LAJMI I FUNDIT:

Aleatët e Robert Fico kërcënojnë me luftë – me shpërbërjen e demokracisë sonë

Aleatët e Robert Fico kërcënojnë me luftë – me shpërbërjen e demokracisë sonë

Nga: Monika Kompaníková / The Guardian (Titulli: Robert Fico’s allies warn of political war – they will use it to justify the dismantling of our democracy)
Përkthimi: Telegrafi.com

Menjëherë pas të shtënave ndaj Robert Ficos, mora një telefonatë nga motra. Ishte shumë e mërzitur – jo vetëm për sulmin tronditës, por edhe për një incident në autobus gjatë kthimit në shtëpi nga puna, në momentet pasi lajmi kishte dalë. Dy bashkudhëtarë të moshuar reaguan ndaj atentatit, duke i fajësuar liberalët dhe progresistët në përgjithësi, në veçanti Michal Šimečkan – politikanin opozitar dhe ish-zëvendëspresident i Parlamentit Evropian. Një pasagjer bëri thirrje për kthimin e dënimit me vdekje dhe për rivendosje të rendit.

Në atë moment, rrethanat e të shtënave ishin krejtësisht të paqarta, informacioni ishte i pjesshëm dhe ishte shumë herët për të dënuar apo drejtuar gishtin ndaj dikujt. Motra ime, e cila e konsideron veten liberale, ngriti zërin për të debatuar kundër pasagjerëve të tjerë.

Por, kur më telefonoi për të thënë se ishte e shqetësuar për atë që do të ndodhte më pas, e ndjeva se po dridhej.

Sllovakia ka përvojë të gjatë me “rivendosjen e rendit”. Kur pjesa liberale e popullsisë i dëgjon këto fjalë, mendojmë jo vetëm për kërcënimin e autokracisë të tipit Viktor Orbán, por për diktaturën tonë 40-vjeçare komuniste ose shtetin fashist sllovak të kohës së luftës. Mirëpo, një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë sllovake, e ushqyer nga nostalgjia dhe pritshmëritë e ulëta, është gati të përqafojë atë që premtojnë regjimet e tilla – dhe në një farë mënyre, mund ta kuptoj pse.

Pavarësisht nëse Robert Fico mbijeton dhe rifillon ose jo detyrën, Sllovakia është në situatë të rrezikshme
Lexo po ashtu Pavarësisht nëse Robert Fico mbijeton dhe rifillon ose jo detyrën, Sllovakia është në situatë të rrezikshme

Në pesë vjetët e fundit, Sllovakia ka përjetuar një valë të qeverive të rrënuara ose të turpëruara, vrasje të pazgjidhura, protesta masive, pandeminë e Kovidit të trajtuar në mënyrë të tmerrshme, pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe luftën që pasoi, një fluks të refugjatëve nga ana tjetër e kufirit dhe inflacionin rekord.

Në çdo ngjarje të tillë, fiset e ndryshme të opinionit në shoqërinë tonë thellësisht të fragmentuar, shpërndahen si copat e akujve të thyer pluskues nëpër rrymat e kundërta. Ashtu si në Poloni apo në Hungari, ka vija mjaft të qarta ndarëse: midis votuesve konservatorë dhe liberalë, midis të rinjve dhe të moshuarve, midis atyre që ndihen pjesë e Perëndimit – siç mishërohet nga Bashkimi Evropian – dhe atyre që shikojnë kah Lindja, drejt Rusisë. Disa bëjnë thirrje për liri, përgjegjësi individuale dhe barazi; të tjerët për dorën e fortë të shtetit, për sigurinë dhe rendin e një sistemi autokratik. Në njërën anë janë mbështetësit e opozitës dhe lideri i tyre, i riu Šimečka; dhe, në krahun tjetër koalicioni qeverisës me Ficon në krye.

Peter Bárdy, kryeredaktor i faqes sllovake të lajmeve Aktuality, shkroi se “lajmi i mirë është se shëndeti i Robert Ficos është stabilizuar. Shumë gjëra varen prej kësaj”.

Por, jam duke i ndjekur diskutimet mes miqve dhe kolegëve gazetarë – dhe, siç i shohin gjërat ata, çfarëdo që të ndodhë me shëndetin e Ficos, gjërat vetëm do të përkeqësohen. Shpëtimi i jetës së kryeministrit, shërimi i tij, ndëshkimi i të akuzuarve, ndriçimi i motiveve – asnjë nga këto nuk do ta qetësojë krizën e përshkallëzimit në të cilën ndodhet Sllovakia.

Dhe, situata me të vërtetë është përshkallëzuar – edhe para kësaj, sulmet verbale në rrjetet sociale ishin të ashpra, pavarësisht nëse flisnit për politikë apo komentonit fotot e maceve. Gazetarët dhe politikanët marrin çdo ditë kërcënime me vdekje, plumba në zarfe, letra me përmbajtje vulgare.

Sulmi fizik ndaj kryeministrit ishte akt unik dhune, i paprecedentë në historinë e fundit evropiane dhe i dënuar nga të gjithë – në të gjithë spektrin politik.

Megjithatë, ky nuk është akti i vetëm i dhunës politike të kohëve të fundit në Sllovaki. Në vitet 1990, patëm vrasjen e dëshmitarit Robert Remiáš. Në vitin 2018, vrasjet e gazetarit hulumtues Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kušnírová – vdekje të cilat shkaktuan protesta masive dhe përfundimisht e detyruan Ficon të largohej nga pushteti. Dy të rinj u qëlluan me armë jashtë klubit Tepláreň, një vend i njohur për komunitetin LGBTQ+. Ka pasur bastisje brutale të policisë në vendbanimet rome. Presidentja në largim, Zuzana Čaputová, dhe familja e saj kanë marrë kërcënime me vdekje në shtëpinë e saj.

Prandaj, një pjesë e madhe e shoqërisë sllovake, kohët e fundit ka jetuar me frikën e pashprehur se zemërimi i ndonjë individi të frustruar do të kthehet në akt dhune. Siç tha Čaputová: “Ajo që ndodhi [me Ficon] ishte akt individual, por urrejtja e akumuluar ishte akt kolektiv”.

Derisa politikanët e koalicionit u predikojnë njerëzve për mospërhapjen e urrejtjes, vetë ata në mënyrë aktive po i ndezin qëndrimet kundër mediave të pavarura. Deputeti me ndikim dhe aleati i Ficos, L’uboš Blaha – duke folur vetëm disa orë pas të shtënave – përgjegjësinë për sulmin e hodhi drejtpërdrejt ndaj mediave liberale, ndaj opozitës dhe disa politikanëve të veçantë. “Na keni bërë objektiva”, tha ai. Një tjetër ministër ka shkruar në Facebook se opozita ka gjak në duart e veta. Kryetari i partisë Kombëtare Sllovake të koalicionit qeverisës, Andrej Danko, njoftoi ndryshime legjislative kundër medias, mbi bazën se Sllovakia tani ishte në prag të një “lufte politike”. Ai i pyeti gazetarët: “A jeni të kënaqur tash”? Në njëfarë mase, Danko iu referua kolegëve të mi nga organizata e lajmeve Denník N , si “derra të shëmtuar”. Jo shumë kohë më parë, vetë Fico i quajti gazetarët “prostituta të pista anti-sllovake”.

Situata nuk qetësohet nga dështimi i dukshëm i forcave të sigurimit të shtetit. Nëse ata nuk mund të mbronin kryeministrin – i dyshuari është pensionist 71-vjeçar – në një turmë të rrallë mbështetësish, a munden qytetarët t’ju besojnë forcave të sigurisë, shërbimit informativ dhe policisë?

Paradoksi është se pas kthimit të Ficos në pushtet në shtator 2023, pothuajse brenda natës urdhëroi ristrukturimet masive në institucionet e shtetit, e mbylli një prokurori speciale dhe emëroi njerëz në poste të larta në bazë të përkatësisë partiake.

Politikanët e koalicionit tani po bëjnë thirrje për qetësi, por janë ata që e drejtojnë gishtin dhe e nxisin zemërimin e turmës. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e sigurisë, por ndjekin ligjet që kërcënojnë jo vetëm sigurinë e personazheve publike, por të të gjithë neve – duke dobësuar gjykatat, duke kufizuar dënimet për korrupsion, duke dobësuar institucionet demokratike.

Fico dhe njerëzit e tij e kuptojnë politikën – jo si shërbim ndaj qytetarëve, por si ushtrim të së drejtës feudale për pushtet dhe pronë. Për ta, vendi është çiflig nga i cili duhet të përfitojnë sa më shumë që munden. Ata janë të gatshëm ta ndryshojnë kushtetutën, ligjin, të imponojnë censurë dhe ta dobësojnë demokracinë për të arritur atë që duan.

Dhe, tani, zgjidhjet e tyre populiste për rendin dhe ligjin, do t’ju bëjnë thirrje shumë njerëzve, si atyre në autobus me motrën time, që të kërkojnë ndëshkim dhe dënim me vdekje.

Pas atentatit ndaj kryeministrit, gjithçka mund të justifikoni. /Telegrafi/