LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, bankat për katërmuaj fituan 1.5 miliard lekë

Shqipëri, bankat për katërmuaj fituan 1.5 miliard lekë

Sistemi bankar e mbylli katërmujorin e parë të vitit 2011 me një fitim prej 1.5 miliard lekësh. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, fitimet e sistemit bankar shqiptar paraqiten më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.

Për të njëjtën periudhë të vitit 2010, sistemi bankar regjistronte një fitim prej 2.3 miliardë lekësh. Treguesi i kthimit nga kapitali, që mat fitimin në raport me kapitalin aksioner të sistemit, ra në 4.9 për qind, nga 7.9 për qind që ishte një vit më parë.

Faktori kryesor që ka tkurrur fitimet e bankave vazhdojnë të jenë kreditë me probleme, që për muajin prill shënuan përsëri një rritje. Në fund të muajit prill, përqindja e kredive me probleme arriti në 15.2 për qind, nga 11.7 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 14.7 për qind që ishte në fund të muajit mars të këtij viti.

Kreditë e këqija janë bërë një problem mjaft i mprehtë dhe kjo natyrshëm ka rritur edhe rastet kur bankat i drejtohen gjykatës për të kërkuar ekzekutimin e garancive. /Telegrafi/