LAJMI I FUNDIT:

Protestat studentore të vitit 1970 të cilat tronditën ShBA-në

Protestat studentore të vitit 1970 të cilat tronditën ShBA-në

Nga: Dan Kelly / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 4 maj 1970, katër studentë u qëlluan për vdekje nga Garda Kombëtare, gjatë një proteste kundër Luftës së Vietnamit në Universitetin Shtetëror të Kentit. Incidenti tronditës ende jehon si moment i rëndësishëm në historinë moderne të ShBA-së.


I përjetësuar në këngën Ohio nga Crosby, Stills, Nash & Young – e cila u publikua disa javë pas ngjarjes – të shtënat në Kent provokuan grevën më të madhe të studentëve në historinë e ShBA-së, e cila përfshiu qindra kampuse në mbarë vendin. Fotografia ikonike e një gruaje të re duke bërtitur ndërsa gjunjëzohej mbi trupin e një studenti, u botua në të gjithë shtypin kombëtar dhe simbolizoi ndarjen politike dhe kulturore të ShBA-së në atë kohë.

Vala e re e protestave studentore kundër Luftës së Vietnamit, përbën sfondin e të shtënave. Ndodhën pas njoftimit të prillit 1970 nga presidenti Nixon, i cili e kishte autorizuar ShBA-në që të pushtonte Kamboxhian për të luftuar atje kundër Viet Kongut – duke sinjalizuar kështu zgjerimin e madh të përpjekjeve të luftës amerikane. Një nga protestat kundër kësaj u zhvillua më 1 maj në kampusin universitar të Kent, në Ohajo. Atë mbrëmje, telashet shpërthyen në qendër të qytetit, pas një proteste fillimisht paqësore. Pasoi konfrontimi i dhunshëm mes të rinjve dhe policisë dhe disa dyqane u dëmtuan.

Të nesërmen, kryebashkiaku i qytetit i kërkoi guvernatorit të Ohajos të dërgonte Gardën Kombëtare në Kent. Dhuna dhe konfrontimet vazhduan për dy ditët në vijim, me ndërtesën e Korpusit të Trajnimit të Oficerëve Rezervë, në kampusin universitar, e cila u dogj deri në themel – ndonëse është e paqartë se çfarë dhe kush e shkaktoi zjarrin.

Më 4 maj, një tjetër protestë u thirr në kampusin i cili tashmë ishte i pushtuar nga Garda Kombëtare. Demonstratat ishin ndaluar në universitet, por shumë studentë – me sa duket – nuk ishin në dijeni të kësaj dhe shumë të tjerëve nuk ua ndiente. Sipas universitetit, deri vonë në mëngjes rreth tre mijë njerëz ishin mbledhur në qendër të kampusit.

Rreth mesditës, gardianët urdhëruan protestuesit që të shpërndahen. Detajet e asaj që pasoi janë kundërshtuar, por urdhri i shpërndarjes u shpërfill dhe dëshmitarët thonë se gurët u hodhën. Pasi u hodh gazi lotsjellës dhe pas një sërë përplasjesh, trupat qëlluan me plumba drejt turmës. Katër studentë u vranë dhe nëntë u plagosën. Dy nga të vdekurit nuk ishin përfshirë në demonstratë.

Pesë muaj më vonë, Man Alive – programi i temave aktuale i BBC-së – e vizitoi Kentin në një episod të titulluar Mood of America. Një dëshmitare okulare e të shtënave, Ginny Rickard – e cila nuk ishte e përfshirë në protesta – e përshkroi për BBC-në tronditjen pas breshërisë së të shtënave. Në fillim, ajo dhe një mik supozuan se ishin përdorur plumbat bosh. “Ende askush nuk mund të besonte se kishin qëlluar, ishte e paimagjinueshme – askush nuk kishte bërë asgjë, pse të qëllonin? Kur sheh trupat duke u futur në ambulancë, mendoj se atëherë njerëzit vërtet besuan se kishte ndodhur, dhe atëherë njerëzit me të vërtetë filluan të tmerrohen. Vajzat lëviznin përreth duke qarë në mënyrë histerike dhe gjëja kryesore që dëgjoje ishte njerëzit që bërtisnin ‘pse’”?

Megjithatë, siç zbuloi ekipi i BBC-së, kishte dallime të forta në mendime për të shtënat në Kent. Pronari i një garazhi, Pete Selman, nuk ishte dashamirës ndaj studentëve: “Nuk më vjen keq për fëmijët, vetë e kërkuan. Nuk duhej të ishin atje … sigurisht që është e trishtueshme, por nuk mund të rrish përreth dhe të shqetësosh për ditë, për ditë e ditë … Ka kohë që po ndodh”.

Ekipi i BBC foli gjithashtu me një numër aktivistësh studentorë në Kent dhe përgjigjet e tyre përmbledhin disa nga ndarjet e thella politike dhe të brezave në ShBA në atë kohë. “Dhuna lind vetëm nga zhgënjimi, dhuna është zgjidhja e fundit … Është e qartë se kjo është ajo që po ndodh në gjithë vendin. Prandaj, protestat politike marrin formën e dhunës, për shkak të këtij cinizmi. Të gjithë e kuptojmë se asgjë nuk do të ndodhë brenda kanaleve të përfitimit”, tha njëri.

I pyetur se pse “njeriu i punës” është ai që kundërshton studentët protestues, ai u përgjigj: “Sepse pak a shumë është viktimë e sistemit propagandistik – këto janë gazetat që lexon, informacioni i njëanshëm që përdor. Ushqehet me një linjë të caktuar që përjashton çdo lloj të hapjes ndaj ideve të reja. Idetë i nënshtrohen termave ‘radikal’ ose ‘komunist’. Punonjësi i frustruar paranojak dëshiron më shumë nga sistemi – ka hise në të”.

Një tjetër ofron pikëpamjen për njerëzit të cilët presidenti Nixon mund t’i ketë kategorizuar si “shumica e heshtur”. “Fshihet prapa rrobave më të shtrenjta dhe është ashtu siç duhet të duket shoqëria e bardhë e klasës së mesme në Amerikë, me një rrugë të asfaltuar, një shtëpi, dy makina dhe një shesh lojërash prapa për fëmijët … dhe studentët këtë e refuzojnë”.

Edhe pse një numër i komisioneve hetimore dhe gjykimeve pasuan përgjatë shumë viteve, askush nuk u shpall fajtor për vrasjen e katër studentëve – Allison Krause, Jeffrey Miller, Sandra Scheuer dhe William Schroeder. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Formula kanunore

Formula kanunore

Kulture
A është Bubulina shqiptare?

A është Bubulina shqiptare?

Kulture
Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Kështu foli Nietzsche: Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet!

Kështu foli Nietzsche: Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet!

Scarlett Johansson përball OpenAI-së

Scarlett Johansson përball OpenAI-së

Kulture
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Kalo në kategori