LAJMI I FUNDIT:

Remitencat, shenjë e varfërisë

Remitencat, shenjë e varfërisë

Një raport i Bankës Botërore vlerëson se çdo vit 10 mijë kosovarë largohen nga shteti. Diaspora kosovare, që jeton kryesisht në shtetet perëndimore, sipas statistikave të Bankës Qendrore, përmes dërgesave, vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë familje kosovare.

Ministria e sapoformuar e Diasporës, përveç remitencave, po shqyrton mundësinë e krijimit të një ambienti më të mirë, që mërgimtarët të investojnë në Kosovë.

Përfaqësuesit e kësaj ministrie, në konferencën “Migracioni dhe zhvillimi ekonomik në Republikën e Kosovës”, u zotuan se do të krijojnë një ambient më të mirë, për tërheqjen e investimeve të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

Zëvendësministri Qerim Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë.


“Diaspora e Kosovës është shumë e lidhur për familjet e tyre dhe vetë Kosovën. Solidariteti i tyre dhe ndihma financiare është shumë e njohur. Shumë familje që jetojnë në Kosovë varen nga ndihma e familjarëve të tyre që punojnë jashtë vendit. Shpresojmë që mërgimtarët, të cilët jetojnë jashtë Kosovës, edhe në të ardhmen të kenë mirëkuptim që ta ndihmojnë vendin e tyre në rrugën drejt zhvillimit demokratik, ekonomik, si dhe për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Bajrami.

Në këtë konferencë u publikua dhe një raport i Bankës Botërore, në të cilën vlerësohet se mijëra qytetarë largohen nga Kosova çdo vit. /Telegrafi/