LAJMI I FUNDIT:

Reshat Sahitaj, promovues i letërsisë sonë në Evropë

Reshat Sahitaj, promovues i letërsisë sonë në Evropë

Reshat Sahitaj ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hadrit, më të cilin veproi deri në vrasjen e tij. Pas vrasjës së Enver Hadrit, Reshat Sahitaj ishte urë lidhësese në mes personaliteteve të Parlamentit Evropian dhe atyre nga Kosova

Reshat Sahitaj ndikoi që Parlamenti Evropian të shpërblente Adem Demaçin më çmimin më prestigjioz “ Sakharov” në dhjetor 1991, si dhe më vonë i njëjti çmim iu nda edhe Ibrahim Rugovës.


Që nga qershori 1999, Reshat Sahitaj jeton në Kosovë, merret më letërsi dhe është nen kryetar i rrjetit botëror të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Letrarë (A.I.C.L.), me seli në Paris.

Fillimet e një rebeli gjatë sistemit okupues

Reshat Sahitaj që nga vitet e 70-ta ishte emër i njohur në opinionin tonë fillimisht si ndër recitatorët më të mirë ku bashkë me Bislim Muçajn, Fadil Hysaj, Nezir Istrefi, Samedin Latifin, Xhevat Limanin e disa të tjerë e përfaqësonin Kosovën në gara federative të asaj kohe.

Disa vite më radhë ishte moderator i SH.K.A. “Jehona” ku këndonin Shkurte Fejza, Shpresa Berisha, Refki Reshitaj, Shyhrete Behluli, Eqrem Zeneli etj.

Me angazhimin e tij në dramën “Sfinga e gjallë” (në rolin e Habilit), në regji të Sefo Bejta Krasniqit, emri i tij do të bëhej i njohur për opinion e gjerë, e pastaj do të përforcohej në role të ndryshme si në “Vdekja e Gjergjezit” në Radio Prishtinën, ku luan krahas Shani Pallaskës, Çun Lajçit etj. Pastaj në vitin 1978, në filmin televiziv “Rropullari” përkrahë Selman Jusufit, Fatime Sefajt, Selman Lokajt, etj.

Për shkaqe politike detyrohet të largohet nga Kosova në vitin 1979, ku do të qëndrojë dhe veprojë pa ardhur asnjëherë në Kosovë deri më 17 qershor 1999.

Në Bruksel angazhohet në Lëvizjen Kombëtare duke qenë aktiv në organizimin e demonstratave, në takime të rëndësishme me personalitete politike të njohura evropiane për sensibilizimin e dramës kosovare si dhe në organizime të ndryshme kulturore në shumë metropole botërore që nga Brukseli deri në Nju Jork.

Me kthimin e tij në Kosovë në qershor të vitit 1999, Reshat Sahitaj i kushtohet literaturës dhe filmit, ku gjer më tani ka luajtur disa role dhe ka shkruar një varg romanësh. Në shtypin tonë të përditshëm shkruan analiza politike, kritikë letrare, kritikë film dhe teatër.

Është kryetar i “Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë” dhe nën kryetar i Asociacionit Ndërkombëtar i Kritikëve Letrar” me seli në Paris.

Reshat Sahitaj para lexuesit francez ka dalur më romanin e tij “ L’embuscade” nga shtëpia botuese “L’Harmattan” , një roman që është vlerësuar nga kritikët francezë si: Héléne Stafford , Laurent Grison, Nicole Barriere etj. Është për t’u theksuar se gjatë marsit 2019, më ndërmjetësimin e tij, u botuan dymbëdhjetë poetë nga të gjitha trojet shqiptare në gjuhën frënge dhe në fund të këtij viti pritët botimi i përmbledhjes më tregime të tridhjetë autorëve shqiptarë, gjë që kjo ngjarje është një ngjarje historike për letërsinë shqiptare.

Në mes politikës dhe artit, kurrë më parë të shpalosura për opinion

Duke pasur parasysh se gjatë viteve të rinisë ju keni qenë shok më Sefo Bejta Krasniqin, Teki Dervishin, Jusuf Gëvallën e pastaj në Bruksel shok dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hadrit, a mund të na thuani se ku e gjeni vetën më shumë: në politikë apo në letërsi?

Shikoni, vitet e rinisë ishin vite të bujshme, ku një pjesë e rinisë së asaj kohe e në të cilën bëja pjesë edhe unë më shokët tjerë, ishim të bindur se më vdekjen e Titos shteti jugosllav do të shkapërderdhej, e ne shqiptarët do e fitonim lirinë. Nuk duhet të harrohet se këtë koncept të lirisë sonë, na e solli nga Zagrebi regjisori i filmit, i porsadiplomuar Sefo Bejta Krasnqi, i cili ishte mësues i Jusuf Gërvallës. Thonë se Suzana i ka të gjitha letrat e Jusufit dhe shpresoj që një ditë të dalin në dritë letrat e Jusuf Gërvallës dërguar Sefës gjatë kohës sa ne ishim në Bruksel e ai në Gjermani.

Sefa ishte një intelektual i kalibrit evropian, që fliste anglishten e frëngjishten dhe përveç literaturës profesionale për film, ai kishte lexuar edhe literaturë të përgjithshme. Na rrëfente për bisedat më profesorët e tij në Zagreb që i kishin thënë se, lehtë është të bëhesh regjisor, por vështirë të mbetesh regjisor shqiptar. Pavarësisht se Teki Dervishi ishte i burgosur politik, kur fliste Sefa e dëgjonte më vëmendje dhe ndjente një gjallëri dhe shpresë për një përmbysje të sistemit të asaj kohe. Edhepse Jusuf Gërvalla ishte emër i njohur në kulturë, ndaj Sefës kishte një respekt të veçantë. Sefo Bejta Krasniqi ishte boshti i një organizimi të elitës kulturore.

A i keni vazhduar bashkëpunimin me Jusuf Gërvallën edhe në diasporë?

Ende nuk arrita t’i përgjigjem pyetjes së parë, por pasi që është bashkëbisedim po bisedojmë ashtu siç e kërkon rasti. Më të ardhur Sefa nga Zagrebi në Kosovë, i filloi përgatitjet e dramës “Sfinga e gjallë “ ku asokohe mua dhe Bislim Muçajn na angazhoi në dy rolet kryesore. Më këtë shfaqje e fituam vendin e parë në Jugosllavinë e asaj kohe, mirëpo pikërisht “Sfinga …” ishte ajo që na nxori ballafaqimet e para më sistemin e asaj kohe e që u keqësuan më dramën “Anija e vjetër” nga Resul Shabani. , pas së cilës Sefën e kidnapuan pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror, më ç’rast e mbajnë të mbyllur tri ditë duk e kërcënuar dhe ne fund e lirojnë.

Pas këtij kidnapimi, unë dhe Sefa kemi ikur nga Kosova pak muaj para Jusufit. Më të dalur Jusufi në Perëndim, i shkruan Sefës një letër të cilën e dërgon të Muharrem Berisha. Viti 1981 ishte vit i ringjalljes së diasporës shqiptare kudo në Evropë. Në Bruksel më 13 prill 1981, nga Enver Hadri , Vehebi Ibrahimi, unë e Gani Azemi, u organizua demonstrata e parë në përkrahje të kërkesave të studentëve. Në Gjermani Jusuf Gërvalla merrej më organizime, poashtu. Situata ndërshqiptare ishte e ndërlikuar: ne në Bruksel manifestonim më emër e mbiemër dhe me flamur pa yll, ndërsa në Gjermani Jusufi e Ibrahim Kelmendi pa emër e flamur me ylli. Më ftesën e Jusufit për një bashkëpunim dhe koordinim në Frankfurt shkova unë , Behare Rexhepi dhe Gani Azemi. Pra, më Jusufin brenda një viti jemi takuar dy herë në Gjermani.

T’i përgjigjem pyetjes së parë. Vetën e gjej më së shumti në letërsi se sa në politikë. Politikën duhet ta udhëheqin dhe proceset t’i çojnë përpara gjenerata e re, ndërsa gjenerata ime duhet të përjetojë kënaqësi që më në fund e kemi shtetin tonë. E gjej vetën në letërsi, sepse aty zhytem në botën misterioze të personazheve të mi. Është një fushë e pakufizuar në hapësirë e kohë. Letërsia është një fushë enigmatike që gjatë shkrimit harroj se ku jam. Pra, më shumë përjetoj kënaqësi duke shkruar sesa në politikën e sotme ku shqiptari për shqiptarin është bërë armik.

Fillet e para në letërsi

Publiku ynë Reshat Sahitajn e njeh përmes filmave, përmes aktiviteteve politike të dikurshme e këto njëzetë vitet e fundit edhe përmes romaneve tuaja. Na tregoni si është e mundur qe nga aktori i dikurshëm në politike tani në letërsi?

Në fakt, fillimet e mia janë në letërsi. Si shumica e të rinjve edhe unë si i ri kam shkruar, por jo poezi. Të gjithë shokët e gjeneratës sime shkruanin poezi që ia kushtonin dashnorëve të tyre, e unë isha i vetmi që në orët letrare lexoja tregimet e mia dhe i recitoja poezitë e tjerëve. Gjatë një konkursi letrar në “Rilindja”, për nxënësit e shkollave të mesme, pa e njohur askënd në redaksi, unë e fitova vendin e dytë për tregimin më të mirë. Imagjinoni se çfarë kënaqësie ishte që në vitet e ’70-ta , të lexosh tregimin me emrin tënd në të vetmen gazetë ditore. Kam përshtypjen se tani për autorët e ri, nuk është e njëjta kënaqësi.

Pse tani nuk është kënaqësia si dikur?

Janë shumë faktorë që ndikojnë në përjetimin e kënaqësisë kur një autor i ri, sot e boton një poezi apo tregim në shtypin tonë. Sot kemi shumë gazeta ditore dhe pakkush e ka lexuar shkrimin e një krijuesi të ri. Faktor tjetër është, tani nëse ke para, botuesit t’i botojnë shkrimet pa asnjë kriter. Faktor i tretë – nëse je vajzë e bukur dhe i vardiset botuesit, botuesi ia boton, pa hezitim. Pra, në këtë mënyrë ka humbur kënaqësia e vetë autorit, sepse ai/ajo nuk kanë pse të gëzohen kur e dinë se botohet, ngase kishte paguar ose iu është vardisur. Ai/ajo paraparkisht e di që ka për t’u botuar dhe se do të fitojë ndonjë çmim. Në kohën time, ne nuk kemi pirë kafe më Esat Mekulin, Nazmi Rrahmanin apo ndonjë tjetër që t’i influencojmë. Në ato kohë nëse je botuar , shkrimi ka pasur vlerë artistike.

Sot, a ka vlera të mirëfillta artistike, apo nuk ka?

Si në çdo kohë edhe sot, ka vlera artistike siç ka edhe jo vlera. Në botë si edhe në Kosovë, ka shumë autorë më vlera të larta artistike, mirëpo të gjithë nuk janë të njohur, e ka autorë të cilët kanë vdekur kurrë pa arritur të bëhen të njohur. Për të arritur një renome kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të kesh fat dhe kontakte si dhe vlera. E keqja më e madhe është se, sot vlerat e mirëfillta injorohen dhe anashkalohen nga disa klane letrare që vetën e konsiderojnë elitë, e në fakt nuk janë asgjë përveçse antivlera , që na servirohen si vlera. Kjo “elitë” krijuesish të përkrahur dikur nga sistemi okupues e sot nga çdo qeveri jona, marrin fonde të paskajshme e nuk bëjnë asgjë. Ka shumë raste që kjo “elitë” keqpërdorë shuma marramendëse për hiçgjë, por rasti më eklatant është harxhimi i qindra, mijëra eurove për një vizitë në Venedik për të ekspozuar antivlera.

Letërsia shqiptare e barabartë më atë evropiane

Pasi jemi të vlerat dhe antivlerat, dhe duke u bazuar se ju jeni nënkryetar i rrjetit të shkrimtarëve dhe kritikëve më të fuqishmit në botë, na thuani ku qëndron letërsia shqiptare nëse e krahasojmë më atë evropiane?

Letërsia evropiane, respektivisht botërore, ka shkuar shumë përpara. Letërsia jonë nuk qëndron dobët në krahasim më atë evropiane. Kur them se nuk qëndrojmë larg , mendoj për një pjesë të vogël të krijuesve shqiptarë, të cilët lirisht mund të barazohen më krijuesit tjerë, mirëpo për fat të keq autorët tanë nuk janë të përkthyer në gjuhë të huaja. Madje, qëndron fakti tjetër se, edhe nëse je i përkthyer, pas autorit duhet të qëndrojë një ekip që merret me post-botimin e librit. Që dikush të merret më një autor, duhen mjete materiale për dreka e darka, për promovime e kokteje si dhe për pjesëmarrje në takime të ndryshme ndërkombëtare. Në këtë aspekt , Kosova dhe Shqipëria janë në fund të pusit, sepse subvencionet për përhapjen e kulturës sonë janë minimale ose japin shuma marramendëse për gjëra që nuk duhen dhe për militantët e partive në pushtet.

Megjithatë, Unioni i Shkrimtarëve që e udhëhiqni ju, ka më shumë se një dekadë që organizon manifestime ndërkombëtare të përkrahur nga MKRS, nëse nuk ju subvencionojnë, si arrini të organizoni kaq shumë manifestime kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare?

Organizimet tona letrare janë të përkrahur nga MKRS-ja, por shuma që ne përkrahemi, është herë dymijë, e herë katërmijë euro. Të ftosh 15 shkrimtarë të njohur evropianë të vinë në Kosovë më një shumë të tillë është mision i pamundur, por që ne ia dalim. Për fat të mirë pronarët e hoteleve janë ata që gjer më tani na kanë ndihmuar, duke na i lëshuar dhomat herë pa pagesë e herë më çmime tepër të ulëta, poashtu edhe pronarët e restauranteve. Një organizim i ngjashëm më organizimin tonë, që e bëjnë Maqedonia e Veriut, ata ngjarjen e tyre e subvencionojnë me dymilionë euro, kurse ne me katërmijë euro. Shtrohet pyetja: krijuesit e huaj, a shkojnë më me dëshirë në Maqedoni, sepse atje u sigurohet një pritje madhështore jo vetëm nga krijuesit vendorë, por edhe nga personalitetet politike. Është për t’u çmendur kur e mendon se në Kosovë Ministri i Kulturës nuk vjen në hapje e as nuk i pret mysafiret e huaj në zyre. Ka 15 vite që organizojmë takime ndërkombëtare dhe kurrë asnjë ministër i kulturës nuk na ka pritur përveç ministrit Behxhet Brajshori. Si mundemi t’ia themi shkrimtarëve dhe kritikëve të huaj se ministri i kulturës nuk interesohet për kulturën e shtetit nga i cili paguhet?!

Dy kandidatë nga Kosova për Çmim Nobel

Pavarësisht mungesës së mjaftueshme të mjeteve materiale , ju keni arritur që Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja të kandidojnë për Çmimin Nobel , njëri për Paqe e tjetri për Letërsi. Si është e mundur një arritje kaq e madhe dhe historike për Kosovën?

Është një fakt i pakontestueshëm se nominimi zyrtar i Adem Demaçit nga Akademia e Nobelit është arritje historike. Për herë të parë në historinë e popullit tonë u propozuan dy kandidatë nga Kosova dhe morëm letrën zyrtare se janë në konkurrencë zyrtare. Kurrë më parë një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë e as në Shqipëri. Çuditërisht shtypi dhe mediet elektronike e heshtën këtë ngjarje madhore ndërkombëtare, sikur asgjë të mos kishte ndodhur apo e trajtonin si diçka normale. Është nder dhe konsiderohet ngjarje kombëtare kur një personalitet i një shteti emërohet dhe pranohet kandidatura e tij nga Akademia e Nobelit. Në Kosovë e heshtën, ndërsa televizionet në Shqipëri as që donin të dinin për këtë nominim zyrtar.

Edhepse të nominuar zyrtarisht, ndonëse nuk kishim asnjë cent për të lobuar, qeveria jonë nuk pranoi të ndihmonte madje as një cent. Në anën tjetër Ismail Kadare kurrë nuk është propozuar nga Tirana e as nga Prishtina , por nga shoqata tjera të huaja, ndërsa Demaçi e Qosja u propozuan nga Unioni i Shkrimtarëve dhe kjo këtë ngjarje më përmasa botërore e bënë të veçantë.

… dhe nuk fituan as Demaçi e as Qosja?!

Jo! Mirëpo, nuk po fiton as Kadare, i cili nuk pushon së garuari çdo vit. Po të kisha konkurruar unë me Qosjen dhe Demaçin çdo vjet, shqiptarët do të talleshin e do na bënin skeçe. Është shumë e rëndësishme se për Demaçin dhe Qosjen kanë nënshkruar emra të njohur nga Izraeli, Rusia, Franca, Belgjika, Gjermania, Italia…, dhe që viti 2017 do të mbetët në analet e historisë së Nobelit, deshën apo nuk deshën disa shqiptarë të cilët, atë ditë, u gëzuan kur Demaçi nuk fitoi.

Kultura është ambasadori më i mirë i një populli, a mendoni se gjatë viteve në vazhdim krijuesit shqiptarë do të kenë sukses në aspektin ndërkombëtarë?

Pavarësisht mungesës së pamjaftueshme të mjeteve materiale, ne jemi duke punuar sistematikisht në këtë drejtim. Gjatë viteve 2017 dhe 2018, ne kemi botuar në Paris, djepi i kulturës botërore, dy vepra: një roman dhe një përmbledhje më poezi. Botimi i këtyre dy veprave është një arritje e madhe për letërsinë shqiptare. Këtë vit, ne kemi arritur të botojmë dymbëdhjetë poetë shqiptarë në Antologjinë botërore të poezisë që është botuar në Francë. Asnjëherë më parë askush nuk ka arritur t’i botojë dymbëdhjetë autorë shqiptarë në Francë. Më këtë rast, unë isha i ftuar në një televizion francez për një intervistë. Është hera e parë që një autor, pas Ismail Kadaresë, të intervistohet në një televizion francez dhe, atë në lajmet qendrore.

Në dhjetor të këtij viti, Shtëpia botuese “L’Harmattan” me qendër në Paris, do t’i botojë tridhjetë krijues shqiptarë nga të gjitha trojet me titull “Tregime shqiptare të dashurisë”. Promovimi i kësaj vepre madhore do të organizohet në Paris, nëse MKRS do të ndihmojë shkuarjen e disa autorëve në Francë.

Pra, ne jemi duke e bërë një punë kolosale në favor të ngritjes së imazhit të shqiptarëve, mirëpo kjo nuk po gjen gjuhë të kuptueshme në institucionet tona, sepse unë dhe ekipi im nuk jemi militantë të asnjë partie politike. Ne shqiptarët aktualisht e kemi një Ismail Kadare më të cilin jemi krenar, e në anën tjetër ne jemi qe më së shumti e sulmojmë. Pse ?! Ne jemi të prirur të punojmë mbrapshtë dhe t’i xhelozojmë të gjithë ata që kanë sukses e që janë në mesin tonë. Ne i adhurojmë ata që nuk i njohim e jo ata që i kemi afër.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Teknologji
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Florin Krasniqi kërkon mbi 28 milionë euro dëmshpërblim nga Mali i Zi

Florin Krasniqi kërkon mbi 28 milionë euro dëmshpërblim nga Mali i Zi

Ekonomi
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Botë
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Kalo në kategori