LAJMI I FUNDIT:

Punimet në autostradë sipas planit

Punimet në autostradë sipas planit

Gjatë 100 ditëve të para të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), vëmendja më e madhe është përqendruar në punimet e autostradës Vërmicë-Merdarë. Ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha se deri në fund të muajit tetor do të jenë të përfunduara 34 kilometrat e tri segmenteve të autostradës deri në Suharekë. Ministri Mujota, tha se ndërprerja e marrëveshjes me FMN-në nuk paraqet ndonjë shqetësim.

Për ministrin e Infrastrukturës Fehmi Mujota, ndërprerja e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe FMN-së, nuk paraqet asnjë shqetësim, pasi, siç tha, janë të fokusuar në kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe buxhetin e miratuar të Kosovës. Ministri Mujota, tha se punimet në autostradë po vazhdojnë me intensitet të lartë, sipas dinamikës së paraparë me projekt.

Lidhur me kontestin gjyqësor rreth tenderit për kompaninë mbikëqyrëse të punëve në autostradë, Mujota tha se vendimi i organeve ligjore ka qenë që të anulohet ai tender për të rihapur një tender të ri.

Ministri i infrastrukturës përmendi edhe projektin e rrugës Prishtinë-Shkup, për të cilin tha se aktualisht po vlerësohen alternativat e financimit dhe të ndërtimit. Lidhur me rrugët e papërfunduara për shkak të shpronësimeve, ministri Mujota, tha se fillimi i shpronësimeve do të fillojë në afatin e duhur kohor, dhe siguroi se do të vazhdojnë punët, duke respektuar ligjet.


Gjatë prezantimit të punës së 100 ditëshit të parë të kësaj ministrie, ministri Mujota përmendi edhe 14 projekte të reja kapitale për vitin 2011, që kanë një kosto prej rreth 13 milionë euro. Mujota përmendi edhe shumë të arritura të tjera gjatë 100 ditëve të para të ministrisë së infrastrukturës. /Telegrafi/