LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Barbara Bosworthit

Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Barbara Bosworthit

Në një bisedë me gazetarin e ditores Guardian, Edward Siddons, fotografja e njohur Barbara Bosworth, flet për foton e saj më të mirë – Hënën e mesverës mbi Boston. Rrëfimin e saj Telegrafi ua sjell më poshtë.

E kam bërë këtë foto në një fushë të hapur e të madhe pranë shtëpisë sime në Boston. Ishte mesditë dhe qielli krejtësisht i qartë – ose aq i qartë sa mund të ishte mbi qytete ato ditë. Ndotja e dritës po e ndryshon mënyrën se si shohim yjet, dhe kjo jo për më mirë.


Unë punoj me format të madh, me kamerat 8×10. Nuk është elektronike, por veç një kuti e zezë me film në të. Është proces i ngadaltë për çka mund të rrija deri në orët tre-katër të mëngjesit. Duhet kohë për të vendosur pajisjet e mia dhe disa imazhe mund të kërkojnë një orë për t’u ekspozuar tamam. Ta merr kohën kjo, por është pjesë e argëtimit: të rrish vetëm në natyrë duke soditur qiellin, është mënyra se si e kaloj kohën edhe ashtu, kështu që pse të mos e bëj një foto të kësaj?

Ishte ngjyra e kësaj të shtëne që më rrëmbeu. E kaltra është ngjyra e zbrazëtisë, qoftë deti i thellë apo qielli i thellë. E kaltra gjithashtu flet për misterin e hapësirës dhe të natyrës: ideja se këtë dritë yjesh që e shohim çdo natë është miliona vjet e vjetër, se ka udhëtuar nga distanca të paimagjinueshme, kjo është diçka që kurrë nuk më mërzit.

Nuk jam shkencëtare, por gjithnjë kam pasur interes për zhvillimet shkencore, që nga fëmijëria. Veç kur fillova të hulumtoj historinë e fotografisë, e kuptova se si hapësirë ​​gjithmonë i ka interesuar fotografët dhe se si më ndihmoi në gjetjen e disiplinës sime. Të gjitha ato lloje të hershme të fotografisë – dagerotipet, cianotipet – ishin të rëndësishme në njohjen tonë të parë të kozmosit. Disa nga kamerat më të avancuara teknikisht janë zhvilluar për të parë thellë në hapësirë. Dhe, disa nga përparimet më të mëdha të astronomisë kanë ardhur nga lentat e teknologjisë së lartë, duke zbuluar gjëra që syri i njeriut kurrë nuk do të mundte.

Një nga frymëzimet e mia më të mëdha për fotografinë hapësinore, ishte Galileo. Mbaj mend duke parë vizatimet e Hënës dhe të Jupiterit në librin e tij, “Sidereus Nuncius” (1600), dhe vizatimet e tij të Diellit në “Istoria e Dimostratizioni” të vitit 1613, kur isha në të 20-at. Vizatimet e tij të Kozmosit ishin magjepsëse për mua. Nuk mund ta lexoja tekstin italian, por ajo që përjetova kur pashë vizatimet ma ndryshoi jetën. Ma mësoi fuqinë e një imazhi, sado e thjeshtë të jetë. Galileo ishte një nga të parët që përdorte teleskopin dhe ndër të parët që u përpoq të bënte hartën e Kozmosit. Në disa aspekte, kjo fotografi është homazh për të dhe për përpjekjet e tij. E, aparati im fotografik e ofron vizionin e vet të mistereve të hapësirës.

Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit
Lexo po ashtu Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

Ka edhe një arsye personale për dashurinë time për qiellin e natës: fëmijëria ime. Babai donte të shihte udhëtimin e lehtë të dritës nëpër peizazh. Mendoj se ishte kjo ndjesia e tij e çuditshme që më frymëzonte. Shëtitjet e gjata me të u bënë një përvojë e rëndësishme lidhëse mes nesh, duke qenë veç me njëri-tjetrin nën qiellin e natës.

Mendoj se puna ime është mjaft e pazakontë. Në një botë të imazheve të menjëhershme, është e çuditshme të bësh fotografi me aparat kaq të vjetër e të lodhtë. Unë nuk do të thosha se po reagoj kundër shpejtësisë apo çastit të sotëm të botës së fotografisë, por është mënyra se si kam vepruar përherë dhe se si do të vazhdoj të punoj.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të bësh foto të tilla. Ndotja e dritës po na bën gjithnjë e më të vështirë që të gjejmë një qiell vërtetë të errët, ku mund të shohim konstelacionet dhe yjet. Dhe, kjo është duke pasur ndikim të dëmshëm në botën natyrore – duke ndryshuar modelet e migrimit të shpendëve dhe duke ngatërruar ekosistemin. Por, është gjithashtu edhe një turp për njerëzimin. Ndjenja kur sheh pafundësinë e qiellit të natës nxit një ndjenjë frikë që është goxha universale. Kjo është e rëndësishme në një kohë kur njerëzit po bëhen më të ndarë. Duke parë diçka kaq të madhe, kjo i bën njerëzit të mendojnë se jemi goxha të parëndësishëm, e se ndoshta duhet të varemi nga ata rreth nesh dhe të fillojmë të kujdesemi për Tokën e vetme që kemi.

“CV”-ja e fotografes Barbara Bosworth

Viti dhe vendi i lindjes: Klivlend, Ohajo, 1953.

Trajnimi: Master i Arteve të Bukura në Institutin e Teknologjisë të Roçesterit.

Ndikimet: John Constable, Caroline Herschel, Emily Dickinson, Anne Carson dhe Asher B Durand.

Suksesi më imadh: “Të fotografosh çdo ditë.”

“Dështimi”: “Nuk kam.”

Këshilla kryesore: “Bëjë fotografi, lexo shumë dhe shko kudo që kjo të çon.” /Telegrafi/