LAJMI I FUNDIT:

Sëmundja e ksenomanisë në gazetarinë televizive

Sëmundja e ksenomanisë në gazetarinë televizive
Ilustrim

Nga: Rami Memushaj

Pasditen e së dielës u ulëm me bashkëshorten të pinim një çaj. Meqë ishte qetësi e madhe e ndiheshim shurdhë, hapa televizorin te kanali dy, ku shohim Top Channel-in. Në atë çast në ekran u shfaq një tekst që s’po e lexonim dot, sepse ishim me syzet për larg, po edhe sepse teksti dukej e zhdukej. Ime shoqe, që s’di anglisht, e lexoi “Heshes on top”, po, duke mos kuptuar asgjë, hoqi dorë nga deshifrimi tekstit. Kurse unë, që di pak anglisht, e lexova “Heshe’s on Top”, dmth. “Heshe is on Top”. Mendova se HESHE-ja do të qe ndonjë këngëtare e huaj e ftuar në atë emision. Po kur pashë të dilnin në skenë vajzat tona, e kuptova që HESHE-ja nuk ishte emër këngëtareje. Po ç’të ishte? Iu ktheva prapë tekstit. Pasi u përqendrova, vura re se rrokja e parë ndahej nga e dyta me një vizë të pjerrët. Aha, e kapa: HE/SHE është “ai/ajo”, pra “He/she is on Top”, dmth. shqip “Ai/ajo është në Top (Channel?)”.


Pasi ia përktheva tekstin sime shoqeje, ajo më tha: “Si t’ia bëjmë unë dhe gjithë ata që nuk dinë anglisht për t’i kuptuar titujt në këtë gjuhë?”.

Kjo vërejtje e saj më nxiti të ulesha për të shkruar këta rreshta, me shpresën se ata që përdorin emërtime të huaja, do ta lexojnë dhe do të reflektojnë (?!). Hapa një dokument në celular ku kam shënuar shumë nga këta tituj në anglishte, që i mbajnë shumë prej programeve të televizioneve tona, veçanërisht Top Channel-i, që zë vendin e parë për maninë e përdorimit të emërtimeve anglisht të emisioneve. Dhe, gjeta këta emra programesh të tij: A.live.Night, Big Brother (në vend të “Vëllai i madh”, po të ndiqnim shembullin e vendeve që kanë respekt për gjuhën e tyre, si p.sh. italianët, që i thonë “Grande Fratello”), Balkan Project, Black History, Breaking News (në vend të “Lajmi i fundit”), titull i kopjuar nga televizionet anglosaksone; High Albania, Horseback Riding, Inside Story, Just Dance, On – Melody Tv, Top Story, Wake Up (në vend të “Zgjohu”, “Koha për t’u zgjuar”) etj.

Tituj programesh në anglishte përdorin, ndonëse më pak, edhe televizione të tjera, si Aldo Moring Show e Info Weekend televizioni “Klan”; Dance with the Stars “Vizion Plus-i” etj. Emërtime të tilla të cilat nuk kuptohen nga shikuesit që nuk dinë anglisht, lënë një shije jo të mirë edhe tek ata që e dinë këtë gjuhë, sepse u japin përshtypjen e rendjes pas së huajës dhe të imitimit a kopjimit të saj. Autorët e këtyre emërtimeve, me pak mundim e në konsultim me institucionet e gjuhësisë, mund t’i kishin dhënë shqip. Dhe besojmë se, duke i dhënë shqip, do të shtohet interesimi dhe numri i shikuesve për këto emisione. Për një që s’di anglisht “Breaking News” nuk thotë asgjë, ndërsa “Lajmi i fundit” ngjall kureshtjen për të parë ç’ka ndodhur.

Sëmundja e ksenomanisë ka prekur sidomos gazetarinë televizive, por jo vetëm atë. Nga kjo sëmundje e përdorimit të fjalëve të anglishtes dhe e renditjes së fjalëve si në anglishte janë infektuar edhe institucionet, madje edhe pronarë njësish tregtare. Kështu, stadiumi i Tiranës quhet “Air Albania Stadium”; aeroporti i Rinasit quhet “Tirana International Airport”; terminalet e porteve të Durrësit e të Vlorës quhen përkatësisht “Durrësi Terminal”, Vlora Terminal”; parku industrial i Tiranës quhet “Tirana Industrial Park” (dhe, po të ndiqej kjo logjikë, emrat e të gjitha ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve shqiptare do të duhej të shkruheshin anglisht!).

Vërtet stadiumi i Tiranës për arsye tregtare është quajtur “Air Albania”, po përse fjala “stadium” të vendoset prapa dhe të shkruhet “Air Albania Stadium” si në anglishte, kur në shqipe duhet Stadiumi “Air Albania”? Ky stadium është ndërtuar për shqiptarët dhe shqiptarëve u shijon emërtimi i dytë, se është në natyrën e shqipes ta nxjerrë ndajshtimin në thonjëza pas fjalës që përcakton; sa për të huajt të cilëve do t’u takojë të shohin ndeshje në këtë stadium, ata nuk do të kenë asnjë vështirësi për t’u orientuar dhe për ta rrokur kuptimin e emërtimit që është më shqip. Kurse emërtimet e tjera të ngjashme nuk ka pse të jenë vetëm anglisht. Ato duhet të jenë shqip dhe poshtë tyre të vihet emërtimi anglisht. Pra, në fillim “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës” dhe poshtë tij emërtimi anglisht. Po kështu duhen shkruar në krye shqip “Terminali i Durrësit”, “Terminali i Vlorës dhe poshtë tyre emërtimi anglisht. Këtë praktikë ndjekin shumë vende të tjera, ku emërtimi anglisht vjen poshtë emërtimit në gjuhën vendëse.

Mania e përdorimit të emërtimeve të huaja në vend të atyre shqip ka prekur edhe njësitë tregtare e të shërbimeve. P.sh., në tabelat e shitoreve të rrugicave të Tiranës, që 99 për qind, në mos qind për qind të klientëve i kanë shqiptarë, sheh të shkruar “Underwear”, në vend që të shkruhet “Veshje të brendshme”; kafenetë quhen “Coffee shop” dhe jo kafene; qoshqet quhen “Tobacco shop” (edhe pse nuk shesin vetëm cigare) dhe jo “Kinkaleri”; lokalet ku hahet në këmbë, quhen “Fast Food” dhe jo “Ushqime të çastit”, “Pjekurina” a “Mëngjesore”; floktoret thirren “Barber shop” etj. Në njësitë ku këmbehet monedha, shkruhet “Money ecxhange” dhe shumë-shumë rrallë jepet si emërtim i dytë “Këmbim valutor” apo “Këmbimore”, kur duhet të ndodhte e kundërta: emërtimi shqip të jepej i pari, kurse i huaji i dyti.

Shembujt e pambarim të emërtimeve anglisht apo në gjuhë të tjera, nuk mund të shihen veçse si një dëshmi e marrisë për të shpërfillur gjuhën amtare e për t’iu drejtuar pa qenë nevoja gjuhëve të huaja dhe si shenjë e prirjes për ta dorëzuar gjuhën amtare, me qëllim që të dukemi modernë, trendi. Emërtimet anglisht të programeve, institucioneve, njësive tregtare shkojnë kundër nevojës së njerëzve të thjeshtë për të dëgjuar shqip dhe për të kuptuar atë që shkruhet, sepse, në fund të fundit gjuha përdoret për të komunikuar dhe komunikimi në gjuhën amtare ia lehtëson të kuptuarit folësit të thjeshtë. Përdorimi i emërtimeve të huaja jo vetëm e vështirëson ose e pengon rrokjen e përmbajtjes së mesazhit që ato përcjellin, por ka edhe pasoja negative në fjalorin dhe në strukturën e gjuhës. Së pari, i hap rrugën përdorimit të fjalëve e emërtimeve të huaja të panevojshme, duke ndotur leksikun e shqipes dhe në përgjithësi mjedisin gjuhësor shqiptar; së dyti, ndikon për keq në sintaksën e shqipes, duke futur renditje të fjalëve që janë të huaja për natyrën e gjuhës sonë.

Vetëm një vend që nuk është i vetëdijshëm për vlerën e gjuhës së vet, thërret në ndihmë një gjuhë të huaj, qoftë ajo dhe ndërkombëtare. Se shenjë e identitetit nuk është vetëm flamuri, po edhe gjuha, e cila është indi lidhës që bashkon gjymtyrët e kombit. Prandaj, të nderuar gazetarë, shtetarë e qytetarë, ta duam gjuhën tonë dhe t’i themi mjaft ksenomanisë në fushën e gjuhës amtare.