LAJMI I FUNDIT:

DREJTËSIA!

DREJTËSIA!
Kahlil Gibran

Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli

Një natë, kur po bëhej festë në pallatin e princit, hyn një njeri dhe shkon e bie në gjunjë para princit. Të gjithë, rreth e rreth, e shohin me habi se ç’është ky tip që guxon t’i prishë zbavitjen princit. Pastaj, ata vënë re se i sapoardhuri e kishte njërin sy të plasur dhe nga zgavra bosh po i rridhte gjak.


Dhe princi e pyet atë:

– Kush je ti dhe ç’të ka ndodhur?

I sapoardhuri i përgjigjet:

– Oh, princ, jam një hajdut profesionist dhe sonte, duke parë se nuk kishte hënë, vendosa të hyjë në shtëpinë e një kambisti. Kur hyra nga dritarja, e kuptova se gabimisht kisha hyrë në shtëpinë e një endësi. Aty, në terr, u përplasa me një dërrasë tezgjahu, e cila më goditi në sy dhe ma nxori atë. Tani, i nderuar princ, dua që të vendosësh drejtësi, duke e ndëshkuar endësin.

Atëherë, princi urdhëron që të shkonin dhe t’i sillnin endësin.

Kur ia sjellin endësin, princi e shikon me inat dhe urdhëron t’i nxjerrin një sy.

Endësi bie në gjunjë, para princit dhe duke iu lutur, i thotë:

– Oh, princi im! Urdhri juaj është i drejtë dhe mua duhet të ma nxirrni njërin sy, por, për fat të keq, mua më nevojiten të dy sytë, sepse, kur end në tezgjah më duhet të shikoj në të dy anët e rrobës që jam duke endur. Unë kam një fqinj, i cili është mballomtar. Ai i ka të dy sytë, por për zanatin e tij nuk ka pse i duhen të dy. Ai mjafton të ketë njërin sy dhe i arnon këpucët për mrekulli. I madhi princ, nxirrjani njërin sy mballomtarit dhe drejtësia vete në vend.

Atëherë, princi urdhëron t’i sjellin mballomtarin. Sakaq, ia sjellin dhe fatkeqit, ia nxjerrin syrin.

Dhe njerëzit thanë:

– Ja, kështu bëhet drejtësia!