LAJMI I FUNDIT:

Qendra e Paraburgimit në veri të Mitrovicës: Vendi ku vuajnë dënimin pakicat e Kosovës (Foto)

Qendra e Paraburgimit në veri të Mitrovicës: Vendi ku vuajnë dënimin pakicat e Kosovës (Foto)

Imazhet e burgjeve nuk japin përshtypje të mirë për opinionin, pasi pasqyrojnë izolimin dhe ngufatjen e jetës në një vend. Ky imazh pasqyrohet sidomos në Mitrovicë, qytet që dikur kishte perspektivë, por jo më me ndarjen që i është imponuar që nga viti 1999.

Qendra e Paraburgimit ndodhet në veri të Mitrovicës. Jashtë Qendrës ishin mbledhur familjarët të cilët prisnin për të vizituar të afërmin e tyre.


Posa dera hapet, të priste kontrolli i parë. Aty ishin pozicionuar dy oficerë: një femër e një mashkull. Nuk ishin shqiptarë, por të kombësisë serbe.

Hapësira e qendrës ishte e vogël në pamje të parë, mirëpo e madhe për trajtimin e njerëzve të dënuar dhe për ata që prisnin dënimin e tyre. Së bashku me bodrumet, objekti kishte 1600 metra katrorë. Por, ekipit të Telegrafit administrata e burgut nuk i lejoi të bënte fotografime brenda hapësirës, për ta ilustruar këtë gjendje.

Brendësia ishte e zymtë. Dyert e hekurit ishin të shpeshta dhe korridoret e ngushta në formë harkore. Të burgosurit ishin vendosur nëpër dhomat e tyre në të cilat kishin edhe WC. Ndërsa, banjat ishin të përbashkëta.

Struktura e burgut përmbante: bodrumin, katin përdhes dhe katin e parë. Në mes të burgut rrethor ishin dy oborre të ndara me një mur të lartë në mes.

Të dënuarit kishin mundësi të relaksohen me lojëra të ndryshme. Aty nuk mungonte as salla e fitnesit që ishte në bodrumin e burgut. Ajo ajrosej në mënyrë artificiale, pasi ishte në nëntokë. Ndërsa, çdo gjë kontrollohej me kamerë.

Sapo e kreu drekën, një i burgosur lëvizte nga një punëtori në tjetrën për të kryer punën që e ka marr përsipër. Dukej që puna e mbante më lehtë në atë vend të izoluar. A.C., një 35-vjeçar i kombësisë ashkalike, është nga Prishtina. Ai është dënuar me 22 vite burg, të cilat i vuan në veri të Mitrovicës.

“Këtu jam nga viti 2006. Për mu këtu është mirë. S’kam vërejtje për trajtimin. S’kam pasur asnjë problem. Edhe pse jam me kombësi ashkalike, dallime këtu nuk ka, pasi këtu ka bullgarë, rumunë e serbë”, tha ai, gjersa hapi një shqetësim të tij duke thënë se i mungojnë vizitat e lira.

“Kam qenë i martuar. E kam një djalë 9-vjeç. Kur rashë në burg, gruan e kam pasur shtatzënë në muajin e gjashtë. Jam ndarë nga ajo. Djalin e mbajnë prindërit të cilët jetojnë në gjendje jo të mirë ekonomike. Kemi nevojë për vizita të lira”, tregoi i dënuari, gjersa shtoi se vizitat e prindërve dhe të djalit i ka një herë në vit, eventualisht dy herë edhe për Bajram, pasi thotë se familjarët nuk kanë kushte dhe jetojnë me një social. “Tre shokë të mi, edhe pse nuk kisha shumë që i kisha njohur, janë kapë me njërin. Isha duke kapërcyer me shoqen time me makinë. Dola për t’i ndarë, por e hëngra. Erdhi Policia, e ne ikëm. Nga e rrahura e tyre i sulmuari vdiq në spital pas tre ditësh. Jam dënuar me 22 vite dënim”, tha ai.

Ankesat e tij drejtuar organeve të drejtësisë thotë se kanë qenë të shumta, por se për të “asgjë nuk është bërë”!

“Gjykata Themelore në Prishtinë më ka dënuar. Shtetit i kërkoj që të ma ulë pak dënimin se nuk i kam kushtet e mira në shtëpi”, shprehet ai, duke thënë se për herë të parë e tha këtë publikisht. “Që 10 vite është hera e parë që dhashë intervistë”.

Zhivorad Radoniq

Në anën tjetër qëndronte personeli i burgut. Njëri ndër ta ishte edhe Zhivorad Radoniq. Ai ishte shef i logjistikës. Për të çdo gjë është në rregull, ndërsa thotë se angazhimi me punë i motivon të burgosurit për të kaluarën më lehtë kohën.

“Kemi punë të zanateve, si për këpucëtari, rrobaqepësi, zdrukthëtari dhe metalpunues. Me të dënuarit asnjëherë s’kemi pasur probleme. Ne mundohemi t’ia shpjegojmë secilit punën që bëhet këtu, e pastaj gjithçka varet nga interesimi i tyre se sa duan të punojnë”, tha ai për Telegrafin. “Në zdrukthëtari i kemi të punësuar dy të dënuar, një është i angazhuar në këpucëtari, katër në kuzhinë, dhe një si metalpunues. Vetëm me vullnetin e tyre të lirë vijnë të burgosurit e avancuar të punojnë. Tash është duke u formuar edhe një Komision para të cilit ata do t’i dëshmojnë aftësitë dhe do të certifikohen”.

Benasim Mediq

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, Benasim Mediq, tha se kjo qendër ka kapacitet për 58 të burgosur dhe se aty vijnë të dënuarit për të gjitha llojet e veprave penale.

“Kjo qendër është sipas kushteve evropiane dhe ka kapacitet për 58 të burgosur. Rastet që vijnë janë për vjedhje, vrasje, tregti me qenie njerëzore, narkomanë etj. Por, kryesisht ka për vjedhje dhe vrasje”, tha ai, duke treguar se për momentin në këtë Qendër i dënuari me dënim më të gjatë është deri në 22 vite.

Ai po ashtu tha se kjo është Qendër është e paraparë edhe për të akuzuarit me tre muaj nën hetime.

“Kemi 20 të burgosur të dënuar, të kombësive të ndryshme: boshnjake, rome, bullgare, serbe etj. Janë 91 persona në staf, ku përfshihen stafi korrektues, civil dhe mjekësor”, tha ai.

E, sa i përket kushteve, ato sipas tij janë shumë të mira.

“Kemi filluar bashkëpunimin me dy organizata qeveritare gjermane, ndërsa kemi bashkëpunim të mirë me Shërbimin Sprovues dhe Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kosovës. Të burgosurit, kur ta kryejnë dënimin, kanë mundësi që të krijojnë një jetë normale, meqë certifikohen nga Republika e Kosovës”, shtoi tutje ai. “Këtu edhe ushqimi është i mirë dhe kalorik. Çdo gjë bëhet me rregullore”.

Vesna Angjellkoviq

Vesna Angjellkoviq është qytetare e veriut të Mitrovicës dhe punon në kuzhinën e paraburgimit me orar të rregullt tetorësh.

“Punoj nga e hëna deri në të premten. Jam e martuar dhe i kam dy fëmijë. Me këtë rrogë mbaj familjen. Më herët kam punuar në kontabilitet, e prej vitit 2002 këtu. Personeli ushqehet në kuzhinë, e të burgosurit nëpër dhoma”, tha kjo 53-vjeçare, gjersa shtoi se nuk ka probleme me të dënuarit.

Një i dënuar me kombësi serbe ka kaluar shtatë vite në burg. Atij edhe pak ditë i kanë mbetur që të lirohet nga dënimi i shqiptuar.

“Kemi marrëdhënie korrekte këtu”, tha ai, duke shprehur me lot gëzimin e tij që edhe pak ditë e ndajnë nga drita e lirisë. “Por, mbase do të ishte mirë që telefonatat të jenë më të gjata, të shikojmë televizor më gjatë sepse na duhet gjithmonë të bëjmë kërkesa kur ka ndeshje sportive pas orës 22:00”.

Ai gjithashtu foli edhe për emocionin që ka kur e din se së shpejti do të jetë pranë familjes.

“Kam emocione të papërshkruara. Më presin gruaja, fëmijët, vëllezërit, motrat dhe prindërit. Do ta shes një pasuri që e kam dhe do ta filloj jetën nga fillimi. Unë kurrë në jetën time s’kam hyrë në kuzhinë, e në burg më është dashur që të mësoj. Tash edhe gruaja do më fusë në kuzhinë”, tha ai. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/

LEXO PO ASHTU:
Ekskluzive nga Burgu i Sigurisë së Lartë: Derë e madhe me hy, e vogël me dal!? (Foto)
Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)
Jeta në fijet e shpresës për liri: Brenda rrethojave të burgut të Lipjanit! (Foto)
Smrekonica, streha më e mirë për një të burgosur! (Foto)