LAJMI I FUNDIT:

Telekomi i Serbisë me 30 antena në Kosovë

Telekomi i Serbisë me 30 antena në Kosovë

Nëse edhe një serb jeton në njërën nga komunat e Kosovës aty do të vendoset një antenë e Telekomit të Serbisë. Në bazë të këtij parimi që del si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, Telekomi i Serbisë do të jetë i shtrirë në tërë territorin e Kosovës.

Sipas vendimeve të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, që ka siguruar Gazeta Fjala, ky operator do të jetë prezentë në gjithsej 30 lokacione të Kosovë. Përveç komunave serbe, antenat e MTS-së do të vendosen edhe në komuna me shumicë shqiptare siç janë Peja, Deçani dhe Ferizaj.


Po ashtu, operatorit serb do t’i ndahen 60 mijë numra mobilë, si dhe 74 mijë numra fiks. Kjo sasi e numrave, 60 mijë numra janë të telefonisë mobile, të cilat nisin nga 047/100-000 deri në 159 999.

Këta numra do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie.

Njohësit e telekomunikacionit thonë se licenca që iu dha operatorit serb nga ARKEP është unike në rajon dhe Evropë. Sipas tyre bëhet fjalë për licencë në baza etnike, dhe që derivon nga një marrëveshje politike, derisa për drejtuesit e ARKEP kësaj licence i kanë paraprirë një mori vendimesh të marra në Kuvend dhe nga Qeveria e Kosovës.

Antenat e MTS-së do të vendosen në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Zupçe, Zveçan, Zveçan i Vogël, Kurillë, Verbovc, Joshanicë, Banjskë, Leshak, Leposaviq, në Manastirin Sokolica, në Manastirin e Deviçit, te Patriarkana e Pejës, në Deçan (Manastiri i Deçanit), Hoçë e Madhe, Graçanicë, Ranillug, Shillovë, Budrigë e Poshtme, Shtërpcë dhe Brezovicë.

Në bazë të vendimit shihet se në regjionin e Prishtinës MTS-ja do të kenë në shfrytëzim 14 mijë numra fiks, në regjionin e Mitrovicës do t’i ketë 46 mijë numra fiks, në regjionin e Ferizajt 6 mijë numra fiks, në atë të Gjilanit do t’i ketë 8 mijë numra fiks.

Licencë në baza etnike

Ish-drejtori i ART-së, Anton Berisha, thotë se qytetarët po mashtrohen nga institucionet sa i përket kësaj licence. E para kur thuhet që është licencë e përkohshme dhe e kufizuar në shtrirje.

“Kjo licencë nga e përkohshme do të bëhet e përhershme. Po ashtu po mashtrojnë kur po thonë që numrat janë të kufizuar. Kështu fillon njëherë”, ka thënë Berisha për Gazetën Fjala.

Sipas Berishës shkelje tjetër është shmangja e ARKEP-it nga kriteret e Ligjit për Shërbime Elektronike me rastin e dhënies se një licence. Kriter kryesor në bazë të këtij ligji kur një operator futet në Kosovës, është tenderi publik.

“Kjo nuk ka ndodhur me operatorin serb. Atij i është falur licenca nga një marrëveshje e Brukselit e cila nuk është marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshjet e arritura në Bruksel janë vetëm marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Berisha.

Në bazë të Ligjit për Komunikime Elektronike, Berisha thotë se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore e cila thotë se një operatori mund t’i jipet licenca, pa tender të hapur, vetëm si derivat i një marrëveshjeje.

Në fakt, sipas nenit 48 të këtij Ligji, janë tri raste kur një operatori ARKEP mund t’ia jap licencën. “Autoriteti do t’i japë resurset e komunikimeve elektronike: 1. Drejtpërdrejt personit që i kërkon ato; nëpërmjet tenderit; nëpërmjet ankandit”, thuhet në këtë Ligj.

ARKEP: Licenca u dha në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare

Por Drejtori i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, sqaron se kjo licencë është krejtësisht derivat i Marrëveshjes se Telekomunikacionit në mes Kosovës dhe Serbisë e vitit 2013 dhe si e tillë trajtohet si marrëveshje ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje parasheh dhënien e një autorizimi të përkohshëm dhe të kufizuar në infrastrukturë, përkatësisht operim të një ndërmarrje të re, e regjistruar sipas Ligjeve të Kosovës për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile. Po ashtu kjo marrëveshje ka paraparë edhe dhënien e një autorizimi për ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse.

Prandaj Gashi thotë se licenca operatorit serb MTS i është dhënë në përputhje me obligimet e dala nga Marrëveshja e Telekomunikacionit si dhe në pajtueshmëri me kornizën rregullatore.

Por këtij vendimi sipas tij i kanë paraprirë edhe një mori aktesh tjera ligjore të marra nga institucionet.

“Vendimit të AKREP i kanë paraprirë edhe një varg vendimesh tjera siç janë: Ligji nr. 04/L-199 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Marrëveshjen për Telekomunkacionin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të aprovuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 03/148 të datës 11.09.2013, Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/70 të datës 15 Janar 2016 i cili udhëzon ARKEP të ndajë numeracionin dhe frekuencat e nevojshme për këtë kompani në bazë të marrëveshje, konkluzionet e takimit të fundit të Brukselit si edhe një varg aktesh nën-ligjore”.

Madje Gashi thotë se autorizimet e lëshuara nga ARKEP janë të bazuara plotësisht edhe në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe Marrëveshjen e Telekomunikacionit, e cila është marrëveshje ndërkombëtare.

“Për informimin e juaj, ndër të tjera neni 9 i LKE ndër të tjera specifikon se ARKEP ushtron funksionet në përputhje me Ligjin dhe me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e komunikimeve elektronike, e po ashtu neni 46 që përcakton bazat e ndarjes dhe shfrytëzimit të resurseve të komunikimeve elektronike, në paragrafin 6, e mundëson ndarjen e radio-frekuencave bazuar në një marrëveshje ndërkombëtare. Poshtu ju njoftojmë se për nxjerrjen e vendimeve në fjalë ARKEP, bazuar në obligimet ligjore të Republikës së Kosovës ka marrë edhe një vendim paraprak që për rastin në fjalë ta dërgojë vendimin tjetër të ARKEP me numër 452”.

Gashi mohon se ndërmarrja “MTS” DOO mund të kualifikohet si operator i tretë i telefonisë mobile, pasi që është i kufizuar në operim, përkatësisht infrastrukturë, ashtu siç e specifikon edhe marrëveshja e telekomunikacionit. /Gazeta Fjala/Telegrafi/