet të marrim mesazh për të menduar. “Arti e heq ‘r’-në dhe e bënë veç evolucion. Dhe revolucioni im është pa ‘r’”, shprehet Kerkezi

Në vitin 1921, dramaturgu italian Luigji Pirandello do të shkruante dramën “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin”. Po këtë vit drama do të inskenohej në teatrin Valle në Romë. Teksti i cilësuar si një lojë absurde përtej konceptit teatral, ngacmoi publikun të cilët përshtypjet e tyre i shfaqën duke bërtitur “çmenduri”. Katër vite më vonë autori do të detyrohej që në ribotimin e dramës ta shtonte një parathënie ku do të sqaronte strukturën dhe idenë e tij.

Më 1922, drama është inskenuar për herë të parë në SHBA, në Teatrin Princess në Broadway. E njëjta, shumë vite më vonë, erdhi për herë të parë edhe Prishtinë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Regjia iu besua Orhan Kerkezit.


Mesditën e 11 qershorit, kur Këshilli Drejtues i TKK-së dha lajmin për përzgjedhjen e regjisorit për këtë shfaqje, Kerkezi kishte qenë në gjumin më të mirë. Ai as që ia kishte idenë se çfarë ka ndodhur. Lajmin e merr nga Tribuna.

Kerkezi do të mendonte atëherë se Këshilli ia ka “ngulë”. Provat do të nisin e ai do të mundohet ta krijojë konceptin e shfaqjes. Pas dy javësh, Kerkezi kërkon ndihmën e psikologut për ta kuptuar më mirë idenë e Pirandellos.

“Çmenduria e Pirandellos dhe familjes së tij ka reflektuar te unë. Kam shkua edhe te psikologu me vërtetua. Nuk i tregova se unë jam regjisor. U prezantova me emrin Ilir. Kjo ishte një e vërtet që unë u përballa me të. Pyesja veten nëse është e vërtet kjo çka kam lexua? A mundet dikush me sjell familjen para 100 viteve dhe me i tregua publikisht vuajtjet? Kur nisa adaptimin e tekstit për teatër, ju garantoj se isha në një fazë çmendurie, prandaj kisha nevojë për ndihmë nga psikologu”, thotë Kerkezi.

Seancat me psikologun dhe hulumtimet që i ka bërë për Pirandellon, e kanë bërë të besojë se drama e Pirandellos mund të jetë një ngjarje e vërtet. Ai mendon se çmenduria që i ka ndodhur Pirandellos, po i ndodh sot shoqërisë kosovare.

“Edhe Pirandellon në atë kohë e kanë çmendur. Edhe ne jemi të çmendur. Por, neve na gjuajnë do pare dhe bëhemi si një cirkus”, shprehet Kerkezi. “Kam hyrë thellë nën lëkurën e Pirandellos”.

Regjisori vlerëson se Pirandello e ka pasur vuajtjen si kërkim, ndërkaq për vete pohon se objekt kërkimi i ka të zhdukurit në dimensionin e Kosovës. Prandaj, edhe kishte vendosur që të ketë një performancë me tepihun e kuq të mbuluar me dhe, para hyrjes së Teatrit Kombëtar në natën e premierës.

“Gjatë procesit të provave, një ditë jemi takuar me aktorët dhe i kam pyetur për mendimet e tyre për të pagjeturit. Ato që m’i ka thënë Vjosa, i kam kalua te Albanit e kështu me radhë ua kam ndërruar vendet. Prandaj, edhe fillimi i shfaqjes është ndërrimi i teshave. Është storja e tyre”, tregon ai.

Kerkezi në këtë moment tregon një fshehtësi. Provat e shfaqjes së tij e kanë ndikuar koreografin Darrel Toulon për ta bërë baletin “Your stories, my stories”, e cila u dha premierë më 30 tetor.

“Më thanë se ka ardhur për ta bërë një shfaqje baleti me një ngjarje diçka në aeroport. Por, kur erdhi me i pa provat tona, e ka ndryshuar mendimin. Për 10 ditë e ka punuar baletin për rrëfimet e dhimbshme të shoqërisë tonë”, deklaron Kerkezi.

Ai konsideron se shoqëria kosovare është ndër shoqëritë më frikacake në botë. Kështu ia qojnë mallin kosovarët kur i kujtohen shatorët në Bllacë.

“Ma qojnë mallin e frikës për me e dashtë vendin”, thotë ai.

Për të ndër frikacakët më të mëdhenj janë udhëheqësit politikë, të cilët nuk janë frikacakë për të sunduar, por për ta lënë karrigen.

“Kjo është fundi. Ne po jetojmë nën ligësitë. Heshtja ime ka të bëjë pikërisht me këtë dhe për këtë arsye kam me dal shumë rrallë në media”, shprehet frustrueshëm regjisori.

Ai shton se kosovarët meritojnë të kenë standardin norvegjez të jetesës sepse, sipas tij, kanë potencial për këtë.

“Nëse norvegjezët kanë prejardhje prej vikingëve të cilët kanë ngrënë mish njeriu”, thotë Kerkezi, “shqiptarët kanë prejardhje prej njerëzve më të civilizuar, ilirëve”.

“Por, sot nuk jemi të lirë nga vetvetja. Ilirët nuk janë të lirë. Kjo më brengos dhe me siguri ka qenë brenga edhe e Pirandellos për me tregua të vërtetën. E di se e vërteta dhemb, por e vetmja e vërtet është se shoqëria jonë është frikacake. Ka frikë të madhe me e tregua të vërtetën dhe me ba të drejtën. Edhe ndonjë ditë, nëse Zoti nuk na jep shiun, nuk e di se qysh kemi me jetua. 30 centë për një litër ujë është shumë e shtrenjtë për këtë shoqëri. Ne jemi shoqëri frikacake – mbi të gjitha”, vlerëson Kerkezi.

Pas premierës së shfaqjes, ai u kritikua për mungesë mesazhi dhe emocioni nga loja e aktorëve. Por, sipas tij, Pirandello nuk ka mesazh. Prandaj, shton se edhe shfaqja e tij nuk ka mesazh, sepse për të krejt publiku janë personazhe.

“Ne jemi personazhe. Kur jemi të tillë, nuk ka mesazh. Pirandello të bënë të mendosh. Ne kemi ardhur në pikën kritike kur duhet me mendua pa na dhënë dikush mesazhin. Ne nuk jemi të vegjël. Jemi shtet që disa vite. Nëse ne merremi me mesazhe, atëherë ky nuk është qëllimi im i dramës. Personazhet e mia, mesazhi im është brenda, nga ai që ulet në ulëse e deri te ai që është aktor”, thotë Kerkezi.

Qëllimi i tij është që personazhet ta nxjerrin të vërtetën. Që gjithçka të jetë e vërtet. Prandaj, e thekson se realiteti skenik është më i vërtet se jeta e njeriut. Me shfaqje Kerkezi mëton që ta shtyjë njeriun drejt ndryshimit, drejt revolucionit.

“Arti e heq ‘r’-në dhe e bën veç evolucion. Dhe revolucioni im është pa ‘r’. Paramendoni, kjo shfaqje po të jepej në Preshevë? Mendoj se ata njerëz duan më shumë liri se ne dhe janë më pak frikacakë se ne. Unë e ndjej këtë gjë. Edhe vepra ka të bëjë me vetëdijen e secilit që ka qenë dhe do të jetë pjesëmarrës. Gjatë tërë shfaqjes ka me mendua për veten e vet. Betohem se secili nga këta 300 veta, në një moment ka mendua për veten e tij. Secili është pjesëmarrës”, shprehet regjisori, teksa shtyp pullën e kuqe të telefonit nga telefonatat e shumta që i merr.

Kur shoqëria ka frikë me e thënë të vërtetën; kur individët frikësohen ta pranojnë vetveten dhe tjetrin, kjo për Kerkezin është çmenduri. Ai thotë se kjo nuk mund të tejkalohet asnjëherë. Por, megjithatë duhet bërë përpjekje të guximshme. Këtë frikë për ta shfaqur vetveten dhe të vërtetën, regjisori ka vendosur që ta shpërfaq me një personazh interesant në shfaqje.

Aktori Mirsad Ferati luan rolin e tranvestitit Conchita Wurst, fitues i Eurovizionit të sivjetmë.

“Conchita për mua përfaqëson guximin për ta shfaqur vetveten”, thekson ai.

Kerkezi konsideron se shfaqja e tij do të ketë ndikim në debatet e njerëzve.

“Për herë të dytë në jetën time – hera e parë ka qenë në Sarajevo Film Festival kur kam fitua çmimet për dokumentarin – njerëzit nuk janë çuar në këmbë. Kjo më ka ndodhur herën e dytë. Publiku rrahë shuplaka, por nuk dinë çka me ba, a me ndejë a me u çua. Kjo më ka bërë të kuptoj se njerëzit kanë qenë brenda”, shton Kerkezi.

Ai thotë se ka pasur shumë vuajtje gjatë procesit sepse, sipas tij, është luajtur me dinjitetin e artistit. Por, është krenar për lojën e aktorëve, për të cilën vlerëson se ishte fenomenale.

Koncepti i shfaqjes nga fillimi deri në premierë ka ndryshuar tri herë. As gjysma e shfaqjes që e ka aprovuar Këshilli Drejtues, Kerkezi thotë se nuk është luajtur të mërkurën. Regjisori tregon se në asnjë nga 100 provat e shfaqjes, nuk ka qenë komplet ekipi. Gjithmonë ka munguar dikush.

Ai thotë për vetveten se më herët ka qenë prej artistëve rebelë.

“Por besimi në Allah – jam besimtar i madh por nuk e praktikoj fenë – më ka bërë shumë tolerant, gjë që më është nevojitur shumë”, thekson ai.

Repriza e radhës e cila mbahet sonte në TKK, nuk do të jetë e njëjtë me premierën. Në fakt, të gjitha reprizat do të jenë vazhdimësi e kërkimeve të Kerkezit.

“Është proces, është kërkim deri në shfaqjen e fundit”, thotë ai.

Kerkezi shton më tej se ka pasur shumë mundime kur është përballur me refuzimin e Ministrisë së Kulturës për t’ia ndarë buxhetin. Regjisorin e ka thirr edhe Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-ës, për ta sqaruar kontratën e tij, gjë që nuk ka qenë i detyruar ta bëjë.

“Unë kam qenë në mes. Kam menaxhuar situatën ndërmjet menaxhmentit të Teatrit dhe Ministrisë. Kam shkuar te Sekretari, sepse doja më të mirën për këtë shfaqje. Por, besoni se edhe ata nuk kanë pas faj. Ka pas shfaqje që kanë kushtuar 120 mijë euro, e nuk i ka sjellë TKK-së as dymijë euro bileta”, deklaron Kerkezi.

Atij i është kërkuar që t’i heq 500 euro nga kontrata pesëmijë euroshe, për ta zvogëluar koston e shfaqjes, siç kishte kërkuar MKRS-ja. Regjisori që jeton me qira në Prishtinë, në një banesë 50 metra katrorë, thotë se do ta bënte shfaqjen edhe pa para. Honorari i tij i cili i paguhet 60 për qind pas premierës dhe të tjerat pas një viti, i bie rreth 180 euro për muaj. Ndërkaq, TKK-ja nga 300 biletat që i ka shitur të mërkurën, ka fituar 1500 euro.

“Unë vuaj për ta thënë të vërtetën. Unë besoj në pafundësinë e gjashtë personazheve, sepse gjithmonë ka me pasë pyetje dhe kërkesa në shoqërinë tonë dhe besoj se periudha e frikës sonë ka me zgjatë. Atë ditë kur nuk jepet shfaqja, ne e kemi arritur qëllimin. Por, ndoshta do të vazhdoj të jepet për shumë kohë”, thotë ai.

Me këtë pikëpamje idealiste që e ka, është i vetëdijshëm se nuk do të mund t’i edukojë fëmijët në frymën e tij. Kjo sepse Kerkezi konsideron se gjeneratat e reja janë lakmitare.

“Ata duan me ngrënë e me pi, sepse i shohin milionerët, hajnat dhe lakmojnë. Unë nuk lakmoj”, shton regjisori.

Pas premierës, në natën e së mërkurës nga Kerkezi u dëgjua vetëm një “bravo” kumbuese dhe më pas nuk u duk asgjëkund. Nuk doli para publikut, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim regjisorët, e as nuk ndejti për t’i pranuar urimet nga të pranishmit. Këtë veprim e sqaron me pak fjalë.

“Unë nuk jam regjisor, unë jam krijesë dhe krijues”, përfundoi Kerkezi. /Bujar Vitija/Tribuna/