LAJMI I FUNDIT:

Pushteti

Pushteti

Nga: Eduardo Galeano (fragment nga libri “Me këmbë përpjetë: Stili i botës së prapthi”)
Përktheu: Bajram Karabolli

Ka disa dekada që shkrimtari argjentinas Roberto Arlt tregon për dikë që donte të bëhej deputet. Ky politikan, në fjalën e tij, midis të tjerave, thoshte:


“Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj … Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë …”

Sipas shkrimtarit argjentinas, kjo do të ishte një formulë e sigurt suksesi, sepse të gjithë të pandershmit flasin për ndershmëri dhe njerëzit ushqehen me gënjeshtra. Një politikan brazilian, Adhemar de Barros , kandidat për deputet në elektoratin e shtetit të San Paulo, shpalli hapur moton “Vjedh, por bëj”.

Ama nuk ka asnjë grabitës të fondeve publike të deklarojë: “Kam vjedhur dhe kam rregulluar jetën time, kam vjedhur dhe jam bërë i pasur”. Ata betohen se gjithçka e bëjnë për partinë, për popullin, për atdheun. Pra, këta politikanë grabitkan për atdheun, por gjënë e grabitur e çojnë në shtëpinë e tyre.

Sot formula e Roberto Arlt nuk funksionon aq lehtë. Asnjë politikan brazilian nuk e bën dot më atë që bëri Adhemar de Barros.

Si rregull i përgjithshëm, është provuar se deputetët që marrin më shumë vota veprojnë si artistë të vërtetë teatri, zgjedhin maska sa më të mira dhe realizojnë shfaqje sa më të bukura. Siç thotë një shkrimtar tjetër argjentinas, José Pablo Feinmann, suksesi zgjedhor zakonisht shpërblen fjalimin e gënjeshtërt dhe personalitetin e shtirë.

Ashtu si superheronjtë, Supermen dhe Batman, shumë politikanë profesionistë kultivojnë skizofreninë, sepse ajo u jep superfuqi, ashtu si i ndrojturi Clark Kent që bëhet Supermen vetëm duke hequr syzet, apo i shpëlari Bruce Wayne që bëhet Batman, sapo vesh mantelin e lakuriqit të natës.