LAJMI I FUNDIT:

Rapsodi dhe valltarja

Rapsodi dhe valltarja

Dashuria mes njerëzve nuk njeh limit. Jo pak të rinj, shekuj më herët, kishin kalëruar larg përtej Zezës për të parë botën. Megjithëse nuk kishte makina si sot, për të parë e prekur viset e reja, interesimi ka ekzistuar gjatë gjithë shekujve. Kështu janë zbuluar edhe skajet më të largëta të botës. Herë-herë nizamët e rekrutuar në ushtrinë e padishahut, edhe pasi kishin mbaruar afatin ushtarak nuk ishin kthyer në atdhe, megjithëse nuk ishin vrarë duke luftuar, mijëra kilometra larg vendlindjes. Ka ndodhur që nënat kanë vajtuar djemtë, pa ditur a janë gjallë apo të vdekur. Pak kush ka menduar që ndonjëri prej tyre mund të ketë gjetur dashurinë e jetës, në Jemen apo Azerbajxhan, mijëra kilometra larg Zezës. Rrëfimet për këto raste i kanë mbijetuar kohës me shekuj.

Akoma pëshpëritet se si, dikur moti, në Zezë ishte bërë i njohur rapsodi, me emrin Karapidik. Emri me të cilin e thërrisnin, ishte nofkë. Fjala Karapidik, në gjuhën e ushtrisë pushtuese, kishte kuptim të njeriut pa familje dhe pa farë pasurie. Ai këndonte rapsodi të moçme. Kishte aftësi të thurte edhe këngë të reja, kurdo dhe në çdo rast. Jo vetëm që këndonte, por ai edhe vallëzonte bukur, sa që të gjithë ia kishin lakmi. Shumë herë e thërrisnin në dasma, vetëm për vallëzim. Me kohë, jo që u bë këngëtar e valltar i njohur, por dallohej edhe si orator e falltar.


Historia e martesës së tij është krejt e veçantë. Fati i erdhi me ushtrinë pushtuese. Asokohe në të shumtën e rasteve, ordhitë shoqëroheshin edhe me muzikë fanfarash e vallëzime. Në ato vende që zgjidhnin për të pushuar, dhe për të vendosur çadrat, ushtarët, jo pak herë organizonin argëtime me këngë, valle dhe muzikë. Fanfarat dëgjoheshin larg. Sa herë dëgjohej muzika, tuboheshin shumë zijoshë. Sa herë kalonte ushtria andej, Karapidiku vraponte i pari. Ai qe një djalosh i zhvilluar, shtathedhur, i pashëm e i zhdërvjelltë. Kontaktet e rastit mes njerëzve të racave të ndryshme, sollën edhe shumë risi. Gjatë stinës së verës, për të satën herë, ushtria selxhuke vendosi çadrat në fshat. Rapsodit i pëlqente muzika, por më shumë valltaret e reja e të bukura, që argëtonin ushtrinë në terren. Ai kishte kohë që ishte i pjekur për martesë, po në Zezë nuk kishte shpresë për të gjetur nuse. Zijoshët as që merreshin jo me origjinën, por aq më pak me dertin e tij.

Çdo bisedë e tij për martese shndërrohej në tallje, që nuk mbaronte me ditë muaj. Tallja me Karapidikun, ishte ushqim për zijoshët.

Valltaret ia kishin tërhequr vëmendjen rapsodit, që kur i kishte parë. Karapidiku shumë shpejt ia vuri syrin një valltareje të re. Derisa ushtria, po kënaqej me muzikë dhe vallëzim, Karapidikun e ftuan të bashkohej edhe ai.

Në atë valle të zjarrtë, në fushë, rrethuar me mal në të katër anët, atij iu dha rasti të prek dorën e valltares së re. Një flakë e verdhë ia përshkoi trupin dhe po ia digjte shpirtin. Mendja i kishte shkuar, jo vetëm ta ketë një herë në dorë valltaren, por edhe te martohej me te. Tash kur iu dha rasti për të vallëzuar, Karapidiku ishte i gatshëm ta jepte edhe jetën për një femër që nuk e kishte ëndërruar më herët. Përdredhjet e valltares e kishin eksituar zijoshin rapsod deri në kulm, dhe ky, me dëshirë do jepte gjithë pasurinë që kishte, vetëm të bënte një natë me valltaren. Dita e parë dhe kontakti i parë me dorën e valltares se panjohur, u bënë vendimtare për martesën e Karapidikut.

Gjithçka po ecte sipas dëshirës së Padishahut, por kush mendonte për këtë punë asokohe në Zezë? Rapsodi falltar ziente në kokë shumë pengesa në rrugën që kishte zgjedhur për ta rrëmbyer valltaren, qoftë edhe më forcë. Paramendonte me dhjetëra pengesa që mund t’i dalin në rrugën e tij. Ndalimi që po paramendonte, ishte krejt një kurth për nxitjen e martesave të përziera, që ishin synim strategjik i Lartmadhërisë. Ditë të tëra, sa qëndroi ushtria në Zezë, u organizuan edhe vallëzime të tjera. Karapidiku, ishte aty, i pari çdo herë.

Shumë aktivitete të ushtrisë bëheshin edhe me qëllime të caktuara. Një ditë, rapsodin e ftuan të vallëzonte, vetëm me valltaren e re. Gjithë ushtarët tjerë shikonin përreth. Në vallen dyshe, Karapidiku zijosh, dëshmoi gjithë talentin e tij, që nuk ishte parë deri atëherë. Tash, pati rast ta prekte e përqafonte gjithë trupin e valltares, e cila po digjej e tëra. Nuk kishte mbetur edhe një ushtar, që nuk kishte vërejtur rapsodin si po digjej për atë femër, që ia kishte rrëmbyer zemrën, malësorit zijosh.

Përshkrimi i dashurisë së rapsodit ndaj valltares nuk u bë temë asnjëherë, krejt nga inati i zi i zijoshëve, të cilët akoma ruanin mëritë e vjetra ndaj të gjithë atyre, që rastësisht ishin martuar me femra të huaja. Megjithëse, Zeza njihej për të zezat e saj, kjo martesë kaloi pa asnjë rrëfim të zi, që ishin thurë më herët, dhe jo vetëm në këso rastesh.

Edhe një synim selxhuk po realizohej në Zezë. Nga takimi dhe vallëzimi trup me trup, rapsodi e valltarja, me prekje kishin caktuar takim. Sado që Karapidiku kishte frikë nga ushtria, se ajo mund ta pengonte apo ndalonte këtë kontakt, nuk ndodhi asgjë. Bile, për këtë, zijoshi me mendjen e tij, thuri një varg pengesash. Mendonte se edhe mund ta vrisnin, por me këtë martesë nuk u mor askush.

Rapsodi i ri, këtë strategji, nuk e kuptoi asnjëherë, edhe pasi i lindën shtatë fëmijë me valltaren. As atë natë, kur rapsodi e solli në shtëpi valltaren nuse, dhe as më vonë, për këtë martesë nuk pyeti njeri. Prindërit e rapsodit nuk u pajtuan asnjëherë, por as ky fakt nuk ia prishi kurrë zjarrin e dashurisë që kishte shpërthyer tek ai, ditën që preku dorën e valltares. Reagimet nga ushtria apo eprorët ushtarak, që i kishte pritur me frikë, nuk u panë askund. Derisa valltarja filloi jetën me rapsodin, Pashai që i printe ordhisë, në vend të saj, solli dy valltare të reja, edhe me të bukura. Aty mbaroi çdo frikë, pengesë, fjalë a rrëfim, që kishte menduar Karapidiku për martesën. Bashkëfshatarët e lëçiten me vite rapsodin. Ata nuk folën me te, plot dy dekada. Vetëm pasi vajza e madhe e rapsodit u fejua, dhe kur ishte caktuar dita e martesës, zijoshët hoqën lëçitjen ndaj tij. Që nga ai rast, rapsodi martoi shtatë djem e vajza. Mori nuse të reja për djem nga familje të njohura. Edhe vajzat i martoi me djem të mirë, të familjeve të njohura e të pasura. Bile edhe mendimet e zeza që kishte për ndonjë përgojim të mundshëm, lidhur me fëmijët e tij, nuk u dëgjuan asnjëherë.