LAJMI I FUNDIT:

Produksioni “Pulla”, tani me shtrirje ndërkombëtare

Produksioni “Pulla”, tani me shtrirje ndërkombëtare

Produksioni kosovar “Pulla” do të jetë kompania e parë dhe e vetme nga Ballkani që do të paraqitet në një reality-show të njohur në rrafshin ndërkombëtar, ndërsa kjo sipas drejtuesve të këtij produksioni ka ardhur si rezultat i punës dhe projekteve për kompanitë ndërkombëtare.

Ka dy vjet që produksioni “Pulla” është duke punuar për tregun ndërkombëtar. Të specializuar në 3D animacione dhe dizajn, ata arritën që të punojnë për shumë klientë të njohur nga Amerika, Kanada, Anglia, Norvegjia, Hollanda, etj.

HP, Garnier, HTC, Marvell, Litago, Wells Fargo Bank, Wachovia, etj i besuan produksionit nga Kosova shërbime në video, dizajn dhe animacione, të cilat mund t’i shihni edhe vet në faqen zyrtare të kompanisë.

“Kosova është shumë vend i përshtatshëm për kompani të huaja që të bëjnë projekte ‘outsource’ në Kosovë, sepse ka shumë të rinjë të talentuar që mund të realizojnë të njëjtat projekte si në shtetet e mëdha. Përveç kualitetit ne jemi konkurrues edhe në çmim, mirëpo duke marrë parasysh standardin tonë ne jemi më se të kënaqur me pagesat nga këto kompani. Sikur të koncentroheshin shumë kompani të IT-së, medias dhe filmit, të merrnin projekte në tregun ndërkombëtar, kjo do të ndikonte shumë mirë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, theksoi kreu i Pullës, Jetmir Grezda.


Suksesi i tyre bëri që ata të ftoheshin nga FWA TV për të mbajtur emision të drejtpërdrejtë çdo të hënë nga ora 8:00 deri 9:00. Në këtë televizion marrin pjesë 144 kompani nga e gjithë bota të cilat e kanë të rezervuar nga një orë në javë për të treguar atmosferën në zyret e tyre, projektet, menyrën si funksionojnë etj. Aty marrin pjesë Saatchi&Saatchi (kompania që krijoi reklamën e famshme promovuese për Kosovën nëpër televizionet ndërkombëtare), Ogilvy, Fi, Good Morning, Agency net, Red Interactive, 2 Advanced etj. Këtë televizion mund ta shikoni edhe në internet përmës linkut: http://www.thefwa.com/fwawebtv

Pulla është e vetmja kompani në rajon që është pranuar të jetë pjesë e këtij komuniteti profesional, të cilët së bashku me kompanitë tjera krijojnë një reality-show shumë interesant. /Telegrafi/