LAJMI I FUNDIT:

Pse qeshim?

Pse qeshim?

Çfarë shkakton ilaritet dhe i vë në punë 15 muskujt e fytyrës? Një mjek anglez ka krijuar një laborator kërkimi, ku ka kryer një studim te mijëra njerëz…

Cila është anekdota më e këndshme e botës? Ja: dy gjuetarë nga New Jersey janë duke ecur në një pyll. Papritur njëri prej tyre rrëzohet përtokë dhe sytë i zgurdullohen. Tjetri me celular merr urgjencën. Tejet i shqetësuar, ai i thotë centralistit: “Miku im ka vdekur! Çfarë të bëj?!” Centralisti me zë të qetë dhe bindës i përgjigjet: “Qetësohu, jam këtu për t’iu ndihmuar. Në fillim duhet të siguroheni nëse miku juaj ka vdekur vërtet”. Qetësi, me pas ndihet një krismë. Zëri i gjuetarit kthehet përsëri në linjë: “Dakord, u sigurova, po tashti ç’të bëj?”


Mund të ketë edhe ndonjë më të mirë, por kjo është anekdota që ka marrë maksimumin e pikëve në një kërkim që zgjati gjithë vitin 2001. Ky është kërkimi i kryer nga një psikolog anglez, Richard Wiseman, i cili ngriti “një laborator të të qeshurit” në Internet. Qëllimi: të kuptonte mekanizmat psikike, logjike dhe neurofiziologjike të humorit te qeniet njerëzore.

Mirë, nëse jeni kureshtarë të dini se cila ishte anekdota që zuri vendin e dytë, ja, po ua themi. Është një anekdotë klasike dhe shumë angleze. Sherlock Holmes dhe doktor Watson ishin në fushim dhe Holmesi e pyet mikun e tij: “Watson, shiko qiellin sipër nesh dhe më thuaj se çfarë kupton prej tij”. Watson shikon lart, përqendrohet dhe thotë: “Nga pikëpamja astronomike, them se ka miliarda galaktika dhe planete. Nga pikëpamja astrologjike, që Saturni i përket Luanit. Nga pikëpamja meteorologjike, që nesër do të jetë një ditë e bukur…”! Holmsi e ndërpret: “Watson, idiot, na vodhën tendën”!

Wiseman, profesor në Universitetin Hertfordshire dhe ndoshta, aktualisht, psikologu më i njohur në Britaninë e Madhe në saje të eksperimenteve të tij në masë, më parë kishte kryer një studim për të zbuluar mjetin e komunikimit: televizionin, radion, gazetat, që i bënte me transparente dhe më të zbulueshme gënjeshtrat (rezultoi radio). Për një vit me radhë, në një dhomë të Perritt-Warrick Research Unit, qendra e kërkimit universitar që ai drejton, dy kompjuterë Macintosh mblodhën dhe përpunuan informacionin e mbërritur në sitin “LaughLab.co.uk”: histori humoristike që lundruesit dërgonin nga i gjithë planeti, të cilat mund të votoheshin sipas një shkalle vlerësimi nga një deri në pesë, duke përdorur sistemin e pagëzuar “Giggleometer” – një lloj “matësi i të qeshurave të përmbajtura”.

Atëherë, përse qeshim?

Në kuptimin fiziologjik, studiuesit ishin interesuar edhe më parë për këtë çështje. Se si qesh trupi, kjo dihej tashme: kënaqësia vë në punë veprimin e koordinuar të 15 muskujve të fytyrës, me një lëvizje të qerpikëve dhe një seri kontraktimesh të muskujve të syrit dhe të faqeve, të cilat ndiqen nga përshpejtimi i rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrjes, si dhe nga një lëvizje valore e diafragmës.

Është kjo e fundit që përcakton ecurinë klasike të së qeshurës. Ndërsa procesi trunor mbetet ende në pjesën më të madhe i paeksploruar dhe i panjohur, qarku i të qeshurës është shumë tërësor. Nga kërkimet ka rezultuar se lojërat e thjeshta të fjalëve pranohen dhe përpunohen nga ana e majtë e trurit, ne veçanti nga zonat e vendosura në sipërfaqen e korës trunore, ndërkohë që humori pak më i ndërlikuar, i mbështetur mbi diçka me shumë se një lojë fjalësh, administrohet nga ana e djathtë e trurit dhe bën që të shpërthejë aktiviteti elektrik i shumë zonave të tjera të tij. Hipoteza aktuale është që ana e majtë e trurit pret batutat, ndërsa ana e djathtë e tij i administron ato nga ana emocionale.

Që në vitin 1981, Wendy Wapner, Suzanne Hamby dhe Howard Gardner, autorë të studimit “Brain and Language”, pohonin se “hemisfera e majtë është një kompjuter shumë i efektshëm, por ngushtësisht i programuar në kuptimin gjuhësor, ndërkohë që hemisfera e djathtë është spektator i përkryer për një film komik pa zë”. Pra, nëse shohim humor nga vëllezërit Marx, ndërkohë që hemisfera e majtë vlerëson lojërat e fjalëve të Groucos dhe ana e djathtë batutat e Harpos, vetëm dy hemisferat e marra së bashku mund të na bëjnë të shijojmë një film në të gjithë përbërësit e tij.

LaughtLab-i i universitetit britanik ia bashkëngjiti njohuritë e mësipërme gjithçkaje që ndodhi më pas: u tregoi anekdotat më të mira disa përdoruesve dhe fotografoi reagimin e tyre trunor me anë të rezonancës magnetike. Këto pamje sot mund të shihen fare mirë në faqen e internetit.

Por, a ka elemente të tjerë, ose e thënë ndryshe nga këndvështrimi psikologjik, përse qeshim?

Le të kthehemi sërish tek anekdota më e këndshme në botë: përse historia e dy gjuetarëve është ajo që shkakton të qeshura? Ky fakt nuk do të thotë se ajo është më e kripura, por nënkupton se është ajo që shkakton të qeshura në mënyrën më universale.

Atë e dërgoi në një psikiatër nga Manchesteri, Gurpal Gosel, i cili e shpjegon kështu suksesin e saj tek pacientët e tij: “Është një anekdotë terapeutike, e cila na bën të mendojmë se cilido qoftë budallallëku që jemi duke bërë, është gjithnjë dikush, diku në ndonjë cep të botës, i cili është duke bërë ndonjë më të madh” (kjo është e vërtetë edhe për të qeshurën që na rrëmben në anekdotën e dytë nga i ngathëti Uatson).

Wiseman, nga ana e tij, kur paraqiti përfundimet e garës, e thelloi këtë analizë dhe vërejti se anekdota e gjuetarëve mund të vlerësohet nga të gjithë burrat, gratë, të rinjtë dhe pleqtë, të çfarëdo race ose besimi. Ajo përmban tre elemente bazë që shkaktojnë humor: na bën të ndihemi superiorë përkundrejt gjuetarit budalla, bazohet mbi një keqkuptim të fjalëve të centralistit dhe se fundi na ndihmon të qeshim me frikën tonë nga vdekja. Nevojë superioriteti dhe agresiviteti, keqkuptim dhe frikë: ja përbërësit që ndodhen pas ndjenjës së humorit. Përbërës jodiellorë, por me këtë fakt nuk duhet të habitemi.

LaughtLab-i punoi me instrumente moderne mbi një kërkim që është po aq i vjetër sa edhe historia jonë e njerëzimit: “Philogelos”, një vepër greke e hartuar në shekullin e III-të, ka ekzistuar gjithnjë në formën e një repertori që mblidhte histori të këndshme edhe shekuj e shekuj më parë. LaughLab përdori mundësitë e sondazhit planetar të ofruara nga rrjeti së bashku me teknikat që bëjnë të mundshme pamjen e aktivitetit trunor në përpjekjen për t’iu përgjigjur pyetjes që i ka mbetur pa përgjigje edhe Aristotelit: Çfarë ka për të qeshur? Teksti i tij tashmë i përket së shkuarës, por sa për kureshtje dihet se filozofi anonte nga versioni i “agresivitetit” të të qeshurës: qeshim me atë që na bën të ndihemi superiorë”. Dhe, në fakt, gjatë Mesjetës ishte deformimi trupor i xhuxhëve dhe i gungaçëve që dëfrente skenat e aristokratëve dhe sovranëve. Pra, që në kohët e para është kuptuar se e qeshura jo vetëm që është e lidhur me një humor të mirë, por ka të bëjë edhe me diçka shumë më tërësore dhe të ndërlikuar.

Këto ide i përpunoi në mënyrë më sistematike edhe shekulli XX: ai u hap me “Të qeshurën”, operën e Henri Bergsonit, të krijuar në vitin 1901, e cila e trajton të qeshurën si një funksion shoqëror, e cila krijon grupe dhe nëngrupe, çimenton aleanca dhe, menjëherë me pas, u ndoq nga “Motoja e shpirtit dhe lidhja e saj me pavetëdijen”, libër në të cilin – në vitin 1915 – Sigmund Freudi bashkoi batuten dhe të qeshurën me çlirimin nga tabutë, qofshin këto dëshirat për të shkuar në shtrat me nënën, qofshin për të vrarë babanë.

Nga pikëpamja evolucioniste, teoria më tërheqëse, është ajo e neuropsikiatërve Vilayanur S. Ramachandran dhe Sandra Blakeslee, të cilët në vitin 1998 shkruan librin “Phantoms in the Brain”. Sipas tyre, në kuptimin fiziologjik, e qeshura është rezultat i një kërcënimi të rremë: në trurin tonë, korja lajmëron në formë alarmi keqkuptimin e një gjendje apo pohimi, ndërsa pjesa trunore e përparme përgjigjet me një mesazh të tipit: Qetësohu, nuk ka asnjë rrezik!” E qeshura që vjen më pas është një mënyrë për t’i komunikuar të tjerëve, ose familjes se nuk duhet të shqetësohen.

Ishte, pra, kjo e qeshura që buçiste që mijëra vjet më parë nëpër shpella! Po, e qeshura, pavarësisht nga teknologjitë e LaugLab-it, mbetet ende një ndër aktivitetet tona më misterioze. Ndoshta sepse është më demonike, më qiellorja dhe mrekullisht më njerëzorja. /Telegrafi/