LAJMI I FUNDIT:

Selimi për FT: Kosova bëri rrugë të gjatë, për tetë vite të shkurtra

Selimi për FT: Kosova bëri rrugë të gjatë, për tetë vite të shkurtra

Gazeta e njohur Financial Times ka botuar një editorial nga zëvendës ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, si reagim ndaj pohimeve që në Kosovë sundon kaosi politik.

Më poshtë e përcjellim në tërësi tekstin e ministrit të Punëve të Jashtme, në detyrë, Petrit Selimi:


Analiza e Tony Barber mbi situatën politike në Kosovë është një lexim i dhimbshëm por nuk e tregon tërë rrëfimin e Kosovës.

Kosova sapo ka festuar përvjetorin e tetë të pavarësisë para dy javëve dhe me standarde të zakonshme, mund të vlerësohet se kemi shkuar shumë larg në këto vite të shkurtra.

111 shtete e kanë njohur pavarësinë, përkundër armiqësisë së vazhdueshme, për keqardhje, të Serbisë dhe Rusisë ndaj neve.

Ish armiqtë tanë kanë arritur ta shtyjnë anëtarësinë e Kosovës në organizatat botërore të shkencës dhe kulturës si UNESCO, me ndihmën e Koresë Veriore dhe regjimit të Bashar al-Assadit, që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në këto organizma.

Megjithatë, Kosova ka vazhduar dialogun me Serbinë në normalizimin e marrëdhënieve dhe ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, marrëveshjen e parë formale politike dhe tregtare të para-anëtarësimit me Brukselin. Kosova po ashtu tanimë është shtet olimpik dhe do të merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike në Rio këtë verë.

Qeveria jonë po ashtu është njohur botërisht për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin tonë në koalicionin global kundër ISIS.

Edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Xhon Kerri ka folur gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë duke pohuar se kosovarët janë liderë rajonalë në luftimin e ekstremizmit dhe promovimit të dialogut ndërfetar.

Natyrisht, të gjithë dëshirojmë që ndryshimi të jetë më i shpejtë.

Edhe pse e kemi shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë 8 viteve të shkuara, kemi ende gjëra për të plotësuar në agjendën tonë Euro-Atlantike.

Kemi shpresë se këtë muaj Komisioni Evropian do të dërgoj një ekip në Prishtinë që, siç shpresojmë dhe presim, të konfirmojnë se kemi plotësuar 8 kriteret e fundit nga 95 sosh që i kemi pasur për të arritur liberalizimin e vizave me BE-në.

Ne po ashtu shpresojmë së në samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë, kosovarët do të fitojnë siguri për pozitën dhe rolin e tyre të merituar në arkitekturën e sigurisë evropiane.

Por, për të implementuar agjendën tonë ambicioze politike dhe ekonomike, kemi nevojë për përkrahjen e aleatëve tanë në Evropë dhe SHBA. Populli ynë ka nevojë të dijë se nuk jemi të harruar nga liderët evropianë në Bruksel, Berlin dhe Londër dhe se perspektiva jonë evropiane, përfshi anëtarësimin eventual në BE dhe NATO, të jetë reale.

Përveç liberalizimit të vizave, është kruciale për të ardhmen e Kosovës, që popullata jonë e re dhe e arsimuar të ketë qasje në programet dhe politikat evropiane si dhe instrumentet multilaterale ndërkombëtare.

Zgjedhja e ish kryeministrit Hashim Thaçi si president i Kosovës në Kuvendin tonë të premten e kaluar ishte e rëndësishme për procesin tonë demokratik. Demokracia dhe procedurat parlamentare nuk do të munden nga koktejet e molotovit dhe gazi lotsjellës.

Interesat tona kombëtare më së miri shërbehen duke qenë anëtar aktiv dhe i plotë i bashkësisë ndërkombëtare si dhe duke vazhduar rrugëtimin tonë në integrime evropiane.

Përparimi i Kosovës nuk do të mbahet peng nga nacionalistët në Serbi dhe Kosovë, obsesioni i të cilëve me konfliktin e kaluar dhe diskursin etnik mund të dëmtojnë të ardhmen tonë.