LAJMI I FUNDIT:

Putini pret heshtjen e Uashingtonit

Putini pret heshtjen e Uashingtonit
Putini pret heshtjen e Uashingtonit

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur ra Muri i Berlinit, Vladimir Putini ishte në Gjermaninë Lindore, duke punuar për KGB-në.


Në kujtimet e tij, Në veten e parë – botuar në vitin 2000 – Putini kujton se i kërkoi një njësie të Ushtrisë së Kuqe, aty pranë, që të mbrojë selinë e KGB-së në Dresden. Përgjigja që mori, atë e tronditi: “Nuk mund të bëjmë asgjë pa urdhër nga Moska. Dhe, Moska hesht”. Putini më vonë tha: “Që atëherë kisha ndjenjën se vendi nuk ekziston më. Se ishte zhdukur”.

Përvojat e tilla përvëluese, janë formuese. Mësimi të cilin duket se Putini e ka nxjerr nga viti 1989, është se perandoritë e mëdha mund të shemben për shkak të rrëmujës së brendshme politike. Pasi e ka parë Moskën duke heshtur, Putini tani shpreson ta shohë Uashingtonin duke heshtur dhe “perandorinë amerikane” në radhën e përmbysjes së saj.

Sipas vështrimit nga Moska, mundësitë duken premtuese. Zgjedhja e Donald Trumpit për një mandat të dytë si president i ShBA-së, do ta vinte aleancën perëndimore nën një tendosje të paprecedentë. Ndryshimet e politikave që mund të iniciohen nga Trumpi – si tërheqja e plotë e mbështetjes për Ukrainën ose tërheqja amerikane nga NATO – janë vetëm një rrugë e mundshme për arritjen e qëllimeve të Rusisë.

Së dyti, rruga më pak e diskutuar nuk varet nga ndryshimet e ndërgjegjshme në politikën e Shtëpisë së Bardhë. Në këtë skenar, pasojat e zgjedhjeve të Trumpit do të fusin qeverinë dhe shoqërinë amerikane në rrëmujë. E preokupuar nga konfliktet e brendshme, elita amerikane do të humbiste vullnetin ose aftësinë për të projektuar pushtetin në mbarë botën.

Ajo periudhë e rrëmujës mund të mos zgjasë shumë për të pasur pasoja tronditëse në botë. Siç kujtoi Putini më vonë: “E humbëm besimin vetëm për një moment. Por, ishte i mjaftueshëm për ta prishur ekuilibrin e forcave në botë”.

Duket e besueshme periudha e “besimit të humbur”, e shkaktuar nga trazirat paszgjedhore në ShBA. Nëse Trumpi fiton, ai e ka bërë të qartë se e do hakmarrjen ndaj armiqve në politikë. I ka inkurajuar bisedimet për vënien në gjyq të demokratëve të shquar, madje të ish-zyrtarëve të administratës së tij – për tradhti ose korrupsion. Objektivat përfshijnë Joe Bidenin, Hillary Clintonin dhe Mark Milleyn i cili ishte oficeri më i lartë ushtarak i Amerikës nën Trumpin.

Planet po hartohen nga grupet e ekspertëve pro-Trump, për të spastruar gradat e larta të qeverisë amerikane. Zyrtarët në Pentagon kanë frikë se nivelet e larta të ushtrisë amerikane Trumpi i konsideron si jo besnike, meqë rezistuan ndaj kërkesave të tij për të vendosur trupat në rrugët e Amerikës. Kanë frikë se Trumpi do të emërojë autoritarët e vërtetë në postet më të larta, në shërbimet e inteligjencës dhe të ushtrisë, dhe se mund të kërkojë t’i kthejë – kundër zyrtarëve të lartë – gradat e ulëta të ushtrisë që mbështesin MAGA-n [Make America Great Again].

Edhe nëse Trumpi humb nga Bideni, ka një shans të madh për trazira politike në ShBA. Kush mund të besojë se Trumpi ose mbështetësit e tij do ta pranojnë humbjen? Përsëritja e kryengritjes së 6 janarit 2021 – veçse këtë herë me mbështetje të shtuar nga politikanët dhe gjykatat në nivel shtetëror – duket mjaft e mundshme.

Gjithë kjo do të ishte recetë për trazirat në ShBA dhe për atë që Putini e quajti, në kontekstin sovjetik, “paralizë e pushtetit”. Uashingtoni i paralizuar, më pas do të paraqiste shans për Moskën dhe për Pekinin.

Se çfarë forme do të marrë kjo mundësi, kjo nuk mund të dihet paraprakisht. Shpërbërja e Perandorisë Sovjetike në vitin 1989, u karakterizua kryesisht nga ngjarjet e paparashikuara dhe improvizimet. Por, për Putinin, ndihet si shumë e afërt perspektiva e kthimit të poshtërimit të vitit 1989 dhe e rivendosjes së një sfere të ndikimit rus në Evropë.

Megjithatë, pikëpamja e Putinit për atë që ndodhi në vitin 1989 – dhe për këtë arsye ambiciet e tij për vitin 2025 – vuan nga një problem. Shkaqet e rënies së perandorisë sovjetike nuk ishin thjesht konfuzioni dhe dështimi i vullnetit në Moskë. Arsyeja më e thellë ishte se sundimi sovjetik e shkeli Evropën Lindore. Për të shtypur disidencën, BRSS-ja dërgoi tanket në Hungari më 1956 dhe në Çekosllovaki më 1968. Ishte zgjedhje morale vendimi i Mikhail Gorbachevit për të mos shtypur, për herë të tretë, aspiratat e Evropës Lindore – jo moment dobësie, siç e sheh Putini.

Ishte modeli i vjetër brutal sovjetik i dominimit të cilin Putin e synoi në vitin 2022, kur filloi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës. Por, bota kishte ndryshuar në mënyrat të cilat ai nuk i kuptonte. Ukrainasit u kundërpërgjigjën dhe Perëndimi i furnizoi me armë – ndryshe nga viti 1956 dhe 1968, kur ShBA-ja dhe aleatët e saj qëndruan mënjanë dhe nuk arritën të kundërshtojnë ndërhyrjen e Moskës.

Sistemi i aleancës së Amerikës në Evropë – ndryshe nga blloku sovjetik në vitin 1989 – mbështetet në pajtim. Është “perandori me ftesë”, sipas politologut Geir Lundestad. Teksa polakët dhe çekët donin që trupat sovjetike të tërhiqeshin në vitin 1989, vendet e BE-së tmerrohen nëse trupat amerikane tërhiqen sot.

Shumëçka ka ndryshuar nga viti 1989 – në Moskë, në Uashington, në Berlin dhe në Varshavë. Por, një gjë që mbetet konstante është vendosmëria e evropianëve për t’i rezistuar dominimit rus. Vendet e BE-së janë shumë të vetëdijshme se sa të varura janë nga fuqia ushtarake e ShBA-së. Por, janë të përcaktuara që të bëjnë diçka për këtë.

Është e mundur që Uashingtoni do të hesht në vitin e ardhshëm. Por, kjo nuk do të thotë se Moska do të jetë në gjendje që ta kthejë orën e Evropës në vitin 1988. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Lajme
“Ishte thjesht kaos - ka pasur të shtëna majtas e djathtas”: Katër policë të vrarë, katër të tjerë të plagosur në një ‘rrethim shtëpie’ në Karolinën e Veriut

“Ishte thjesht kaos - ka pasur të shtëna majtas e djathtas”: Katër policë të vrarë, katër të tjerë të plagosur në një ‘rrethim shtëpie’ në Karolinën e Veriut

Amerika
Ushtria ruse 'ka humbur' 1,250 ushtarë të tjerë në Ukrainë, në vetëm një ditë - humbje të mëdha edhe në armatim

Ushtria ruse 'ka humbur' 1,250 ushtarë të tjerë në Ukrainë, në vetëm një ditë - humbje të mëdha edhe në armatim

Botë

"Valla më mbyti 'mësyshi'", Vesa Vallasaliu shpjegon për 'aksidentin' që pësoi me veturën e saj luksoze

Magazina
Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Serbia
Kalo në kategori