LAJMI I FUNDIT:

STREHA E FSHEHTË

STREHA E FSHEHTË

Nga: Juan José Saer
Përktheu: Bajram Karabolli

Një shitës mobiliesh që sapo kishte blerë një kolltuk të përdorur, zbuloi se një nga ish-pronarët e tij kishte fshehur ditarin personal, në një vrimë në pjesën e pasme të kolltukut. Kushedi për çfarë arsye – vdekje, harresë, ikje e nxituar, pagesë – ditari ishte lënë atje dhe tregtari, një ekspert në ndërtimin e mobilieve, e kishte gjetur rastësisht duke kontrolluar shpinën e kolltukut, për të provuar qëndrueshmërinë e tij.


Atë ditë ai qëndroi vonë në dyqanin e mbushur me krevate, karrige, tavolina dhe gardëroba, i përkulur mbi tavolinë, në dhomën e pasme, duke lexuar atë ditar privat, nën dritën e llambës. Ditari zbulonte çdo ditë problemet sentimentale të autores së tij dhe shitësi i mobilieve, i cili ishte një burrë inteligjent dhe i matur, e kuptoi menjëherë se ajo grua kishte jetuar duke fshehur personalitetin e saj të vërtetë dhe se në një rast të paimagjinueshëm, ai e njihte shumë më mirë se njerëzit që kishin jetuar me të dhe që përmendeshin në ditar.

Pasi e lexoi ditarin, tregtari i mobilieve mbeti i zhytur në mendime. Për një kohë të gjatë, ideja se dikush mund të mbante diçka të fshehur në shtëpinë e tij, në një vend të sigurt – një ditar apo çfarëdo tjetër – i dukej e çuditshme, pothuajse e pamundur. Kjo gjë nuk i hiqej nga mendja, derisa pak minuta më vonë, në momentin kur u ngrit dhe filloi për të rregulluar tavolinën, para se të shkonte në shtëpi, e kuptoi, jo pa habi, se edhe ai vetë, diku, kishte gjëra të fshehura që askush të mos e dinte se ekzistonin. Kështu, për shembull, në shtëpinë e tij, në papafingo, në një kuti teneqeje të maskuar, mes revistash të vjetra dhe mbeturinash të kota, tregtari i mobilieve kishte fshehur një dëng me kartëmonedha, të cilat, herë pas here, i shtonte, ndërkohë që as gruaja dhe as fëmijët nuk dinin gjë. Shitësi i mobilieve nuk mund të thoshte me saktësi se për çfarë qëllimi i fshihte ato para, por, pak nga pak, e pushtoi ndjenjë e bezdisshme se e gjithë jeta e tij nuk varej nga aktivitetet e tij të përditshme, të kryera në dritën e ditës, por nga ai dëng me para të fshehura në papafingo. Dhe se, nga të gjitha veprimet, pa dyshim, themelori ishte që, herë pas here, t’i shtonte një kartëmonedhë atij dengu të mykur.

Teksa ndizte fenerin që mbushte mjedisin e errët me një dritë vjollce, tregtarin e mobilieve e sulmoi një tjetër kujtim: duke kërkuar një mprehëse lapsash në dhomën e djalit të tij të madh, ai, rastësisht, kishte gjetur një seri fotografish pornografike që i biri i kishte fshehur në sirtarin e komodinës. Tregtari i mobilieve i kishte futur, menjëherë, në vendin e tyre, jo nga frika, por nga turpi se i biri do të mendonte për zakonin e keq të tij, për të rrëmuar gjërat e të tjerëve. Gjatë darkës, shitësi i mobilieve po vëzhgonte gruan e tij: për herë të parë, në tridhjetë vjet, i lindi ideja që edhe ajo duhet të mbante diçka të fshehur, diçka aq personale dhe aq thellë të varrosur, saqë asnjë torturë nuk mund ta bënte ta rrëfente. Dhe, shitësi i mobilieve ndjeu një marramendje të panjohur. Nuk ishte frika banale nga ndonjë tradhti apo mashtrim që e bënte ta rrotullonte kokën sikur ta kishte mbushur me verë që fryhet, por bindja se, pikërisht kur ishte në prag të pleqërisë, ndoshta do të detyrohej të ndryshonte idetë dhe parimet më elementare që përbënin jetën e tij. Ose si e kishte shkuar dhe vlerësuar jetën e tij: sepse jeta e tij, jeta e tij e vërtetë, sipas intuitës së re, po zhvillohej diku, në errësirë, fshehur në strehën e ngjarjeve, ku ishte më e paarritshme se periferitë e universit.