LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në një intervistë për Berliner Morgenpost (BM) tha se nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj anëtarësimit në NATO dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai, gjithashtu, akuzoi Rusinë se po mbjellë kaos në rajon dhe se i vjen keq për popullin rus.

Spajiq ka konfirmuar se Mali i Zi nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.


Në pyetjen se a do të ishte ende në gjendje Serbia të pengonte Malin e Zi që të anëtarësohet në BE, Spajiq thotë se Serbia është vendi fqinj i tyre dhe një partner i rëndësishëm tregtar.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të mbajmë marrëdhënie të mira me Serbinë. Megjithatë, ne nuk do të heqim dorë nga synimet tona strategjike, rruga jonë evropiane, anëtarësimi në NATO dhe njohja e Kosovës. Ne do të ndihmojmë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të afrohen me Evropën”, tha Spajiq.

Ipyetur se çka mendon për Vladimir Putinin, ai tha se nuk se nuk e din se cila është strategjia ruse apo çfarë hapash do të ndërmarrin në vijim.

“Megjithatë, unë mendoj se Evropa është në gjendje ta trajtojë atë më mirë se kurrë më parë. Sinqerisht, na vjen keq për popullin e Rusisë. Mali i Zi nuk është armiqësor ndaj tyre – rreth 10,000 rusë jetojnë në vendin tonë, shumica e tyre ikën nga regjimi”, tha Spajiq për BM.

Spajiq, tutje, tha se në vendin e tij ka malazezë, serbë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë dhe se Rusia është e interesuar vetëm të shkaktojë kaos.

“Rusia ka ndërhyrë shpesh dhe është përpjekur të ndërhyjë në grupet tona etnike. Për të folur pastaj për “grupet etnike të kërcënuara” – kushdo qofshin ata. Modeli është kristal i qartë: Rusia është e interesuar vetëm të shkaktojë kaos”, tha Spajiq.