LAJMI I FUNDIT:

I vazhdohet paraburgimi Haxhi Shalës

I vazhdohet paraburgimi Haxhi Shalës

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së tregoi për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, duke njoftuar se iu është vazhduar paraburgimi Haxhi Shalës.

Sipas Doyle, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Shalën duke konstatuar se ekziston rreziku i arratisjes si dhe ai mund të pengojë ecurinë e procesit në DhSK.


“Më 9 shkurt, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Haxhi Shalës, duke konstatuar se ekziston rrezik i moderuar i arratisjes dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara, ose të kryejë vepra penale të tjera”, tha Doyle.

Në po të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle tha se me 8 shkurt është miratuar kërkesa e ZPS-së për të bashkuar çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.

“Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e Prokurorisë për të bashkuar çështjen gjyqësore kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me çështjen kundër Haxhi Shalës. Gjykatësi konstatoi se bashkimi i dy çështjeve gjyqësore do t’i shërbejë administrimit të duhur të drejtësisë”, tha Doyle.

Doyle tha se tre të akuzuarit akuzohen për të njëjtat shkelje të pretenduara të cilat bazohen në të njëjta ngjarje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të tre të akuzuarit akuzohen për të njëjtat shkelje të pretenduara (pengim të personave zyrtarë dhe frikësim gjatë procesit penal) bazuar në të njëjtat ngjarje. Konkretisht, të dyja aktakuzat pretendojnë se z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari së bashku u bashkërenduan dhe vepruan si grup për të kontaktuar një dëshmitar të mbrojtur me qëllim që ta bindnin të hiqte dorë nga pjesëmarrja në proces para Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

Po ashtu, ai tha se në po të njëjtën çështje, gjykatësi ka konstatuar se bashkimi i çështjeve gjyqësore nuk e dëmton dhe as nuk është në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve.

“Gjykatësi konstatoi gjithashtu se bashkimi i çështjeve gjyqësore nuk dëmton dhe as nuk është në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve”.

Ndërsa, në konferencën mbi ecurinë e çështjes gjyqësore të përbashkët kundër këtyre tre të akuzuarve, Doyle tha se gjyqtari dha disa urdhra në lidhje me financimin e mbrojtësve të të akuzuarve.

“Të martën, më 13 shkurt, u mbajt konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore të përbashkët kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës. Gjatë konferencës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake lëshoi disa urdhra gojorë, ndër të cilët edhe urdhra në lidhje me financimin e mbrojtësve të të akuzuarve. Pasi dëgjoi Mbrojtjen dhe Prokurorinë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi Zyrën Administrative të DHSK-së që të kontaktojë urgjentisht Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës për të marrë sqarime në lidhje me këtë aspekt dhe të raportojë deri më 20 shkurt 2024. Konferenca e ardhshme mbi ecurinë e çështjes do të caktohet në mars”, tha ai.

Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,Doyle tha se me 8 shkurt trupi gjykues ka refuzuar që ta shqyrtojë kërkesën e një personi si viktime pjesëmarrëse në proces duke konstatuar se nuk është dorëzuar në kohë.

Doyle theksoi se po të njëjtën çështje gjyqësore, trupi gjykues lëshoi vendim edhe në lidhje me masat e paraburgimit të cilat janë vendosur në dhjetor të 2023-tës.

“Më 9 shkurt, Trupi Gjykues në të njëjtën çështje gjyqësore lëshoi vendim në lidhje me masat e paraburgimit të vendosura në dhjetor për tre të akuzuar: Hashim Thaҫin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Për informacion: më 1 dhjetor 2023, Trupi Gjykues vendosi disa kufizime mbi vizitat dhe komunikimet e këtyre tre të paraburgosurve me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi Prokuroria paraqiti transkripte në të cilat dukej se të akuzuarit u treguan vizitorëve për dëshmi konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur. Megjithatë, si pjesë e vendimit në dhjetor, Gjykatësit vendosën që të mos përcaktonin kufizime për “vizitat private”, që do të thotë se vizitat speciale me bashkëshortet ose partneret dhe/ose fëmijët e të paraburgosurve do të kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

Në vendimin e 9 shkurtit, trupi gjykues kishte potencuar se në dy raste, Thaçi iu kishte treguar informacione konfidenciale dy anëtarëve të familjes së tij, ndërsa Selimi iu kishte përmendur dy palëve të paautorizuara informacione konfidenciale për dy dëshmitarë.

“…Megjithatë, Trupi Gjykues përsëri nuk vendosi kufizime për vizitat private me bashkëshortet ose partneret dhe fëmijët. Megjithëse Trupi Gjykues nuk vendosi kufizime për vizitat private, gjykatësit theksuan se “kur [..] Administratorja (ose shefi i Paraburgimit) ka informacion se ekziston rrezik i besueshëm që të zbulohet informacion gjatë një vizite, përfshirë gjatë një vizite private, Administratorja, (ose shefi i Paraburgimit që vepron në emër të saj) ka kompetencë të refuzojë vizitën dhe/ose të caktojë masa që janë proporcionale dhe të domosdoshme për trajtimin me efektivitet të rrezikut”, tha Doyle.

Ndërsa, për zhvillimet që e karakterizuan Specialen në ditën e djeshme, Doyle tha se trupi gjykues miratoi tërheqjen e avokatit kryesor të Hashim Thaçit, Gregory Keohe.

“Më 14 shkurt në të njëjtën çështje gjyqësore, Trupi Gjykues miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit, që hyn në fuqi ditën kur Administratorja e DHS-së cakton kryembrojtësin e ri për të përfaqësuar z. Thaçi”, tha ai.

Megjithatë, Doyle tregoi se pasi është marrë kërkesë nga avokatja Venkatesvari Alagendra në lidhje me emërimin e saj të mundshëm si mbrojtëse e Salih Mustafës, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka konstatuar se mund të lindë konflikt interesi nëse ajo përfaqëson Salih Mustafën krahas pozitës aktuale si mbrojtëse e Jakup Krasniqit.

“…Megjithatë, Trupi Gjykues thekson se ky vendim nuk duhet të kuptohet si shprehje e mendimit të Trupit Gjykues mbi emërimin ose jo të znj. Alagendra si mbrojtëse e z. Mustafës, sepse për këto aspekte vendos Administratorja”, tha Doyle duke njoftuar se seanca e radhës në këtë cështje gjyqësore do të mbahet të martën duke filluar nga ora 09:00.

Në trend Lajme

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në

Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në "TikTok"

Kronika e Zezë
Ahmeti, Siljanovskës: Ushtarët e UÇK-së kanë luftuar për liri, nuk kanë qenë dezertorë

Ahmeti, Siljanovskës: Ushtarët e UÇK-së kanë luftuar për liri, nuk kanë qenë dezertorë

Politikë
Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Drejtësi
Kalo në kategori