LAJMI I FUNDIT:

Selishçevi, një nga autorët më antishqiptar të historiografisë ruse

Selishçevi, një nga autorët më antishqiptar të historiografisë ruse
Ilustrim

Mbi librat e A.M. Selishçevit (Afanasii Matveevich Selishchev) “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”. Nisur nga pozita krejtësisht antishkencore, për të vërtetuar ato që pretendon përpiqet të shpjegojë gjithçka me “dhunën”, “grabitjet”, “karakterin e egër”, “natyrën kriminale” etj. të shqiptarëve…

Nga: Shaqir Vukaj

Ballkani, për vetë pozicionin gjeografik, që në kohët e vjetra ka tërhequr lakmitë e Fuqive të Mëdha, dukë u bërë objekt mosmarrëveshjesh e deri përplasjesh ushtarake. Por, edhe vetë vendet e popujt ballkanikë, me problemet e ngatërresat pa fund (që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot) në shumë raste i kanë krijuar vetë, u kanë dhënë shkas e pretekst Fuqive të Mëdha të ndërhyjnë, herë në favor të njërit e herë të tjetrit, e në shumicën e rasteve për interesat e veta.


Në kuadrin e ngatërresave ballkanike, problemi maqedonas, i konsideruar si “molla e sherrit” e Ballkanit, ka qenë ndër më të mprehtët, madje i pa zgjidhur përfundimisht deri më sot… Si problem ai ka lindur herët, por është ashpërsuar gjatë Krizës Lindore në fund të shekullit XIX. Në projektet për të ardhmen e Ballkanit, në “projektin grek”, formuluar nga Ekaterina e Dytë e Rusisë, në “projektin serb” shprehur qartë në Naçertanie apo në “projektin bullgar’ të Shën Stefanit, secili prej tyre përpiqej të përfshinte brenda kufijve të vet sa më shumë territore të kësaj hapësire gjeografike pa kufij të caktuar, të quajtur Maqedoni. Në planet e tyre, secili i vendoste kufijtë e Maqedonisë sipas interesave dhe dëshirës së vet, gjë që sillte ngatërresa e mosmarrëveshje midis tyre. Pikërisht këto mosmarrëveshje e grindje që disa herë kanë çuar në përplasje ushtarake midis tyre, janë bërë shkas për krijimin e termit “Problemi maqedonas”, përndryshe “molla e sherrit” e Ballkanit…

Historikisht, që nga shekulli X, Ballkani ka qenë një ndër drejtimet kryesore të politikës së Rusisë. Gjatë shekujve të fundit, asnjë ngjarje e rëndësishme në Ballkan nuk është zhvilluar pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Rusisë. “Historia e Ballkanit është vazhdim organik i historisë së Rusisë, pjesë e ndërgjegjes së saj kombëtare” është tezë e përsëritur shpesh në Rusi nga politikanë, ushtarakë, historianë etj.

E angazhuar “për zgjidhjen” e Krizës Lindore dhe të problemeve ballkanike, përfshi “problemin maqedonas”, mbas luftës Ruso-Turke, në v.1878 ajo i imponoi Turqisë nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit, sipas të cilit krijohej Bullgaria e Madhe që shtrihej nga Danubi deri në detin Egje, dhe nga deti i Zi deri në Liqenin e Ohrit ose më saktë nga brigjet e detit të Zi dhe të rrjedhjes së poshtme të Danubit, në drejtim të Perëndimit dhe Jug-Perëndimit, pikërisht deri në lumin Drin dhe në qytetin e Selanikut. Në këtë mënyrë, Bullgaria do të shtrihej në një territor prej 183 mijë kilometra katrorë, ku përfshiheshin krejt hapësira e quajtur Maqedoni, një pjesë e mirë e tokave shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, përndryshe të Shqipërisë Lindore etj. dhe konkretisht brenda saj do të përfshiheshin Korça, Bilishti, Pogradeci, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Kaçaniku etj.

Si mbështetëse e sllavëve, ajo do t’i jepte Serbisë një pjesë të madhe të Kosovës, ndërsa Malit të Zi do i jepte Ulqinin, Tivarin, krejt lumin Buna, Hotin, Plavën, Gucinë etj. Sigurisht që ky Traktat nuk kënaqte grekët (që nuk morën asgjë), serbët (megjithëse nga 37.7 mijë kilometra katrorë zmadhoheshin në 52.7 mijë kilometra katrorë) që mbetën të pakënaqur nga Rusia sepse kishte anuar nga bullgarët, duke krijuar “Bullgarinë e Madhe” (që konsiderohej e përkëdhelura e Rusisë), malazezët (që nga 4.7 mijë kilometra katrorë shkonin në 15.7 mijë kilometra katrorë) e që kërkonin shumë më tepër.

Duke mos njohur Traktatin e Shën Stefanit, mbas pak muajsh, Fuqitë e Mëdha organizuan Kongresin e Berlinit, për të “rregulluar” problemet Ballkanit. Sipas vendimeve të marra në Berlin, Bullgaria do të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan duke u zvogëluar në rreth trefish. Kështu nga 183 mijë kilometra (sipas Shën Stefanit) zvogëlohej në 63.7 mijë kilometra (Sipas Kongresit të Berlinit). Krahinat në jug të maleve Ballkan do të krijonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane, e quajtur Rumelia Lindore. Serbia nga 52.7 mijë kilometra katrorë zvogëlohej në 48.7 mijë kilometra katrorë, ndërsa Mali i zi nga 15.7 mijë kilometra katrorë bëhej 9.1 mijë kilometra katrorë.

Nga vendimet e Berlinit dolën të pakënaqur të gjitha vendet e popujt ballkanikë, në mënyrë të veçantë Bullgaria, për të cilën kufijtë e Shën Stefanit (në mënyrë të veçantë Maqedonia) u bënë objekti kryesor i politikës së jashtme bullgare për shumë e shumë dekada. Por nuk mbeteshin mbrapa Serbia e Greqia. Secila prej tyre ëndërronin krijimin e “Bullgarisë së Madhe”, “Serbisë së madhe” dhe “Greqisë së Madhe”, ku Maqedonia mbetej “Thembra e Akilit” dhe ëndrra e të gjithëve, që herë i ndante, herë i afronte.

***

Dobësimi i Perandorisë Osmane, krijoi kushte për krijimin e një Aleance Ballkanike (Rusia do të luante rolin kryesor për krijimin e saj) ku ndarja e tokave të Perandorisë Osmane, e në radhë të parë e Maqedonisë, mbetej ndër qëllimet kryesore. Secila palë përpiqej të merrte sa më shumë për vete. Më në fund u arrit të merreshin vesh, por problem mbetej ndarja e tokave të Shqipërisë Lindore, që Konferenca e Londrës padrejtësisht i kishte lënë jashtë kufijve të Shqipërisë…

Për këtë pjesë të Shqipërisë që u quajt “zonë e diskutueshme”, u vendos që mosmarrëveshjet që mund të lindnin për ndarjen e saj, do zgjidheshin mbas lufte nga Cari i Rusisë.

Me përfundimin e Luftërave Ballkanike, Maqedonia u nda afërsisht sipas zonave të pushtimit. Serbia mori pjesën veriore të Maqedonisë, deri në liqenin e Ohrit (afërsisht 25 mijë kilometra katrorë), Greqia pjesën jugore, së bashku me portet e Selanikut dhe Kavallës (rreth 34 mijë kilometra katrorë) ndërsa Bullgaria mori atë që quhej Maqedonia e Pirinit (rreth 6500 kilometra katrorë).

Qëndrimi i Rusisë në Shën Stefan për krijimin e Bullgarisë së Madhe, kishte lënë gjurmë të thella në shoqërinë ruse, brenda së cilës, megjithëse shpreheshin mendime të ndryshme për të ardhmen e Maqedonisë, mbizotëronte mendimi se Maqedonia është pjesë e Bullgarisë dhe që duhet të shtrihet thellë deri në brendësi të territoreve shqiptare, të Shqipërisë londineze tashmë të pavarur, të Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore që i kishin përfshirë brenda Serbisë…

Dhe si ka ndodhur shumë herë, në mbështetje të politikës pansllave të ndjekur historikisht nga Rusia, u angazhuan studiues të fushave të ndryshme, historianë, arkeologë, gjuhëtarë etj. E në këtë kuadër, ndërmjet studiuesve sllavë (dhe jo vetëm sllavë) më aktivë në mbrojtje të asaj që kishte gatuar Rusia në Shën Stefan dhe njëkohësisht ndër më antishqiptarë dallohej shkencëtari ruso-sovjetik, Akademiku A. M. Selishçev.

***

Pa marrë përsipër një analizë të plotë të veprës së tij antishqiptare, do të përpiqem të përshkruaj disa nga vlerësimet e qëndrimet e tij ndaj nesh në dy veprat kryesore të tij “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”.

Selishçevi ka mbaruar Universitetin e Kazanit në vitin 1910 në degën e gjuhësisë. Mbas përfundimit të studimeve, për rezultate të mira është emëruar asistent në atë universitet. Që në fillim të punës ai i është kushtuar dialekteve të gjuhës bullgare, dhe në këtë kuadër, në vitin 1914 e kanë dërguar për rreth dy muaj në Maqedoni.

Gjithë jetën e tij ka punuar në universitete të ndryshme të Rusisë e të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1929 është pranuar anëtar i Akademisë Shkencave të Bashkimit Sovjetik, ndërsa në 1931 është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë.

Selishçevi është autor i shumë veprave, ndërmjet të cilave i historisë së gjuhës ruse, i gramatikës krahasuese të gjuhëve sllave etj. dhe vlerësohet si një ndër sllavistët më të shquar të shekullit 20-të. Në veprat e tij ai ka mbrojtur tezën bullgare se “Maqedonia është Bullgari dhe se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare”, madje edhe në “Përmbledhja e veprave” të Selishçevit, botuar në Moskë në vitin 1968, dialektet e maqedonishtes paraqiten si pjesë e “territorit gjuhësor bullgar”…

Në vlerësimin e veprës së tij, disa studiues e personalitete të shkencës ruso-sovjetike janë shprehur se ai, me veprën e tij, ka mbështetur pretendimet bullgaro-mëdha. Kështu, drejtori i Universitetit të Gjuhësisë të Moskës, Pr. Boçaçer, në vitin 1932 shkruante:

“Profesor Selishçevi në këtë luftë për Maqedoninë u bë mbështetës i imperializmit bullgar… Duhet të dish të dallosh “shkencëtarët” nga zbuluesit e regjimit caristo-borgjez….

Ndërsa Pr. Bershtejn ka shkruar: “Selishçevi është ndër mbrojtësit më autoritarë të të drejtave bullgare mbi Maqedoninë”.

Tërheq vëmendjen fakti se dy veprat e tij të përmendura më sipër, janë botuar për herë të parë në Bullgari në gjuhën ruse, dhe janë ribotuar përsëri në Bullgari në vitin 1981, në kuadrin e 1300 vjetorit të krijimit të Shtetit të parë Bullgar, po në rusisht, botim fototip.

“Popullsia sllave në Shqipëri”, është ribotim i botimit të parë të vitit 1931, botuar atëherë në Sofje nga shtëpia botuese e Institutit të Studimeve Maqedonase. Libri ka 352 faqe dhe ndahet në shtatë kapituj.

Ai hapet me një parathënie të shkurtër, shkruar nga Jordan Zaimov, (ku dalin qartë qëllimet e botimit të këtij libri). Aty jepen disa të dhëna biografike të Selishçevit. Ai ka lindur në vitin 1886 në një fshat afër Moskës. Ka mbaruar Universitetin e Kazanit dhe që nga ajo kohë i është kushtuar gjuhës bullgare dhe gjuhëve sllavoperëndimore. Mbas Revolucionit të Tetorit ai ka punuar në Universitetin e Moskës, si shef i Katedrës së Gjuhëve Sllave. Në vitin 1929 është zgjedhur Anëtar Korrespondent i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, ndërsa në vitin 1931 i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë. Ka vdekur në vitin 1942. Në vitet 1951-1952 është botuar përmbledhja e veprës së tij.

Në hyrje të librit botohet përmbledhja e veprave të Selishçevit kushtuar bullgaristikës si libra, artikuj, recensione etj.

Vëmë në dukje se me përjashtim të parathënies dhe të dhënave biografike për Selishçevin, që janë shkruar në bullgarisht, e gjithë pjesa tjetër është në gjuhën ruse.

Duke gjykuar nga përmbajtja, mund të thuhet se ajo është ndër veprat më antishqiptare dhe keqdashëse të botuar nga historiografia ruse dhe sovjetike. Sigurisht që ribotimi në atë periudhë në Sofje, në kuadrin e 1300 vjetorit të krijimit të shtetit të parë bullgar, lidhej me problemet e ngatërruara ballkanike, veçanërisht marrëdhëniet e tensionuara bullgaro-jugosllave për problemin maqedonas, rritjen artificiale të nacionalizmit bullgar, pretendimet ndaj fqinjëve etj.

Siç thamë më sipër, libri hapet me një parathënie, shkruar nga studiuesi bullgar J. Zaimov. Megjithëse jo më shumë se një faqe e gjysmë, shihet qartë qëllimi i botimit të këtij libri. Kështu që në fillim, për ta bërë sa më bindëse përmbajtjen e këtij libri thuhet se:

Libri i Selishçevit “Popullsia sllave në Shqipëri” është bërë klasik në sllavistikë në saj të cilësive të veta shkencore, objektivitetit, depërtimit në shkaqet e zhvillimeve, materialit të gjerë të grumbulluar… Duhet theksuar se edhe sot ky është përshkrimi më i saktë dhe më i hollësishëm i kufirit të dialektit bullgar midis detit Adriatik dhe Maqedonisë”

Pretendimet bullgare të asaj periudhe, Zaimovi i jep shkurtimisht me pak fjalë, por mjaft qartë kur shkruan:

“Ky studimi i Selishçevit jep të dhëna të jashtëzakonshme si për vendbanimet fillestare të sllavëve bullgarë në këtë pjesë të Ballkanit, ashtu dhe për kufirin historik të gjuhës dhe fjalorit bullgar.”

Pretendimet e përsëritura shumë herë, se në Shqipëri jetojnë shumë bullgarë në tokat e tyre, autori e çon edhe më tutje, kur shkruan se përveç atyre që jetojnë sot aty dhe që janë në periudhën e asimilimit, në Shqipëri ka pas shumë bullgarë, por që me kohë janë asimiluar. Kështu ndërmjet të tjerash ai shkruan:

“Pjesa më e madhe e popullsisë bullgare në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme është shqiptarizuar shumë vonë.”

Libri i Selishçevit, që nga fillimi e deri në fund përshkohet nga një frymë e theksuar antishqiptare, e mbushur me epitete nga më banalet, por edhe nga një frymë e theksuar pansllaviste.

Kështu që në parathënien e shkruar nga Selishçevi në botimin e parë thuhet:

“Ky studim sqaron kufijtë e shtrirjes së sllavëve të grupit bullgar në Jug Perëndim dhe të sllavëve të grupit serb të Jug Lindjes: sllavët e shtrirë në basenin e Bistricës së Jugut, Vjosës, Devoll-Semanit, Shkumbinit dhe në perëndim të Drinit të Zi i përkasin grupit bullgar, sllavët në rajonin e Shkodrës dhe në disa vende në Veri të Drinit i përkasin grupit serb.”

Në vazhdën e pretendimeve sllave ndaj nesh (pavarësisht bullgare, serbe, malazeze, apo maqedonase) ose edhe si paraprijës i tyre, ky “autoritet i madh” shkencor del me pretendime se ne shqiptarët kemi asimiluar popullsinë sllave, kur shkruan se:

“Në kushtet e jetesës shoqërore, ekonomike dhe etnike të sllavëve në Shqipëri, dalin qartë kushtet e procesit të shqiptarizimit… Analiza linguistike e fjalëve sllave të huazuara në gjuhën shqipe dhe të toponimeve vërtetojnë se procesi i shqiptarizimit të popullsisë sllave ka qenë mjaft i gjatë….”

Libri ndahet në shtatë kapituj dhe konkretisht:

– Kufiri Jugperëndimor i hapësirës së gjuhës bullgare në kohën e sotme (fq.1-47).

– Marrëdhëniet politike kulturore-shoqërore dhe marrëdhëniet etnike në Shqipëri (fq.48-94)

– Fjalët sllave të huazuara në gjuhën shqipe (fq.141-200)

– Emërtimet topografike sllave në Shqipëri (fq.201-276).

– Veçoritë e dialekteve sllave në Shqipëri (fq.277-326)

– Lista e fjalëve sllave të huazuara në gjuhën shqipe (fq.327-335)

– Lista e emërtimeve topografike sllave në Shqipëri (fq.336-351)

Libri shoqërohet me një hartë të nomenklaturës topografike sllave të Shqipërisë, hartuar nga vetë autori. Në libër, në formë “shtojce” janë sjellë raporte të konsujve rusë në Prizren, Shkodër, Janinë etj. si dhe materiale të tjera, kryesisht nga autorë sllavë, që zënë rreth 50 faqe.

***

Megjithëse autori pretendon se niset nga qëllime të mirëfillta shkencore, duke u bazuar kryesisht në studime gjuhësore, ai merret dhe trajton probleme historike, gjeografike etj. të cilat, siç do e themi më poshtë, nxjerrin në pah qëllimet e tij antishqiptare. Megjithëse gjithë libri përshkohet nga kjo frymë, kjo bie më në sy më shumë në dy kapitujt e parë.

Kështu në kapitullin e parë, duke dashur të argumentojë “shkencërisht” shtrirjen e sllavëve bullgarë në tokat shqiptare, autori kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe kalon në ato gjeografikë duke e paraqitur veten si njohës i madh i kësaj fushe. Ai merr përsipër të përcaktojë edhe kufijtë midis bullgarëve dhe shqiptarëve, që sipas tij, i kalojnë shumë kufijtë tanë të sotëm. Nuk është e rastit që përcaktimet e tij “shkencore” për kufijtë tanë përkojnë me ato të Bullgarisë së Shën Stefanit të përcaktuar nga Rusia në vitin 1878. Madje, në këtë ndërmarrje ai shkon edhe më thellë në tokat tona, kur thotë se “në vet qytetin e Korçës deri pak kohësh ka pas dy mëhalla me popullsi bullgare. Në disa fshatra të tanishme shqiptare pleqtë kujtojnë gjuhën e tyre të mëparshme-bullgarishten”. (Vëmë në dukje se nuk bëhet fjalë për pakicat sllave të Prespës apo të verilindjes së Shqipërisë).

Po ashtu në përcaktimin e kufijve të tokave bullgare dhe të popullsisë bullgare, autori futet edhe në thellësi të tokave shqiptare të Kosovës, duke e quajtur popullsinë e Prizrenit e tokave për rreth, të Mitrovicës, të Pejës etj. si popullsi autoktone bullgare që jeton në toka bullgare.

Një problem tepër i rëndësishëm që autori merr përsipër të “zgjidhë” është ai i popullsisë shqiptare në Maqedoni (sipas autorit, për toka shqiptare aty as mund të bëhet fjalë). Kështu mbasi përshkruan kufirin bullgar të Shën Stefanit, ai pranon “vendbanime shqiptare në Lindje të vijës kufitare, në Maqedoninë Perëndimore, ka në shumë vende” por se, sipas tij:

“Shqiptarët nuk përfaqësojnë rajone të populluara kompakte: fshatrat e tyre ndodhen në territore bullgare”, ose “shqiptarët zënë një pjesë të këtij apo atij fshati bullgar”.

Vlen të vihet në dukje se, kur flet për popullsinë shqiptare në Maqedoni (në vitin 1912-1913, ai përmend shifrën rreth 200 mijë vetë), pa dashje u bie ndesh shifrave të dhëna nga Shkupi, që sado të thjeshtuara t’i bëjnë llogaritë, sot, pas më shumë se 100 vjetësh, shifrat do të nxirrnin në pah falsifikimet për popullsinë e vërtetë shqiptare që jeton sot në këto toka…

Në vazhdën e falsifikimeve, autori, megjithëse pranon se në këto toka jetojnë shumë shqiptarë, ashtu si dhe shumë historianë serbë, bullgarë, maqedonas etj. para tij e mbas tij, del me tezën se kjo popullsi është e ardhur. Kështu ndërmjet të tjerave ai shkruan:

“Popullsia shqiptare në Maqedoni është e prejardhjes së para pak kohshme. Shqiptarët janë vendosur këtu kryesisht gjatë shekujve XIII-XIX. Sipas dokumenteve, në Maqedoninë Perëndimore, shqiptarët janë dukur në fund të shekujve XIII e XIV.”

Por, ai nuk ndalet me kaq. Edhe Selishçevi, si disa historianë sllavë (rusë, serbë, bullgarë, maqedonas etj.) shkruan se Kosova dhe Maqedonia Perëndimore (Shqipëria Lindore) nuk janë shqiptare, dhe se shqiptarët janë vendosur vonë në këto toka. Mjafton pasazhi i mëposhtëm për të kuptuar pretendimet e tij, por edhe urrejtjen e mllefin e tij për shqiptarët:

“Shekujt XIV-XV janë koha e shpërndarjes së fuqishme, nganjëherë të stuhishme e shqiptarëve që zbrisnin nga malet dhe drejtoheshin në krahinat fqinje, siç do të thuhet për këtë me hollësi në kapitullin tjetër. Në lëvizjen e tyre, ata, që në atë kohë ngushtonin popullsinë sllave. Ekspansionin më të fuqishëm, nganjëherë të furishëm, shkatërrues, grabitqar për në Lindje e në Veri, lëvizja shqiptare e pati në fund të shekullit XVII dhe në shekujt XVIII-XIX. Dobësia e pushtetit turk në Shqipëri dhe në Maqedoni, pushteti i pashallarëve shqiptarë, varfëria e shumë vendeve malore shqiptare, vjedhja e grabitjet, ikjet nga gjakmarrja, të gjitha këto krijuan kushte për shpërnguljen dhe shkuarjen e shqiptarëve në vende sllave në Jug Lindje të Shqipërisë, në Maqedoni dhe në Serbinë e Vjetër (Kosovë-shënimi im). Terrori i përgjakshëm shoqëroi vendosjen e shqiptarëve në këto krahina”.

Të gjitha këto, sipas autorit kanë vazhduar deri vonë:

“Inkursionet dhe popullimi me forcë i shqiptarëve në Maqedoni ka vazhduar deri kohët e fundit, deri në Luftën Ballkanike 1912-1913. Të dhënat e dokumenteve vërtetojnë se disa rajone në Maqedoninë Perëndimore janë bërë shqiptare gjatë shekullit XIX ose vetëm gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit…”.

Autori për të “argumentuar pushtimin e tokave sllave” nga shqiptarët, nisur nga pozita raciste e diskriminuese, ashtu si disa autorë të tjerë antishqiptarë, ku shquhen disa sllavë, merr përsipër të trajtojë karakterin e shqiptarit, të cilin e trajton më shumë si njeri të egër, të aftë vetëm për grabitje, vrasje e përdhunime. Këtij problemi ai i kushton një vend të dukshëm në librin e tij, dhe duke u përpjekur ti bëjë sa më bindëse pretendimet e tij, ai sjell si “fakte”, “përveç atyre që ka parë më sytë e tij” edhe “të dhëna e fakte” të udhëtarëve apo “shkencëtarëve” që janë marrë me këtë problem, ku një vend i rëndësishëm i kushton raporteve të diplomatëve rusë që kanë punuar në Prizren, Shkodër, Manastir etj.

Shqiptarin ai e përshkruan si kriminel e vrasës, që sipas tij, duket që në pamje të jashtme. Kështu, duke bërë krahasimin e pamjes së jashtme midis shqiptarëve e sllavëve (bullgarëve në rastin konkret) shkruan:

“Por bullgarët janë më të shëndoshë, me peshë më të madhe, fytyrat e tyre janë shpesh të rrumbullakëta dhe shumë të dashur, përkundrazi, shqiptari është i dobët, muskulor, fytyra e tij e zgjatur dhe me hundë shqiponje, sytë i ka më të qartë dhe më të zinj se të bullgarëve . Në veçanti këta shqiptarë i karakterizon vështrimi jashtëzakonisht i egër, gjë që duket se ata janë popull bandit…”

“Këtu na tha shoqëruesi është Shqipëria, populli-gegë, njerëz jo të mirë, se të tillë banditë si gegët bota nuk ka nxjerrë…” (Fq.16)

“Ata (shqiptarët) kanë sy depërtues, natën shohin më mirë se ditën. Prandaj ata janë hajdutë të mëdhenj dhe rrezikojnë natën njëlloj si ditën…”

“Shqiptarët edhe para shekullit të XIV dhe në shekujt e më vonshëm e shohin grabitjen si mjet të ekzistencës… Aftësia e tyre për sulme dhe vjedhje, në fillim të shekullit XIV dhe në shekujt e mëvonshëm ka bërë që të mendohet se ata kanë aftësi të veçantë të syve, për të parë natën njëlloj si ditën…”

“Prirja tradicionale e shqiptarëve për grabitje si mjet jetese është forcuar në vartësi nga natyra malore e krahinës së tyre. Që prej shumë kohësh ata kryejnë sulme në vende të pasura, grabisin popullsinë, kthehen mbrapsht ose vendosen në këto vende. Të dhëna për të tilla sulme ka që nga shekulli XIII-të e deri na fillim të shekullit XIX…” (Fq.85-86-87)

Selishçevi zë një vend të veçantë ndër shkencëtarët e huaj të ndikuar nga konceptet e vjetra të pansllavizmit, që kanë kërkuar me çdo kusht të zhvendosin vendbanimet e hershme të shqiptarëve nga vendbanimet e sotme ose ti ngushtojnë në maksimum.

Sipas tij, shqiptarët janë vendosur në tokat e sotme shqiptare mbas dyndjes së sllavëve, të cilët, siç shkruan ai, këtu kanë gjetur popullsi romane…

Duke u përpjekur të mbrojë tezën e tij, në kapitullin e dytë që i kushtohet këtij problemi, ai shkruan:

“Ku kanë jetuar në këtë periudhë të parët e shqiptarëve të mëvonshëm ne nuk dimë . Nuk ka të dhëna të padiskutueshme historike dhe linguistike për ekzistencën e paraardhësve të këtij populli në Shqipërinë romake dhe greke në shekujt e parë të erës tonë. Tek shqiptarët nuk ka gjurmë të lidhjes së drejtpërdrejtë me popullsinë e vjetër dalmatine. Të parët e shqiptarëve kanë jetuar diku larg detit…” (fq.50)

Më poshtë ai merret me dyndjet sllave në tokat shqiptare, ku ndërmjet tjerave shkruan:

“Në periudhën e shpërnguljeve të mëdha, në Shqipëri erdhën të shpërngulurit nga Veriu, ndërmjet tyre disa grupe romanësh danubianë. Në shekujt VII-VIII në basenin e Bistricës Jugore, të Vjosës, Devollit, Shkumbinit dhe në rajonet e liqenit të Shkodrës u vendos një element i ri etnik – sllavët. Kushtet historike të kohëve të mëvonshme, përfshirja në përbërjen e shtetit bullgar dhe atij serb ndihmuan forcimin e elementit sllav në Shqipëri… Lëvizja në krahinën e Bistricës, Vjosës, Osumit, Devollit, u bë kryesisht nga jug-lindja, nga krahinat e Kosturit dhe Ohrit…” (fq.50)

“Drejtimi tjetër i lëvizjes së sllavëve në Shqipëri – lëvizje më pak e rëndësishme u bë nga kufijtë e Drinit të Zi dhe u drejtua në basenin e Matit. Qendra e vendbanimeve sllave kanë qenë në dy anët e Drinit…” (fq.51)

Më poshtë ai shkruan:

“Drejtimi i tretë nga erdhën sllavët në Shqipëri – nga krahina e rrjedhjes së poshtme të Drinit të Bardhë në basenin që lidh Drinin (në drejtim të derdhjes së Drinit të Zi) drejt Valbonës… kaluan dhe në krahinën matanë Drinit dhe u drejtuan më tutje në perëndim. Në Drinin e Poshtëm drejt Kirit dhe në rajonin e liqenit të Shkodrës erdhën sllavët edhe nga Veriu…” (fq.52).

Më poshtë ai merret me historinë e këtyre tokave që u pushtuan nga bullgarët dhe u përfshinë në shtetet Bullgare, më vonë kaluan nën pushtimin e Bizantit dhe nga shekulli i XIII-të nën pushtimin e anzhuinëve. Tërheq vëmendjen fakti se ai nuk përmend askund elementin shqiptar në këto toka. Për herë të parë, sipas tij, shqiptarët, përmenden në fund të shekullit XIII, madje dalin në pah fuqishëm familjet e Topiajve, Arianitëve, Skurajve, Gropajve, Muzakajve, Dukagjinëve etj. që sipas Selishçevit “do të luanin rol të rëndësishëm në kohët e mëvonshme”.

Por si lindën dhe u forcuan këto familje shqiptare, dhe kryesorja, mbi ç’baza etnike e nga vinin, autori e kalon në heshtje, ashtu siç kalon në heshtje kryesoren, praninë e hershme të shqiptarëve në këto toka…

Tërheq vëmendjen mënyra si e shpjegon ai përhapjen e shqiptarëve. Sipas tij, për përhapjen e shtrirjen e shqiptarëve në Shqipërinë e Jugut deri në Epir e Thesali paska “ndihmuar” Car Dushani i Serbisë, në ushtrinë e të cilit, shqiptarët qenkan përfshirë me shumicë dhe mbas fitores së vitit 1348, ai i paska dhënë shqiptarëve tokat e pasuritë e arhontëve dhe stratotëve grekë…

Më poshtë, ai shkurtimisht përshkruan periudhën e pushtimit osman. Tërheqë vëmendjen fakti se kryengritjet e shqiptarëve kundër sundimit osman, sipas tij, janë bërë të gjitha nën ndikimin dhe me ndihmën e agjentëve të Italisë, Austrisë, Francës, Malit të Zi, Greqisë e madje edhe të Rusisë…

Duket i pa besueshëm vlerësimi dhe qëndrimi i tij ndaj lidhjes së Prizrenit, e cila sipas tij “ka sunduar në vitet 1878-1881”, kur shkruan se:

“Veprimtaria e kësaj lidhje ka pas rëndësi jo vetëm politike por edhe politiko shoqërore: ajo, në veçanti Komiteti i saj verior, ai i Prizrenit, i acaroi jashtë mase armiqësitë fetare në radhët e popullsisë, ngjalli fanatizmin mysliman në radhët e popullsisë që vareshin prej saj: ajo është fajtore për ato grabitje, zjarrvënie, përdhunime, vrasje që kanë ndodhur atëherë në Serbinë e Vjetër (Kosovë-shënimi im) dhe në Maqedoninë Jug-Perëndimore” (fq.72).

Ashtu si politikanët e fuqive imperialiste dhe kalemxhinjtë e tyre të fushave të ndryshme historike, gjuhësore, gjeografike etj. edhe Selishçevi, për të mohuar autoktoninë e popullit tonë i vihet me forcë trajtimit të një problemi kyç, sipas tij, atë të pranisë së fjalëve me prejardhje sllave në gjuhën shqipe dhe toponimeve sllave në Shqipëri. Kuptohet që këtu ai është në fushën e tij, prandaj ai i kushton dhe pjesën më të madhe të librit, rreth 220 faqe.

Është e vërtetë se ne në gjuhën tonë kemi mjaft fjalë të huazuara nga gjuhët sllave, çka shpjegohet me pushtimet sllave, fqinjësinë me sllavë, bashkëjetesën në Perandorinë Osmane për afro pesë shekuj, marrëdhëniet e shkëmbimet midis popujve kufitarë etj.

Duke qenë se këto janë probleme të specialistëve të këtyre fushave, unë do të përpiqem shkurtimisht të jap disa mendime e shembuj, ku Selishçevi, për të vërtetuar tezat e tij mbi prejardhjen e vendbanimet e hershme tonat etj. abuzon edhe në këtë fushë.

Selishçevi përpiqet të vërtetojë se në trevat shqiptare është folur sllavisht, më vonë janë folur të dy gjuhët, dhe mbas “shqiptarizimit të sllavëve” është futur në përdorim gjuha shqipe…

Dhe këto ai i bën fakt të kryer kur shkruan se:

“Ndikimi sllav mbi shqiptarët është që nga kohët e hershme….Më vonë, me intensifikimin e marrëdhënieve reciproke midis sllavëve dhe shqiptarëve (nga shekulli XIV), në periudhën e gjatë të shqiptarizimit të popullsisë sllave, sllavët futën në ambientin shqiptar shumë prej zakoneve të tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe shtëpiake. Bashkë me këto, në ambientin shqiptar u futën edhe fjalë sllave….Në atë periudhë, kur në Shqipëri ishte i përhapur gjerësisht përdorimi i dy gjuhëve, përdorimi i gjuhës sllave (që gjithnjë e më shumë po dilte nga përdorimi), në gjuhën shqipe u futën shumë fjalë nga e folmja sllave” (fq.141).

Më poshtë ai rendit shumë fusha të jetës që shqiptarët kanë marrë dhe futur në përdorim fjalë sllave. Kështu ai i merr me radhë, shtëpinë, pajisjet shtëpiake, bujqësinë, kopshtarinë, blegtorinë, bletarinë, peshkimin, zejtarinë, veshjet etj. Një nënkapitull të veçantë ai i kushton fjalëve me origjinë sllave që kanë hy në fjalorin tonë në fushat e administrimit social, administratës, gjobave, ruajtjes së rendit etj.

Në fund të librit ai jep dhe një listë me fjalët sllave që kanë hyrë në fjalorin e gjuhës shqipe. Por, duke i parë me kujdes, shihet se ai fut në fjalorin tonë shumë fjalë që realisht nuk ekzistojnë në gjuhën shqipe.

Në fund të librit autori sjell një listë me rreth pesëqind fjalë sllave që kanë hy në përdorim në gjuhën shqipe (madje ai thotë se këto janë vetëm një pjesë, vetëm ato që ai i ka përmendur në libër)

Tërheqë vëmendjen fakti se nga fjalët që ai ka përmendur, rreth 115 prej tyre (rreth 22 për qind) prej tyre nuk figurojnë as në Fjalorin e Gjuhës së Sotme të Shqipes e as në Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe (Autor Kolec Topalli). Ku i ka gjetur këto fjalë e kujt i është referuar autori nuk del e qartë. Ndoshta në pakicat sllave që jetojnë në Shqipëri…

Pa u zgjatur me shumë shembuj do të përmend disa prej këtyre fjalëve: berdilate, bugat, bul’har, dobis, dobituke, domakin, fernshik, gërk, glanik, gulap, guverme, hobor, kalinetse, klopaske knez, korube, kutsh, kvashtke, leshe, letshe, lubanishte, lopar, lehte, lubenishte, magule, matshakon, matshor, mbot, novoje, ombor, pilin, plotni, podar, porsish, rop, rotar, sable, skan, stajan, strojnik, timnas, urok, vurvolak, zepana, zdrepi etj.

Duke ju referuar Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe, shohim se në gjuhën shqipe kemi mjaft fjalë të huazuara nga turqishtja, nga sllavët etj. siç ka ndodhur me të gjithë popujt. Bën përshtypje fakti se disa fjalë të huazuara nga turqishtja që bullgarët, maqedonasit e serbët i kanë në përdorim edhe sot e kësaj dite, Selishçevi shkruan sikur ne i kemi marrë nga sllavët. Ose edhe fakti se edhe ndonjë fjalë që sllavët e kanë huazuar nga gjuha shqipe, si për shembull fjala vatër apo votër, Selishçevi i quan fjalë sllave…

Autori i kushton një kapitull të veçantë “Veçorive të folmes sllave në Shqipëri”, ku përpiqet të analizojë nga ana gramatikore transformimin e fjalëve sllave në gjuhën shqipe.

Vëmendje të veçantë ai i kushton toponimeve sllave që kemi në trojet shqiptare e që realisht nuk janë të pakta. Autori pretendon se në të kaluarën ka pas shumë më tepër emërtime sllave, por që me kohë, me largimin e sllavëve dhe asimilimin e tyre, ato kanë ndryshuar dhe janë shqiptarizuar.

Kështu ndërmjet të tjerave ai shkruan:

“Në kohët e mëparshme të tilla qendra ka pas shumë më tepër: shumë emërtime sllave kanë dalë nga përdorimi nga humbja e rëndësisë së kësaj apo asaj qendre (rrënimi i fshatrave, largimi i popullsisë) si dhe nga ndryshimi i këtyre emërtimeve në shqiptare” (fq.201).

“Në afërsi të liqenit të Shkodrës, ka fare pak emërtime shqiptare: ku për çdo dyzet emra sllavë ka vetëm katër emra shqiptarë” (fq.202).

Në vazhdim, ai analizon një për një të gjithë rajonet e Shqipërisë së sotme, ku ka toponime sllave, për të vërtetuar atë që i kanë venë vetes si qëllim kryesor, të vërtetojë se “Shqipëria e sotme dikur ka qenë e banuar nga sllavë dhe shqiptarët janë popullsi e ardhur” por nga ku, autori nuk e di…

Siç kam thënë më sipër, në vitin 1932, drejtori i Institutit të Gjuhësisë i Moskës, Pr.Boçaçer e quante Selishçevin “Mbështetës i imperializmit bullgar”, madje linte të kuptohej se ai ka qenë “zbulues i regjimit caristo-borgjez”… Dhe jo pa baza. Ai e kishte studiuar mirë veprën e Selishçevit, i cili me veprat e tij “shkencore” përpiqej të mbronte shtrirjen e Bullgarisë pothuajse në ato kufij që Rusia Cariste kishte vendosur në Shën Stefan, në v.1878…

A.M.Selishçevi i ka kushtuar pjesën më të madhe të punimeve të tij Maqedonisë, përfshijë tokat shqiptare brenda saj, Kosovës e deri në thellësi të Shqipërisë së sotme….

Duke ndjekur këtë qëllim, ai krahas veprës “Popullsia sllave në Shqipëri” ka shkruar dhe “Popullsia bullgare e Pollogut-Shënime historike, etnografike dhe dialektologjike të Maqedonisë Veri-Perëndimore” (Botuar në Sofje në v.1929 dhe ribotuar po në Sofje në vitin 1981, në formë fototipi të botimit të parë), që konsiderohet ndër veprat më madhore të tij.

Shkencëtari bullgar, Jordan Zaimov, në hyrje të botimit të v.1981, shkruan:

“Kështu studimi i thelluar për Pollogun e bën librin e tij një lloj enciklopedie, deri në atë shkallë, sa çdo studim i ri për Pollogun duhet të fillojë patjetër nga ai, dhe duhet të konsultohet rregullisht me të… Përshkrimi i tij i të folmes së Pollogut jep mundësi që të hartografohen një seri dukurish dhe të ndërtohet sistemi i plotë i të folmeve bullgare në Veriperëndim të Maqedonisë”.

Pollogu është një ndër krahinat shqiptare të Maqedonisë, me sipërfaqe rreth 2500 kilometra katrorë dhe një popullsi rreth 310 mijë vetë, me kryeqendër Tetovën. Shumë udhëtarë e studiues të huaj e kanë quajtur Pollogun një ndër krahinat më të bukura dhe më të begata të Ballkanit.

Nuk është rastësi që Selishçevi i ka kushtuar një libër të veçantë kësaj krahine shqiptare, me popullsi dominuese shqiptare. I gjithë qëllimi i tij dhe i atyre që e kanë dërguar që në v.1914 në këtë krahinë, ka qenë për të “vërtetuar se kjo krahinë ka qenë dhe është bullgare”. Siç e thotë vetë autori në hyrje të librit “Vepra e propozuar i kushtohet studimit të një prej krahinave perëndimore të rajoneve etnografike bullgare” del qartë qëllimi i këtij punimi voluminoz.

Libri ndahet në disa kapituj e nënkapituj dhe konkretisht:

– Shënime gjeografike dhe etnografike të Pollogut

– Nga historia e Pollogut

– Veprimtaria letrare në Pollog

– Nga jeta e përditshme në Pollog

– Dialektet e Pollogut

– Tekste

Edhe ky libër përshkohet nga një frymë e theksuar antishqiptare, e mbushur me shprehje e epitete nga më ofendueset, që është vështirë të gjenden edhe në librat e botimet më antishqiptare. Duke u përpjekur të bëjë sa më bindëse akuzat e tij, krahas atyre që ai i thotë vetë, shpesh herë, fyerjet e shprehjet e ulëta që përdorë kundër nesh, ai i vë në gojë të tjerëve. Në krahasim me librin e sipërpërmendur, ai nuk shquhet për ndonjë gjë të re dhe në shumë raste autori përsërit ato që ka shkruar në librin “Popullsia sllave në Shqipëri”.

Siç e ka pohuar vetë autori në parathënien e shkurtër, i gjithë libri prej 439 faqesh përshkohet nga një qëllim i vetëm, për të vërtetuar se krahina e Pollogut dhe zonat përreth tij, janë bullgare dhe se shqiptarët që jetojnë në këto treva janë të ardhur vonë, madje disa prej tyre tepër vonë…

Në hyrje të librit ai shkruan: “Punimi që u ofrohet, i kushtohet studimit të njërit prej rajoneve perëndimore të krahinës etnografike bullgare”.

Që në kapitullin e parë, në “Shënime gjeografike dhe etnografike” ai përshkruan krahinën e Pollogut, e cila përfshin kryesisht luginën që shtrihet midis Kërçovës në Jug dhe malit të Sharrit në Veri, Malit të Rudokës dhe malit të Bistricës në jugperëndim, dhe malit të Thatë në Lindje. Në hartë, shihet qartë se brenda kësaj krahine ndodhen qytetet e rëndësishme, Tetova dhe Gostivari si dhe shumë qendra e qyteza të tjera shqiptare, me popullsi dominuese shqiptare. Nëpërmjet Pollogut, në të kaluarën kanë kaluar rrugë të rëndësishme që kanë lidhur Tiranën me Dibrën e luginën e Shkupit e prej aty deri në Konstandinopol. Autori e përshkruan Pollogun si një “ndër krahinat më të bukura të Ballkanit… dhe se luginat e Pollogut dhe Sharrit janë ndër më pjelloret e Ballkanit”.

Në këtë kapitull, autori i kushton vëmendje të veçantë përbërjes së popullsisë së Pollogut, por dashje pa dashje, ai detyrohet të pohojë praninë e popullsisë shqiptare. Megjithëse ai përpiqet të manovrojë me shifra, sidomos duke “ngatërruar” shqiptarët me turq e myslimanë… Kështu duke folur për popullsinë e Tetovës, ai shkruan se në fund të shekullit XIX, aty jetonin 19200 banorë, nga të cilët 9000 turq, 500 shqiptarë, 1200 ciganë dhe 8500 kristianë. Sipas disa të dhënave të tjera, shkruan Selishçevi, 8900 myslimanë dhe 3900 kristianë. Për Gostivarin ai shkruan se në fillim të këtij shekulli (shek i XX-të), kishte gjithsej 3735 banorë,, nga të cilët 3100 turq, 310 bullgarë, 200 ciganë, 100 shqiptaro-myslimanë dhe 25 vlleh.

Ai hyn në hollësi dhe krahas qyteteve e qendrave kryesore ai analizon fshat për fshat, e madje shtëpi për shtëpi përbërjen etnike të popullsisë duke “përcaktuar” përkatësinë e tyre, bullgare apo shqiptare.

Duke ju referuar të dhënave të I. Ivanovit, ai shkruan se aty jetojnë 43230 shqiptarë, 32940 bullgarë, 20855 turq, 720 ciganë etj. por mbas kësaj fshihet qëllimi i vërtetë. Ashtu si disa autorë tjerë sllavë, ai përpiqet të vërtetojë me çdo kusht se kjo krahinë është krahinë e pastër sllave (bullgare) dhe se shqiptarët janë të ardhur vonë, madje tepër vonë, gjatë pushtimit osman, veçanërisht mbas shekullit XVIII. Për të bërë më të besueshme pretendimet e tij për “dyndjen” e shqiptarëve në këto krahina, ai i referohet I.Cvijiçit, V.Kencovit, Mlladenovit etj. dhe nxjerrë përfundimin se :

“Popullsia sllave e Pollogut është pasardhëse e sllavëve të lashtë që kanë zënë këtë vend gjatë lëvizjes kolonizuese nga verilindja në shekujt e VII-VIII. Gjatë dy shekujve të fundit, në shumë vende, sllavët kanë qenë të detyruar ti lëshojnë vendin një popullsisë të re- asaj shqiptare. Si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira të jetës shoqërore dhe ekonomike të shekujve XVIII_XIX, nën shtypjen dhe dhunën shqiptare, shumë sllavë lanë vendet e tyre të banimit. ….Shqiptarët erdhën në Pollog duke kërkuar vende më të mira banimi, ose për ti shpëtuar gjakmarrjes. Përhapjes së shqiptarëve në këtë apo atë fshat i paraprinë sulmet e çetave shqiptare, grabitjet etj… Shfaqeshin dy-tre familje shqiptare dhe zinin vend në fshat. Këto familje kishin mbështetje të fortë në atdheun e tyre, në fisin e tyre, anëtarët e të cilit janë të lidhur nëpërmjet gjakmarrjes. Në qoftë se zullumi shqiptar bëhej i padurueshëm, popullsia e mëparshme sllave linte vendin e tyre, ndërsa pjesa tjetër arnautizohej. Në kushte veçanërisht të vështira jetese ishin në Pollogun malor, afër Dibrës, ku krimet e shqiptarëve nuk kishin kufi. Nganjëherë vet popullsia sllave thërriste në ndihmë shqiptarët për t’i mbrojtur nga grabitësit shqiptarë. Shqiptarët zakonisht vendoseshin në fshatrat malore, dhe më vonë zbrisnin në luginë. Shqiptarët e vendosur në Pollog kanë ardhur nga Dibra, Mati, Dukagjini, Mirdita dhe Luma. Më pak nga Metohija, Podrimja dhe Kosova” (fq.38-39).

***

Nisur nga pozita krejtësisht antishkencore, ai për të vërtetuar ato që pretendon, përpiqet të shpjegojë gjithçka me “dhunën”, “grabitjet”, “karakterin e egër”, “natyrën kriminale” etj. të shqiptarëve. Pothuajse i gjithë kapitulli i parë është i mbushur me fyerje për shqiptarët.

“Në kohën e Turqisë, kushtet e jetesës së popullsisë sllave në Pollog, dhe në veçanti në Gostivar ishin tejet të rënda si pasojë e dhunës së arnautëve”

“Kristianët nuk mund të dalin në rrugë dhe jashtë qytetit. Arnautët kapin këdo, e rrahin, e mbajnë peng dhe e lëshojnë vetëm kundrejt një shume të madhe parash” (fq.19)

“Në këtë krahinë, në veçanti për sllavët, kushtet e jetesës ishin tepër të vështira në shekujt XVII-XIX. Krimet e shqiptarëve, vendosja e tyre me dhunë në fshatrat sllave, mbrojtja e tyre nga pashallarët e Dibrës dhe Prizrenit, detyronin popullsinë sllave të linte vendin e lindjes” (fq.34)

“Shqiptarët në pjesën më të madhe janë kolonistë, të ardhur nga Babuna” (fq.52)

“Në periudhën e sundimit të pashallarëve tetovarë ka ndodhur një depërtim i madh i elementit shqiptar në shumë qendra të Pollogut. Gjatë kësaj periudhe, gjendja etnografike e krahinës ka ndryshuar shumë: u vendos popullsi e madhe shqiptare. Ardhjes së popullsisë shqiptare i kanë ardhur në ndihmë pashallarët tetovarë. Të lidhur me Shqipërinë për vet prejardhjen e tyre, sollën në Pollog shumë shqiptarë… shqiptarët u shfaqën në Pollog ashtu si në krahinat e tjera të Maqedonisë edhe me vullnetin e tyre, duke kërkuar vendet më të mira për ti shpëtuar edhe gjakmarrjes…” (fq.127).

Krahas shpërnguljes me “forcë e nga dhuna e shqiptarëve” autori merret gjatë me “myslimanizmin e shqiptarizmin me forcë të sllavëve” nga ana e shqiptarëve…Në qoftë se për pretendimin e parë ai nuk gjen dokumente, argumente e fakte historike, por mbështetet më shumë në tregimet e njërit apo tjetrit, për të dytin ai zgjatet më shumë, duke përdorur lloj-lloj “argumentesh” etnografikë, gjuhësorë, dialektologjikë etj.

Por, duke studiuar me kujdes materialet që servilen në libër, pa dashje, autorit i shpëtojnë gjëra që flasin për të kundërtën e asaj që kërkon të vërtetojë. Me qëllim ai i shmanget me çdo mënyrë njohjes dhe pranisë së shqiptarëve që vërtetohet nga shumë tregues (arkeologjikë, etnografikë, toponomastikë, gjuhësorë etj.) në këto treva të hershme shqiptare, herë-herë të maskuara, ato dalin në pah, pavarësisht nga dëshira e autorit.

Së pari, duke folur për historinë e kësaj krahine, autori nuk thotë asnjë fjalë se ç’kanë qenë këto toka dhe kush ka jetuar në to para ardhjes së sllavëve në Ballkan.

Së dyti, megjithëse ai përpiqet të kapet mbas atyre argumenteve që flasin pro pretendimeve sllave, mjaft periudha e ngjarje, ai, në mungesë të fakteve e dokumenteve i kalon në heshtje ose i paraqet në mënyrë krejtësisht të turbullt.

Së treti, megjithëse ai përpiqet të mohojë vazhdimësinë iliro-shqiptare në këto treva, dashje pa dashje ai detyrohet të pranojë praninë shqiptare që në kohët e vjetra, para pushtimit osman.

Së katërti, megjithëse autori analizon pushtimet sllave të këtyre trojeve gjatë shekujve IX-XII, ai nuk thotë asgjë për politikën asimiluese e sllavizuese.

Duke folur për faktorin e dytë (siç e quan autori) myslimanizmin e shqiptarizimin me dhunë të sllavëve, duke mos pasur argumente, fakte e dokumente bindëse, i bie shkurt se “nuk ka nevojë për dokumente e fakte”. Mbasi përshkruan “largimin e sllavëve me forcë”, ai i referohet shembullit të Rekës Malore për të cilën shkruan:

“Popullsia e mbetur e Rekës Malore, me kohë shqiptarizohet: gjuha sllave del nga përdorimi. Por nga terminologjia e jetës së përditshme sllave hyn në përbërjen e gjuhës shqipe” (fq.34).

“Disa (me sa duket shumë) shqiptarë të Rekës Malore kanë ditur gjuhën bullgare dhe kanë mundur të përdorin libra sllavë… Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, këto fshatra, si dhe fshatra të tjerë u shqiptarizuan. Bashkë me shqiptarizmin u bë dhe myslimanizmi…” (fq. 37-38)

“Kushtet e jetesës i detyronin bullgarët e Pollogut të hynin në marrëdhënie me shqiptarët e ardhur aty. Si rezultat i këtyre marrëdhënieve, shumë bullgarë zotërojnë gjuhën shqipe, dhe shumë shqiptarë flasin mirë bullgarisht…Në disa fshatra, në radhët e popullsisë bullgare deri pak kohësh vërehej përparësia e gjuhës shqipe ndaj asaj bullgare. Në të folmen e gjuhës bullgare futën shumë fjalë shqipe” (fq.44)

Duke dashur të “shpjegojë” “shqiptarizimin” e bullgarëve nga dhuna e shqiptarëve, autori arrin deri aty sa shqiptarët i bën njëlloj pushtues si turqit. Kur shkruan për lëvizjet e kryengritjet e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, shqiptarët i quan bashkëpunëtorë të osmanëve “në radhë të parë, në dëm të sllavëve”.

Duke u marrë me historinë e krahinës së Pollogut, që nga çdo aspekt e fushë të jetës ai e trajton vetëm si krahinë bullgare (çka është dhe qëllimi kryesor i librit), ai merret gjatë me problemet e fesë “kristiane sllave”. Ai me qëllim i shmanget përkatësisë fetare të shqiptarëve para pushtimit osman. Për shqiptarët ai flet vetëm si myslimanë. Megjithëse këtij problemi i kushton dhjetëra faqe, pa dashje i shpëton dhe shkruan për praninë e shqiptarëve në këto treva para ardhjes së osmanëve. Kështu ndërmjet dokumenteve të shumta kristiane sllave, autori përmendë edhe pronat e shqiptarëve në Tetovë para shekullit XIV. Kështu ndërmjet tjerave ai shkruan:

“Në përshkrimin e pronave të Manastirit (shekulli XIV) njoftohet për Progonin…Këtë emër me sa duket e ka mbajtur një shqiptar. Rrjedhimisht shqiptarët kanë jetuar edhe në atë kohë në Htetovë (Tetovë)… Ka pas shqiptarë dhe vlleh edhe në periferi të Shkupit” (fq.92).

Duke folur për luftërat e Skënderbeut, ai e quan “sllavo-shqiptar”, madje siç shkruan ai, “gjuha sllave është përdorur në familjen e Skënderbeut njëlloj si gjuha shqipe” (fq.85).

Pavarësisht se libri i kushtohet krahinë së Pollogut, autori merr përsipër rolin e historianit dhe studiuesit të çështjeve sllave në Ballkan, dhe kryesorja, shtrirjes së tyre. Megjithëse shkurt, me pak rreshta ai e bën fakt të kryer problemin e Kosovës (“Serbisë së Vjetër” – siç e quan autori) që, sipas tij, historikisht ka “qenë sllave-serbe”. Sipas tij:

“Shqiptarët kanë zënë tokat e sllavëve mbas Luftës Austriako-turke të v.1689. Në Kosovën e sotme dhe në Maqedoninë Perëndimore janë ngulitur aty, ku jetojnë edhe sot” (fq.118).

Për të përforcuar tezën e “shpërnguljes së sllavëve me forcë nga shqiptarët” ai i kushton një nënkapitull periudhës së sundimit të pashallarëve tetovarë. Pa asnjë lloj dallimi, ai i vë të gjithë shqiptarët në rolin e sunduesit ndaj sllavëve. Edhe kryengritjet e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, ai i trajton si lëvizje rebele kundër “rendit në fuqi”, të drejtuara në radhë të parë “kundër sllavëve”, gjë që, sipas tij, “nuk është ndalur deri në vitin 1913…” (fq.117-127).

Pjesën më të madhe të librit, autori ja kushton problemeve gjuhësore, etnografike, dialekteve, zakoneve e riteve të popullsisë së kësaj krahine etj. Gjithçka që thuhet ka vetëm një qëllim, të vërtetojë se kjo krahinë e në përgjithësi Maqedonia Perëndimore, deri në thellësi të kufijve tanë të sotëm, një pjesë e mirë e Kosovës deri në Gjilan janë toka sllave ku shqiptarët kanë ardhur vonë si kolonë me ndihmën e pushtuesve osmanë, ose me forcë. Po ashtu ai kërkon të “vërtetojë” se një pjesë e mirë e popullit shqiptar që jeton në këto treva është popullsi sllave e “shqiptarizuar me forcë e dhunë nga shqiptarët”.

Në përfundim dua të vë në dukje se, fatkeqësisht vepra e Selishçevit nuk është studiuar nga studiuesit e specialistët tanë, jo thjesht për ta njohur, por për t’ju kundërvu shkencërisht, sepse edhe sot e kësaj dite, për shumë politikanë e shkencëtarë antishqiptarë sllavë, e jo vetëm, por edhe për disa politikanë, ai mbetet “klasik” për studimin e këtyre problemeve. E më qartë se kudo kjo u pa qartë para disa vitesh, me botimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, ku, krahas të tjerave, idetë e tezat e Selishçevit lidhur me tokat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore e popullsinë shqiptare aty, ishin “bazë e argumente shkencore”, për ato të pa vërteta e broçkulla që u shkruan aty, aq sa mbas disa kohësh, Shkupi zyrtar u detyrua ta heqë nga qarkullimi.