LAJMI I FUNDIT:

Sistemi dhe përkthimi

Sistemi dhe përkthimi

Nga: Gazmend Krasniqi

Meqë për objektin e historisë letrare problemi kryesor është gjuha në të cilën shkruhet poezia, edhe pse krijuesi mund t’i përkasë kombësisë shqiptare, një vepër që nuk është shkruar në shqip, përjashtohet prej tij. Meqë në dallimin midis gjuhës dhe autorësisë fiton e para, një problem tjetër për objektin e historisë letrare paraqesin përkthimet, sepse ndikimi i tyre në formimin artistik të krijuesve nuk është aspak më i vogël se ndikimi i veprave të autorëve vendas. Një poezi e përkthyer në shqip, sidomos kur ka ardhur me një organizim të theksuar gjuhësor, bën jetën e vet brenda kulturës kombëtare: e pasuron atë me mjete shprehëse e të efektshme.


Është e njohur se shumë letërsi kanë nisur me përkthime. Në ardhjet e para poetike shqipe kemi shumë përkthime – pjesët nga Kënga e Këngëve te Buzuku, vargjet nga Matrënga etj. Për të mos folur, në kohët e vona për përkthimet e Mjedjes, Nolit, Poradecit e me radhë. Për më tepër, edhe në kulturat e mëdha, çdo valë e re poetike stimulohet nga përkthimet.  Poezia shqipe, përveç kontaktit me artin oral, është zhvilluar nga kontaktet që ka pasur me poezinë e gjuhëve të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, prandaj, që herët, nga poetët e teoricienët u pa e nevojshme që disiplinat retorike e stilistike të përpunuara në kulturat e mëdha të natyralizoheshin edhe në kulturën tonë letrare.

Që në veprën e njohur Vargenimi n’gjuhë shqype (1906) Luigj Gurakuqi shkruan: Për me ba qi vjersha shqipe t’përparojë për ditë e ma tepër e t’i përgjigjet, jo vetëm me mënime e me ide, por edhe me trajtë t’përjashtme, kërkimeve e nevojave t’mjeshtëris, u vuna e shkrova disa vremje e rregulla përmi masë e t’përmbledhun t’vargjeve, qi janë, si me thanë, vesha e stolija e vjershës, t’cilat po ia u ve sot përpara shkrimtarëve t’ynë.

Këtë shqetësim, pra raportin e përvojave të huaja me poezinë shqipe, e ka edhe Hilë Mosi kur shkruan: …me u ba, qi ato me dalë edhe ma të bukura e të dejshme me u quejt vjersha, po qes ktu disa shënime të cilat shpresoj se shqyptarëve e sidomos vjershtarve të rij kan’ me u vjeft”.  Vetëdija se këto përvoja duhet t’u nënshtrohen cilësive të gjuhës shqipe, del te Asdreni, kur shkruan: …sot poezia mori një sulm dhe i këputi vargonjtë që e mbanin të shtrënguar në një formë por megjithëkëtë prapëseprapë rregulli i poetikës lypset mbajtur medoemos, simbas prosodies së çdo gjuhe, që t’i përshtatet sa më mirë edhe traditës së saj”.

Për të diskutuar për mënyrën se si ushqehet një kulturë nga përkthimi, mund të na shërbejnë disa përcaktime të njohura të formave të përkthimit.

Përcaktim:

Përkthimi fonetik -përpiqet të rikrijojë tingujt e gjuhës së burimit në gjuhën që përkthehet. Në të njëjtën kohë, përkthyesi përpiqet të transferojë edhe kuptimin. Në përgjithësi, rezultati tingëllon jo optimal dhe nganjëherë mund të humbasë disa pjesë të kuptimit të origjinalit.

Diskutim:

Ky përkthim zgjon vëmendjen për probleme reale të krijimit të poezisë, duke i mëshuar idesë së rëndësisë së organizimit tingëllor në poezi, për të arritur vlera të qëndrueshme nga pikëpamja fonike. Një poezi të tillë e kanë krijuar me sukses Jul Variboba, Naim Frashëri, Ndre Mjedja, Ali Asllani, Noli, Poradeci etj. Krijimet e tyre e tejkalojnë ndikimin e pikëpamjes fonike nga folklori, duke na ngjallur diskutime për raportin me poezitë e lexuara apo përkthyera nga gjuhët që njihnin.

Përcaktim:

Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm) – nuk ka aftësinë të transferojë kuptimin e origjinalit. Fraza dhe struktura e fjalisë priren të humbasin në gjuhën që përkthehet.

Diskutim:

Në këtë mënyrë përkthimi do ta pranonim vetëm ndonjë ndikim të cekët, për sa i përket njohjes së poezisë së një vendi tjetër, më tepër nga pikëpamja e përmbajtjes dhe tematikës. Prej kësaj forme përkthimi mund të mësojnë vetëm ata që mund të shikojnë përtej asaj që duket: poetët me njohje të thellë të retorikës e stilistikës së përgjithshme.

Përcaktim:

Përkthimi metrik – i mëshon riprodhimit të metrit të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Ngaqë çdo gjuhë ka theksa dhe shqiptim të veçantë, kjo metodë do të rezultojë në një përkthim të përafërt në pikëpamje të kuptimit dhe strukturës.

Diskutim:

Do ta pranonim si një kontribut nga pikëpamja ushtrimore, e pasurimit ose e stabilizimit të formave të caktuara poetike, sidomos kur kjo punë bie në dorë të mjeshtërve. Bien në sy shqipërimet e Fan Nolit, por edhe të të tjerëve – si Ndre Mjedja e Lasgush Poradeci. Nga kjo formë përkthimi poezia shqipe ka konsoliduar larminë e madhe të vargjeve apo modeleve të pashlyeshme të tyre, si atë rubaian të Nolit,  njëmbëdhjetërrokëshin e zgjidhur të futur nga Xanoni dhe të kultivuar nga Thaçi e Fishta. Duhet të kujtojmë se ky lloj përkthimi kërkon shumë punë e talent. Për këtë natyrë pune me vargun, në një shkrim që i drejtohet shkrimtarëve të rinj, Lazër Shantoja citon fjalët e francezit Theophile Gautier se duhet ushtruar me pesëdhjetë mijë vargje përpara se të botohet një.  Rexhep Ismajli pranon për Nolin se: Përkthimet e tij më të mira në të vërtetë janë rikrijime, e pikërisht për këtë shkak edhe më të suksesshmet në kulturën tonë, por vazhdon se: Pohimi i Qosjes: “Të gjithë shkrimtarët që i ka përkthyer i janë përkulur vullnetit të tij të çelniktë dhe kanë folur shqip gati poashtu bukur, siç kanë folur edhe në gjuhët e tyre origjinale” ose pyetja e Shuteriqit: “Në cilën gjuhë Shekspiri foli më bukur, pas anglishtes”?, mund të jenë vetëm pasojë e entuziazmit, e pamaturisë dhe e mosnjohjes së çështjes, e kurrsesi jo e studimit të thelluar.

Natyrisht, meriton të kujtojmë se çfarë mendonte vetë Noli për problemin në fjalë. Ai i thotë një përkthyesi të ri: Merri me vete këto dy vargje dhe mendohu gjithë ditën, ngado që të vesh: në hotel, në tren, në dyshek, në rrugë, veç ki mendjen se mos të shtyp ndonjë automobil, se unë kam shpëtuar disa herë për qime.  Dhe shton se mësuesit e tij qenë artistët e mëdhenj që ka përkthyer. Këta artistë quheshin: Shakespeare, E.A.Poe, Omar Khajam etj. Përkthyer më thjesht, Noli thotë: duhet një punë e pafund.

Kujtojmë se nga ky përkthim dalin krijimet më jetëgjata, të cilat arrijnë të bëjnë pjesë në prodhimin letrar të shqipes.

Përcaktim:

Përkthimi në prozë – gjithashtu ka disa dobësi. Dobësia më e theksuar është humbja e bukurisë së origjinalit.

Diskutim:

Paul Valery shprehet se sa më shumë është një krijim në përputhje me Poezinë, aq më pak mund të mendohet në prozë pa humbje. Të rimarrësh, të rishkruash në prozë një poemë, do të thotë fare thjesht të mos njohësh thelbin e një arti. Domosdoshmëria poetike është e pandarë nga forma e ndjeshme, ndërsa mendimet e shprehura a të sugjeruara nga një tekst poetik nuk janë aspak objekti unik e kryesor i diskursit – por i mjeteve që konkurrojnë përkrah tingujve, kadencave, numrit e zbukurimeve, për të mbështetur, për të arritur njëfarë tensioni apo galdimi, për të krijuar te ne një botë – ose një botë të ekzistencës – kryekreje harmonike.

Përkthimet e bëra nga Faik Konica, sipas shkollës franceze, nuk kanë gjetur ndikim. Kjo mënyrë përkthimi, mbase, do të jetë një kërkesë e së ardhmes, kur të rrihen më në thellësi problemet e krijimit të poezisë, siç e tregon përvoja franceze, ose kur të gjykohen si të shterura ose të pamjaftueshme format e tjera të përkthimit.

Kjo mënyrë përkthimi tërheq vëmendjen për qëndrime të thella e serioze ndaj poezisë, por shpërbërja e strukturës ligjërimore mbetet problemi kyç.

Sidoqoftë, ky është problem i stadit të një kulture të caktuar, sepse Vedat Kokona shprehet: Pas përpjekjeve që janë bërë në Francë për të përkthyer poetët e huaj në vargje të gjuhës amtare, kanë arritur në përfundimin se këto vepra të mëdha poetike duhen përkthyer në prozë poetike. Kështu Joseph Bédier përktheu në prozë “Këngën e Rolandit” (në vargje në frëngjishten e vjetër) dhe Victor Bérard “Odisenë” e Homerit. Të dyja përkthimet janë të mrekullueshme.

Përcaktim:

Përkthimi rimik – i mëshon përcjelljes së rimave të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Rezultati do të jetë përafërsia në dukje, por humbja në semantikë.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, pasi shumë përkthime të derimësotme mund të kërkojnë variante të tjera përkthimi, duke treguar se një kohë ka një nivel dhe një pritje të caktuar për poezinë. Por në duart e mjeshtërve kjo mënyrë përkthimi mund të shënojë edhe suksese. Kur shkruan një recension për botimin e librit të Nolit Mall e brengë, Kuteli thotë: Për strofën:

Thuaj yjtë s’janë zjarr,

Thuja dielli u shua,

Thuaj jeta është varr,

Por mos thuaj që s’të dua.

Duhej kujtuar shqipërimi i gjith atij teksti i bërë në prozë, prej Konicës: Ki dyshim se yjtë janë zjarr; ki dyshim se djelli tundet; ki dyshim se e vërteta është gënjeshtër; por kurrë mos ki dyshim se të dua.

Pa fjalë se ky i fundit është më i përpiktë se i pari, po Noli e fiton luftën me sulmin e ritmit e të rimës së vet.

Si sukses shihet edhe përkthimi nolian i rubairave khajamiane. Arshi Pipa shprehet: “Rubaitë e Khajamit” kanë tashma nji vepër thuajse shqiptare nëpërmjet përkthimit magjistral të Nolit, kaq thellë kanë hy në popull, kaq bukur janë janë përshtatë me natyrën e gjuhës shqipe. “Rubaitë e Nolit” (me të drejtë mund t’i quajmë me kët emër) kan hy përgjithmonë në trupin e letërsis sonë.

Një opinion tjetër për rastin e rubairave noliane thotë: Në rrugën e përkthimit të lirë, Noli udhëhiqej me sa duket nga parimi i njohur se është më mirë të kesh një zog të gjallë se një shqiponjë të ngordhur, pra, nuk ka çfarë vlen një përkthim besnik por pa shpirt e pa gjallëri poetike.

Dihet se kur i lexoi albanologu Norbert Jokli rubairat noliane u shpreh se nuk dinte nëse këtyre përkthimeve ia kalonin ato të gjermanishtes e spanjishtes, që janë përkthime të dorës së parë. Nuk mund të ngremë hipoteza se sa do të qenë të famshme rubaitë e Khajamit, nëse do të kishim të bënim me së pari jo me ato të Nolit, po me ato të Hafiz Ali Korçës, tashti që jemi mësuar me të kundërtën. Është e ditur se ky i fundit i përktheu rubaitë për të vënë në vend nderin e tyre të humbur nga përkthimi i Nolit, i cili nuk i kishte përkthyer nga origjinali dhe nuk u kishte ndenjur besnik koncepteve religjioze. Nga disa pikëpamje, përkthimin e rubaisë së mëposhtme, të zgjidhur me një 12-rrokësh me cezurë, mund ta quajmë të mirë:

Zere se e kreve jetën pas dëshirës, fundi çë?

Zere se i shkove në fundit së mirës, fundi çë?

Zere se e kape qindin si pas qejfit, fundi çë?

Dhe një qint të tjera ta zëmë pas hires, fundi çë?

Mirëpo 11-rrokëshi nolian, i pasuruar me disa përftesa stilistikore, shumë muzikale, na godet me një poetikë që duhet të përbëjë suksesin e këtyre përkthimeve.

Ja, sot gas paske dhe shëndet, pastaj?

Ja, mot të paçim si sivjet, pastaj?

Ja, qofsh i lumtur një qind vjet, pastaj?

Ja, për çudi dy qind si mbret, pastaj?

Kjo na çon në idenë se, nëse në anglisht këto rubai janë quajtur me emrin FitzOmar, në shqip do të kishim formën FanFitzKhajam.

Përcaktim:

Përkthimi në varg të lirë – injoron rimën dhe metrin, por fizikisht fitohet një pamje e ndryshme nga origjinali, si dhe ruhet semantika.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, të cilat, po të shikojmë me kujdes, mund t’i konstatojmë me lehtësi. Edhe në kulturat e mëdha, si për shembull në Italinë e Salvatore Quasimodo-s është folur për një të ashtuquajtur “poezi përkthimi”, sepse kjo lloj poezie më tepër të kujton përkthimin se sa parametrat e paravendosur të një poetike të njohur për një gjuhë të caktuar. Qysh me përkthimin e librit Fijet e barit të Walt Whitman-it letërsia shqipe është e përmbytur nga kjo “poezi përkthimi”, e cila pasuron me një botë idesh të reja, por shkakton dëme të mëdha nga pikëpamja e mishërimit formalo-strukturor të një poezie. Pasojat ndjehen edhe sot dhe, me sa duket, duhet kohë që të korrigjohen.

Përcaktim:

Interpretimi – përbëhet prej dy llojesh: varianti dhe imitimi. Në gjuhën që përkthehet, varianti i një poezie do të jetë semantikisht i njëjtë me atë të origjinalit, por do të ndryshojë në dukje. Në gjuhën që përkthehet, imitimi i një poezie do të jetë një poezi ndryshe, ndërsa titulli, tema dhe pika e nisjes do të jenë të njëjta me ato të origjinalit.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, arsyeja e të cilave është humbja e strukturës ligjërimore të origjinalit, gjë që mbetet për t’u theksuar. Njëkohësisht, ky lloj përkthimi e pasuron prodhimin letrar marrës me struktura të reja në raport me prodhimin letrar dhënës. Kur poeti amerikan Robert Lowell i quan përkthimet e veta “imitime”, gjë që e vë që në titull të librit, do që të tregojë raportin e veçantë me origjinalet.

Se cila nga këto marrëdhënie tekstore, të cilat bashkëjetojnë mes tyre, është e duhura, e domosdoshmja, më ndikuesja për letrat shqipe, do ta tregojë koha, përderisa ajo i pranon të gjitha, por ne mund të dallojmë edhe hierarkinë e tyre nëse përcaktojmë qasjen. Mjedja na tregon historinë e përkthyesit italian të Iliadës, Vincezo Monti, i cili e bëri punën pa gramatikë greqishteje, pra nuk e njihte gjuhën, por ky poet i madh lexoi përkthimet në gjuhë të tjera, studioi interpretimet e vërejtjet e gramatikanëve dhe arriti t’i kalonte përkthyesit e tjerë. Konceptin e Mjedjes për përkthimin mund ta kuptojmë më mirë po të kemi parasysh përkthimin e poezisë së Goethe-s, Mbreti i Tules. Krahasimi i këtij përkthimi me disa të tjerë që i janë bërë kësaj poezie në gjuhën shqipe flet për vlera të padiskutueshme dhe hap diskutime serioze për përkthimin dhe poezinë në përgjithësi.

Mjedja është në linjën e poetit amerikan Kenneth Rexroth, autor i punimit Poeti si përkthyes (1959), i cili thotë se cilësi themelore e një përkthyesi të përsosur nuk është aftësia për të përshtatur fjalët e gjuhës së vet me ato të origjinalit, por mbartja e shprehjes së tij në shprehjen e vet.  Rexroth, por edhe Milosh, që e citon atë, përmendin emrat e disa poetëve që njihnin pak ose aspak gjuhën e origjinalit, megjithatë sollën përkthime shumë të suksesshme në gjuhën e vet. Emrat e tyre janë Pound, Hart Crane, disa nga më të shquarit e poezisë amerikane të shekullit XX. Pound, siç dihet, bëri disa përshtatje të paharrueshme nga poezia klasike kineze, pa e njohur gjuhën origjinale, megjithatë kjo nuk i pengon botuesit që t’ia rreshtojnë në korpusin e krijimtarisë origjinale, ndërsa antologjia 300 poezi nga epoka e Tang-ut. Përkthime të reja, vepër e dyzet shkencëtarëve e profesorëve quhet e pa arritur pikërisht ngaqë ata nuk qenë poetë.

Nëse do të kishim përcaktimin se çdo përkthyes duhet ta ndjenjë veten në marrëdhënie me dy skaje – i pari, përkthimi i përputhur, që respekton sa të jetë e mundur më shumë karakterin e huaj të tekstit burimor, punë që mund të vejë deri në transkriptimin e pastër dhe të thjeshtë të origjinalit – i dyti, përkthimi dinamik që synon ta përfshijë sa më shumë tekstin e përkthyer brenda traditës së sistemit të pritjes  – në grupin e parë do të fusnim: Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm); Përkthimi në prozë; Përkthimi në varg të lirë; Interpretimi, ndërsa në grupin e dytë do të fusnim: Përkthimi fonetik; Përkthimi metrik; Përkthimi rimik.

Nëse ka tri situata në të cilat përkthehet letërsi që do të mbajë një pozitë kryesore: kur një letërsi marrëse është e re apo në proces formimi; kur një letërsi marrëse është e dobët apo periferike; kur një letërsi marrëse po përballet me një krizë, në dy rastet e para përkthimet luajnë një rol të rëndësishëm, për shkak se gjuha e letërsisë është e pamjaftueshme për të shprehur gamën e gjerë të përvojave në botën bashkëkohore. Shumë shpesh këto përkthime japin shembuj të veprave që janë të ndryshme nga norma, nga motivimi i gjuhës marrëse për të eksperimentuar me zhanret e veprave të përkthyera. por rasti është i ndryshëm në letërsi të ndryshme. Mund të ketë raste kur letërsia e një gjuhe ngec, sepse i mungon gjaku i freskët për ta forcuar atë dhe përkthimet mund t’i sigurojnë perspektiva krejtësisht të tjera. Me përkthimet nga gjuha kineze Ezra Pound-i hapi në SHBA rrugën për lëvizjen letrare të njohur si Imazhinizmi. Megjithatë, përkthimet zënë pozicion dytësor në tradita të forta letrare, si në frëngjisht, për shembull.

Nëse gjuhës marrëse i mungojnë forma të caktuara, stile apo zhanre, atëherë është e mundshme për ta mbushur atë hapësirë boshe përmes përkthimeve (në varësi të faktit nëse pozicioni i tij në kulturën marrëse është qendror ose periferik). Në qoftë se ai zë një pozitë qendrore, atëherë përkthimi do të përshëndetet si një tekst origjinal. Nëse qëllimi i përkthimit është për të futur diçka të re për kulturën marrëse, përkthimi do të mbajë cilësitë e origjinalit. Kjo mund të rezultojë diçka e tjetërsuar për lexuesit, të cilët nuk ndjehen mirë me një formë të re apo ide radikale, por mbetet fakt se përkthimi do të ketë ndryshuar perceptimet e kulturës marrëse ndaj një vepre letrare.

Nëse përkthimi është në një pozitë sekondare, pamja ndryshon. Këtu do të jetë përpjekja për t’u përshtatur në një ekzistues model, në vend që të vendoset diçka e re. Kjo ndodh për shkak se kultura marrëse është mjaft e fortë për të dhe nuk do të inkurajojë eksperimentimin në formë apo në mendim. Përkthimet që konsiderohen si periferike, në anën tjetër, do të duhet të “zbuten” duke u bërë më shumë si kultura marrëse dhe natyrisht nuk do të kenë cilësinë e të qenit besnik ndaj origjinalit.

Në hyrje të përkthimit që i bën poezisë “Skënderbeu” të Longfellow-t, Noli thotë se kthimi i një vjershe nga një gjuhë në një tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundshme, megjithatë, ai provon disa herë përpara kësaj të “pamundshmeje”, përveç të tjerash edhe me Korbin e E.A.Poe. A është ky përkthim i Fan Nolit një fakt i poezisë origjinale, që bën jetën e vet në prodhimin letrar të shqipes, dhe jo i kopjimit të zbehtë të origjinalit? Trajtimi i albanologes ruse M.V. Domosileckaja (Peterburg) “Fan Noli si përkthyes i poezisë së E.A. Po-së”,  na drejton në idenë se Noli është bazuar kryesisht në dy parime kryesore:

Përpikmërinë e përkthimit (në fushën e ritmit, të metrit, të sintaksës);

Drejtshmërinë e përkthimit (shfrytëzimi i kompensimit dhe i analogjive në të gjitha nivelet e gjuhës poetike).

Me këtë trajtesë, studiuesja na ndihmon të arrijmë në përfundimin se shqipëruesi nuk e neutralizon mënyrën artistike të autorit dhe, për me tepër, krijon me një stil të veçantë një vepër që pasuron poezinë marrëse, në rastin konkret poezinë shqipe.  Në këtë mënyrë kuptojmë se pse shpesh, nëpër antologji të ndryshme, përkthimi i poezisë “Korbi” përfaqëson Nolin si poet.  Është e njohur se niveli i poezive origjinale te Noli rritet shumë pas përkthimit të “Korbit” të Poes (1919), pasi mjeshtëria e vargut dhe cilësi të tjera stilistike, që ai i përfton gjatë këtij përkthimi, do ta përcaktojnë krijimtarinë e tij origjinale në të ardhmen.

Si përfundim, nëse marrim në konsideratë edhe kur ndodhi ky lloj përkthimi: pra kur një letërsi është e re apo në proces formimi, kur një letërsi është e dobët apo periferike dhe kur një letërsi po përballet me një krizë, dhe të dalim në mendimin se në ç’fazë ndodhej poezia shqipe në vitin 1909, ky përkthim është shumë i rëndësishëm edhe për poezinë shqipe në përgjithësi.

Letërsia shqipe po përballej me befasimet e modernitetit dhe fati i saj qenë përkthyesit – poetë, sepse përndryshe asaj do t’i mungonin disa vlera, të cilat sot realisht i ka. /Revista “Palimpsest”/