LAJMI I FUNDIT:

Serbët dhe ruleti rus

Serbët dhe ruleti rus

Çdo afrim i ushtrive me prirje agresore është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për çdo shtet pa përjashtim, përfshirë këtu edhe SHBA-në si superfuqi botërore.

Përqendrimi i gjithë Ushtrisë serbe rreth vijës kufitare me Kosovën duhet të jetë shqetësim për shumë arsye. Së pari, radhitja e bazimit të Ushtrisë serbe si për nga gjerësia dhe thellësia gjeografike është radhitje pozicionale e gatishmërisë ofensive. Të gjitha njësitë janë të sistemuara nga vija kufitare në drejtim të thellësisë së territorit serb sipas destinimeve të tyre operative, duke filluar me xhandarmërinë si njësi elite, këmbësorinë e mekanizuar, artilerinë klasike, mbrojtjen kundërajrore, artilerinë raketore dhe logjistikën. Kjo radhitje në rrafshin operativ është e ndarë edhe në tri vija mësymëse të cilat komunikojnë me Kosovën, e që ata i quajnë “Moravski pravac”, “Merdarski pravac” dhe “Ibarski Pravac”. Edhe si sasi ky grumbullim përfshin pesë brigada të Ushtrisë serbe nga gjashtë që ka gjithsej ajo në organikën e saj.


Ky potencial është i mjaftueshëm për të bërë zap një territor prej 11 mijë kilometra katror dhe me një vijë kufitare prej 380 kilometrash, si dhe me një terren kryesisht të rrafshët deri në thellësi të Kosovës përgjatë tri vijave mësymëse.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, tani kemi një pozicion tjetër gjeopolitik të Kosovës dhe Ballkanit, i cili është në disfafor të pretendimeve ekspansioniste serbe. E para është prezenca e Bonstillit e cila, ndonëse tani nuk posedon kapacitete të mëdha ushtarake, ajo është një logjistikë e mirë e cila në kombinim me sistemet e paralajmërimit të hershëm mund të krijojë në afat optimal forca të nevojshme. Këtij elementi duhet shtuar edhe autostradën “Ibrahim Rugova” dhe dy aeroportet – të Kukësit dhe të Gjadrit, pistat e të cilëve përballojnë edhe aterrimin e super transportuesit C-5 Gallaksi.

Në anën tjetër, një pozicion tjetër gjeopolitik në dëm të pretendimeve hegjemoniste serbe e ka krijuar anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, Kroacisë, Bullgarisë, Rumanisë. Në rast të ndonjë rreziku të shtuar, NATO ka procedura të përshpejtuar për pranimin e shteteve në gjirin e saj, dhe Mali i Zi me Maqedoninë dhe Kosovën mund të konsiderohen shumë shpejt në NATO, siç pati ndodhur me vendet e Evropës qendrore para vitit 1998.

Në këtë rast, as NATO e as ne nuk duhet të llogarisim në kapacitetet frenuese dhe mbrojtëse të FSK-së, ngase ajo edhe po të krijohet si Ushtri, me vështirësi do të krijojë kapacitete të nevojshme mbrojtëse ngase është e përfshirë nga nepotizmi dhe pjesa me e madhe e kuadrit komandues janë në vende jo adekuate e nuk e kanë minimumin e dijes për të planifikuar dhe udhëhequr operacione të përmasave çfarë do t’i impononte një luftë eventuale.

Duke i ditur këta faktorë të disfavorshëm, Serbia është duke u munduar të zhvillojë politikë nga shkolla e Pashiqit, e cila shtyllë kurrizore të pretendimeve të veta hegjemoniste ka faktorin rus.

Territoret shqiptare, në veçanti ato ballkanike si tërësi, janë arena të betejave të ushtrive të huaja që nga antikiteti, duke filluar me betejën e Durrësit në mes të Cezarit dhe Pompeit në vitin 48 p.e.r. e deri në Luftën e Dytë Botërore. Dhe, po të shikosh historikisht, nga koha e Perandorisë Bizantine, asaj Osmane, e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, politika serbe me një zhdërvjelltësi ka arritur që për interesat e saj të shfrytëzojë përplasjet e te mëdhenjve.

Në këtë funksion është politika e tanishme serbe, e cila me Evropën është duke luajtur lojën “tërhiq e mos e këput”, ndërsa Rusinë e mban si kartë për veprime vendimtare. Në këtë lojë ajo është duke i përdorur dy “karta”: e para përmes agjenturës së saj është duke u munduar ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës, duke u munduar të shkaktojë kaos sirian, ku ne do të futemi në armiqësi me shtetet perëndimore, që të krijohen parakushte për intervenim të Serbisë për të mbrojtur serbët lokalë. Loja e nisur e opozitës është e orientuar pikërisht në krijimin e këtij kaosi. Së dyti, sigurimi i armatimit i cili do të përballonte fazën e parë të stabilizimit të Ushtrisë serbe ne pjesët e pushtuara të Kosovës, derisa Rusia të bëjë manovër për të krijuar hapësirë të mjaftueshme diplomatike dhe kërcënim ushtarak të nevojshëm për të mbrojtur rezultatet e arritura me luftë të Serbisë.

Në kuadër të këtij plani, në afërsi të Nishit është duke u ndërtuar baza ruse, ndërsa në Luginë pritet të vendosen sistemet kundërajrore S-400 Triumf (emërtimi i NATO-s, SA-21 Growler). Vendosja e këtij sistemi në Luginë, praktikisht pretendon të fut nën kontroll hapësirën ajrore të pjesës më të madhe të Ballkanit, pasi karakteristikat tekniko-taktike të tij janë të tilla që njëkohësisht mund të piketojë për gjuajtje deri në 36 objektiva në distancën deri në 400 km dhe në lartësinë deri në 30 kilometra, qofshin ato raketa kryqëzore apo balistike, aeroplanë, helikopterë dhe fluturake pa pilot. Ky sistem shfrytëzon raketa tokë-ajër të tipit S-300PMU të cilat lansohen nga kontejnerët e vendosur në kamion. I gjithë sistemi është mobil, prandaj nuk mund të thuhet – siç po publikohet në pjesën më të madhe të mediave se – “në Presheve po ndërtohet sistem i raketave”. Në Preshevë po ndërtohet baza, por sistemi është mobil dhe me mundësi të mëdha operative.

Kjo vendosje ka dy objektiva strategjike, më tepër se hapësira e Kosovës: e para është se aviacioni ushtarak serb do të furnizohet me versionin e avancuar të aeroplanit MiG nga ai MiG-29/A 9-12A, të cilët gjatë luftës së vitit 1999 praktikisht ishin joefektiv (sistemi i mbrojtjes kundër ajrore serbe ishte jashtë “lojës”, i vjetërsuar, ndërsa sistemi elektronik i këtyre avionëve po ashtu i vjetërsuar që nuk përballonte luftën elektronike të NATO-s).

MiG-29 të cilët Rusia do t’i bëjë dhuratë Serbisë janë të “bajtur” (të përdorur) ngase i përkasin regjimentit 31 të aviacionit gjuajtës, të dislokuar në bazën Milerovo. Këta 30 aeroplanë i përkasin në shumicë versionit të përmirësuar MiG-29/S9-13, të cilët kanë kapacitet të bartjes së karburantit – më shumë se modeli bazë – dhe sistem të avancuar për identifikim, mbrojtje dhe pengim elektronik të tipit L203BE Gardeniya. Me këtë sistem dhe me aeroplanët e përmirësuar MiG-29, serbet synojnë të sigurojnë efikasitet në rast se mësynë sërish Kosovën ashtu siç po tregon haptas Irinej dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Së dyti, me vendosjen e këtij sistemi synohet mbrojte strategjike e bazës ruse në afërsi të Nishit për të cilën ende nuk dihet se çfarë do të dislokohet. Nuk është çudi që këtu në zemër të Ballkanit të na shfaqet “Kriza e raketave të Kubës” e vitit 1962. Diktatorët janë të paparashikueshëm, shqiptarët kah do t’ia mbajnë?

Në trend

Më shumë
Vdekja e presidentit iranian, çfarë dihet deri më tani

Vdekja e presidentit iranian, çfarë dihet deri më tani

Azia
Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Boks
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
I mblodhi bashkë për herë të fundit – fjalimi emocional i Kloppit që preku zemrat e lojtarëve të Liverpoolit

I mblodhi bashkë për herë të fundit – fjalimi emocional i Kloppit që preku zemrat e lojtarëve të Liverpoolit

Premier League
Helikopteri i “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Helikopteri i “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë
Vërshime në Prishtinë, rruga

Vërshime në Prishtinë, rruga "Ali Pashë Tepelena" shndërrohet në liqe

Komunat
Kalo në kategori