LAJMI I FUNDIT:

Regjimi i Beogradit nuk nxjerr mësime nga socialdemokratët e dikurshëm serbë

Regjimi i Beogradit nuk nxjerr mësime nga socialdemokratët e dikurshëm serbë
Ilustrim

Cili ishte qëndrimi i social-demokratëve serbë përballë regjimit të Beogradit, në raport me shqiptarët?

Socialdemokrati serb Dushan Popoviq, në vitin 1912 ka shkruar: Njeriu si individ do të mund të fillonte ndonjë zgjidhje të këtij problemi nga “pika e vdekur”, vetëm nëse paraprakisht ka arritur një shkallë civilizimi të pjekur.


Së pari, është detyrë dhe obligim që ai individ ta njohë jo vetëm veten dhe hijen e vetë, por edhe çka mendon edhe djalli që qëndron përbrenda tij, ai që merr frymë brenda tij, ai uni i sëmur dhe i stërkequr me shekuj. Kjo nuk arrihet pa përpjekje të brendshme, por as pa mundime e vuajtje kur shfaqen valët e tërbuara që i zbuloni brenda vetvetes. Individi duhet të tejkalojë adoleshencën e veprimit të tij emotiv e të papjekur gjatë reagimit. Duhet të tejkalojmë gjykimin e papjekur gjatë reagimit dhe mendimin e pazhvilluar për bashkëjetesë, duke çrrënjosur njëherë e mirë dashurinë qorre për pushtet.

Për nisjen e formimit të një njeriu në përgjithësi nga “pika e vdekur”, për të arritur ndonjë shkallë pjekurie, është detyrë dhe obligim që ai individ të njoh edhe hijen e vet, anën e errët të unit që jeton brenda tij, të arrij ta mposhtë inferioritetin e vet të sëmur.

Kjo nuk arrihet pa përpjekje të brendshme dhe jo pa mundime e vuajtje të mëdha, pikërisht atëherë kur individi e zbulon këtë sëmundje brenda vetes. Tjetër rrugë për individin inferior, të sëmur në shpirt, nuk sheh. Dhe ky i sëmur konkret është populli serb.

Nuk duhet të çuditemi nga horizonti i ngushtë e i mjerë i oficerëve serbë të cilët regjimi i ka mësuar të vrasin e masakrojnë me gjakftohtësi dhe dhjetëra mijëra shqiptarë, fëmijë, gra, pleq e të sëmur dhe këto masakra t’i konsiderojnë heroizëm të tyre. Nuk duhet të habitemi as nga mentaliteti i pushtetit serb që u jep këso urdhrash pa kokërr morali, vetëm për t’ua shtuar apetitin për shfarosjen e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre. Njerëzit me një botëkuptim dhe politikë të tillë ngrihen në kulmin e hierarkisë politike në Serbi.

Kur individëve apo një populli të caktuar i ndodhin këto fatkeqësi, atëherë secili që dëshiron të mendoj i lirë për ngjarjet, do të duhej të shtronte pyetjen: sa jemi na vet fajtor që kemi kontribuar që shqiptarët të na urrejnë?! Ku dhe kur kemi gabuar?

Vladeta Jerotiq ka theksuar në një shënim mbi ngjarjet në Kosovë: Të qeveritarët serbë shohim egërsinë e një adoleshenti, papjekurinë emotive gjatë reagimit, nivelin e pazhvilluar civilizues për jetë në bashkësi. Shohim te populli serb kultivimin e rrezikshëm të elementeve të individualizmit anakronik brenda vetës, sëmurjen kronike për pushtet, tejçmimin e forcave të veta biologjike e intelektuale, dhe krejt kjo shpie drejt vetasgjësimit dhe humbjes së fuqisë për mbijetesë duke arritur në shkallën e mungesës së plotë të vetëdijes.

Miodrag Jeremiq shkruante: Gazeta “Politika” është organ i shovinistëve dhe provokatorëve serbë. Ajo gazetë është organ i borgjezisë gjakatare serbe që manipulon masën me artikuj të quajtur “patriotik”. Shtypi qeveritar serb shkruan çdo të ligë kundër shqiptarëve. Faktet nga terreni dëshmojnë të kundërtën e asaj që shkruan shtypi qeveritar. Shqiptarët e bashkuar në kryengritje çliruan Shkupin. Ata në atë rast ata nuk plaçkitën as nuk vranë asnjë njeri të ndershëm. Askujt nuk iu pre koka në Shkup. Ata kryengritës nuk plaçkiten asnjë dyqan apo zejtari në Shkup. Arnautët në Kosovë janë njerëz të ndershëm. Këtë e dëshmojnë dyqanet e shumta të tregtarëve serbë që nuk u plaçkitën në asnjë rast. Në anën tjetër komitët tanë me uniforma ushtarësh plaçkitën çdo gjë që kishin shqiptarët. Ua morën drithin nëpër hambarë, grurin e misrin, bagëtinë në ahur apo në kullosë. Kur u pushtua Ferizaj kishin mbetur vetëm tre tregtarë katolikë shqiptarë, ndërsa të gjitha dyqanet tjera ishin të serbëve, por nuk u plaçkitën nga shqiptarët. Për këtë nuk shkruan askund shtypi borgjez serb. Edhe nëpër shkollat serbe është mbjell urrejtje pa fund kundër shqiptarëve dhe kështu qeveria e Beogradit ka rritur të helmojë edhe brezin e ri duke e rreshtuar në anën e komitës serbe që më uniforma ushtarake dhe në emër të gjithë serbëve nuk len të ligë pa bërë në viset e pushtuara shqiptare, shkruan Miodrag Jeremiq.

Socialdemokrati Dragisha Llapçeviq: Me politikën e qeverisë serbe janë krijuar aso kushtesh dhe rrethanash që për shumë vjet nuk do të pushojnë konfliktet dhe fatkeqësitë ndërmjet popullit shqiptar dhe serb. Serbia ka dërguar ushtrinë e saj për të pushtuar Shqipërinë deri në det me dëshirë që të nënshtrojë popullin shqiptar dhe ta robërojë atë. Kanë shkuar atje me pushkë e topa, por kanë arritur vetëm të zgjojnë vetëdijen e shqiptarëve për t’u ngritur në luftë për liri. Tagrin e kësaj politike barbare të qeverisë serbe e ka paguar populli serb me jetën e shumë ushtarëve të vet. Më rënien e Kumanovës, masa e shqiptarëve të ndjekur nga ushtria serbe që mbushi Shkupin, duke ikur para një ushtrie komitësh pa asnjë kokërr përgjegjësie dhe morali, gjeti vdekjen nga thikat serbe. Dhuna sistematike nuk u ndërpre as pas përfundimit të operacioneve luftarake, që në të vërtetë nuk ishin të tilla, pasi që ushtria serbe nuk kishte përpara ndonjë ushtri, por njerëz pa kurrfarë mbrojtjeje. Dikush ka menduar se pas pushtimit do të ndalet masakrimi i shqiptarëve, por nuk ndodhi kështu.

Mbi kokat e popullatës shqiptare të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit vazhdoi të qëndronte kujdestare thika serbe. Andejpari, askush që bie në gjumë nuk është i sigurt se do të zgjohet i gjallë. Gjatë natës, komita serbe i merr shqiptarët nga shtëpitë e tyre dhe i vret fshehtazi në vende të caktuara për të mos u gjetur kurrë as kufomat e tyre.

Kur kam kuptuar se komita serbe po bënë edhe këso krimesh mbi tërë një popull, kam parë se psikologjia e tillë ka dominuar në gjithë hierarkinë e pushtetit serb që nga ministri e deri të xhandari i fundit. Se kur do të ndalet kjo politikë e Serbisë ndaj shqiptarëve, nuk shihet asnjë gjurmë.

Dimitrije Tucoviq: Nga tentimi për ta okupuar Shqipërinë dhe gjithë kombin shqiptar qeveria serbe ka fituar vetëm urrejtjen e tyre. Kufirin me Shqipërinë nuk duhet ta ruajnë batalionet ushtarake serbe me pushkë e topa, por këtë duhet ta bëjë politika e kulturuar ndaj shqiptarëve për t’i bërë ata fqinjë dhe miq.

Gjithë veprat e socialdemokratëve serbl, edhe qeveria e tashme i ka hedhur nëpër skuta ku nuk mund t’i gjej askush. Asnjë nga veprat e Svetozar Markoviqit, Dimitrije Tucoviqit, Kosta Novakoviqit, Dushan Popoviqit, Dragisha Llpaçeviqit, Vlladeta Jerotiqit, Miodrag Jeremiqit e intelektualëve të tjerë serbë nuk i gjen në asnjë librari të Beogradit as të qyteteve tjera të Serbisë. Në vend të atyre veprave, sot nëpër libraritë dhe bibliotekat serbe gjeni veprat e Sheshelit e Mlladiqit, ndërsa nëpër sheshe e mure të qyteteve kanë vërshuar billbordët e krimineleve të luftës Mladiq e Karaxhiq.

Sa kohë që ka kaluar vetëm pas luftës së fundit, prej kur kanë filluar të ashtuquajturat bisedime serbo-shqiptare dhe saktësisht askush nga auditori nuk e di se çfarë marrëveshjesh janë nënshkruar. Me të mbaruar një raund bisedash, delegacioni i Kosovës, me plot gojën deklaronte se ka arritur marrëveshje historike. Në anën tjetër, edhe delegacioni serb bombardonte auditorin e vet se ka arritur ta ruajë shtetin e paprekur serb dhe Serbia nuk e njeh e as do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Nuk është hasur edhe një herë një deklaratë se ato marrëveshje janë zbatuar ndonjëherë.

Mjafton ta kujtojmë takimin e para pak muajsh bombastik në Ohër. Pala kosovare deklaroi publikisht, jo një herë, se ka pranuar dhe nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kreu i shtetit serb jo që pranoi marrëveshjen, por me deklaratat e tij ai u tall në çdo paraqitje publike.

Nëse kemi parasysh historinë e raporteve serbo-shqiptare, mund të konstatohet se Serbia zyrtare as që po mendon për paqe me shqiptarët e Kosovës. Ata pak serbë që mendojnë ndryshe nga zyrtarët aktual të Beogradit, moti janë përpjekur të thonë fjalën e tyre, por janë injoruar, përndjekur e shumë herë edhe janë likuiduar nga regjimi i tyre.

Gjithçka duket sikur po përsëritët nga ajo që është dëgjuar me shumë se një shekull.