Nga: Agron Islami dhe Rezart Mezani[1]
Shtrirja e osmanlinjve në Rumeli është e lidhur ngushtë me gjendjen politike, ekonomike dhe demografike të Evropës së sotme juglindore gjatë shekujve XIV-XV. Përçarjet që lindnin nga konfliktet midis pretendentëve për fronin perandorak (midis perandorëve) të Bizantit, krijuan boshllëk në organizimin administrativ në territoret që ky shtet kishte nën zotërim. Ky boshllëk i mundësoi Stefan Dushanit zgjerimin e territorit të vet. Mbi këto zhvillime, Stefan Dushani, pasi pushtoi Maqedoninë, Epirin dhe Korintin, më 1346 në Shkup mori titullin e Perandorit të serbëve dhe të grekëve.[2]
Rreziku nga Stefan Dushani bëri që të arrihet aleanca (1346) në mes perandorit bizant Jan Kantakuzenosit dhe prijësit të shtetit osman, Orhanit. Kjo marrëveshje ishte e një rëndësie të veçantë për osmanlinjtë, ngase për herë të parë Bizanti e njohu shtetin osman si një forcë e re për rajonin dhe si garanci besnikërie midis dy shteteve u bë edhe një martesë krejtësisht politike midis djalit të Orhanit (Sulejmanit) dhe vajzës së Kantakuzenosit (Teodorës).[3]
Më 1348, kur zealotët e kërcënuan Kantakuzenosin t’ia dorëzonin Selanikun, Stefan Dushanit, ky i fundit e rrethoi menjëherë qytetin e Selanikut. Si kundër përgjigjeje, Kantakuzenosi kërkoi ndihmën e dhëndrit të tij, Sulejmanit, i cili dërgoi një ushtri prej 200 kalorësve nën komandën e Sulejman Pashës. Ushtria e Sulejmanit gjatë rrugës do t’i bashkëngjitej trupave të Matheosit (djalit të Kantakuzenosit). Në të njëjtën kohë, me kërkesën e Kantakuzenosit në ndihmë do të vinte edhe një flotë detare prej 20 anijeve nga Umur beu, i cili gjendej në një ekspeditë rrethuese të kalasë së Izmirit. Gjatë kësaj ekspedite, Umur Beu humbi jetën dhe si përfundim mbetet i parealizuar plani i Kantakuzenosit për sulm ndaj serbëve ne Selanik. Gjatë kësaj fushate, serbët arritën të marrin nën kontroll Kavallën (Christoupolis). Pas rënies së Kavallës, aleati i perandorit, Sulejmani, pasi dërgon një njoftim për perandorin Kantakuzenos, vendosi të largohet për në Anadoll. Në këtë njoftim të Sulejmanit shpjegohet arsyeja e largimit nga fronti, ku thuhet se largimi vjen si pasoj e sulmeve të principatave turkmene ne Anadoll, gjë që përveç se një arsyetim nuk kishte të bënte me të vërteten. Me këtë rast serbet morën nën kontroll veriun e Greqisë, Thesalinë (Tesalya) dhe Epirin.[4]
Edhe në luftën e dytë të brendshme të bizantinëve për fronin perandorak, serbët dhe bullgarët përsëri mbështetën Ionnisin V, ndërsa Orhan Gazi e mbështeste Kantakuzenosin dhe më 1371 në Maricë u zhvillua lufta mes Kantakuzenosit dhe Ionnisit V dhe aleatëve të tyre. Lufta përfundoi me fitoren e aleancës midis Kantakuzenosit dhe Orhan Gazit, i cili mori pjesë me një ushtri prej 100 mijë vetash kundër aleancës sllavo (serbo) – bizantine.[5]
Shteti osman, ashtu si principatat e tjera që u formuan në Anadoll pas rënies të shtetit selçuk (1308), në politikën e zgjerimit dhe të sigurimit të të ardhurave përdori politikën e luftës së quajtur “Gaza”. E veçanta e shtetit osman, në krahasim me principatat si Germiyanogullari, Karesiogullari, Hamidogullari, qëndron se ndërthuri shumë mirë politikën gaza dhe nxjerrjen në planë të parë të idesë për “Përhapjen e Drejtësisë”. Kjo politikë ndikoi që shteti osman shumë shpejtë të marrë nën kontroll principatat përreth dhe lëvizjen e zgjerimit të vet ta drejtojë drejtë Ballkanit.[6]
Ushtria osmane, që tashmë me anë të marrëveshjeve me Bizantin kishte siguruar dalje në Ballkan, organizoi sulme në Bullgari të cilat u sollën fitime të mëdha në të mira materiale. Sulejmani ushtarët e tij i kishte vendosur ne kështjellën e Tsympit (Juglindje të Ballkanit). Më pas Ionnesi kërkoi të bënte marrëveshje me Sulejmanin kundër babait të vetë, por kjo u refuzua nga Sulejmani. Refuzimi nga ana e Sulejmanit për të dhënë mbështetje ndikoi që Ionnesi t’i drejtohet Kantakuzenosit dhe me marrëveshjen që u bë, u arrit të bashkohet me të. Si përfundim, Kantakuzenosi nga Edirneja u kthye në kryeqytet, ndërsa Ionnesi dorëzoi edhe Thrakën ku edhe u shuan mosmarrëveshjet për fronin Bizantin.[7] Ndërkohë, osmanlinjtë me në krye Sulejmanin ishin bërë pronarë të kështjellës Tsympi pranë qytetit të Galipolit (Gelipoglu), një pikë strategjike që në vitet në vazhdim do t’u shërbente për të depërtuar drejtë zemrës së Ballkanit të sotëm.
Perandori – që e kuptoi rrezikun kanosës nga osmanlinjtë – bëri disa vizita Papës Innocent V (1352-1356), me ç’rast i premtoi edhe bashkimin e kishave. Në të njëjtën kohë ai kishte pranuar që ta dhuronte edhe djalin e tij Manuelin si garanci për besnikërinë e tij. Por, rifillimi i konfliktit mes Hungarisë dhe Venedikut për çështjen e Dalmacisë, i cili vazhdoi deri më 1394[8], u bë pengesë për arritjen e një bashkimi të shteteve të krishtera kundër osmanlinjve myslimanë, gjë që kjo ishte në favor të osmanlinjve të cilët tani ishin në periudhën e shtrirjes dhe zgjerimit drejtë tokave të Rumelisë.
Pas shkatërrimit të Galipolit nga tërmeti (mars 1353), pjesa më e madhe e banorëve braktisën qytetin dhe ikën drejt Stambollit (Kostandinopojës). Me kërkesën e Orhanit, Galipoli u popullua me popullatë myslimane, të cilët u sollën nga Anadolli. Një praktikë të tillë e shohim të aplikohet edhe në vende tjera të Ballkanit dhe në terminologjinë osmane do të njihet si politika e “iskanit” (iskan politikasi), apo politika e popullimit.[9] Kalimi dhe vendosja në mënyrë sistematike e turqve në Rumeli/Ballkan ndikoi në formimin e zonave të reja periferike, gjë e cila nënkupton edhe zgjerimin e vazhdueshëm të shtetit osman. Vendet e zhvilluara të Rumelisë u bënë tërheqëse në thithjen e popullsisë së Anadollit. Osmanlinjtë, nëpërmjet praktikimit të “politikës së iskanit”, të cilën e nxitën në mënyra të ndryshme dhe nganjëherë e praktikuan edhe me forcë duke organizuar shpërngulje nga Anadolli drejt Rumelisë, u munduan të plotësonin boshllëkun e forcës njerëzore në vendet e marra nën kontroll. Me anë të kësaj politike synohej edhe ulja e tensioneve dhe përplasjeve te popullsisë vendase me administratën e re dhe integrimin e tyre në sistemin e ri.[10]
Me vdekjen e Car Dushanit, perandoria jetëshkurtër e Serbisë u nda në mini-principata, ndërsa Bullgaria u nda në tri pjesë (edhe pse ajo qysh nga viti 1330 kishte humbur veçorin e të qenit forcë rajonale). Edhe territori i Greqisë së sotme ishe shndërruar në një mozaik luftërash të brendshme.[11] Një pasqyrë e tillë e organizimit shtetëror në Rumeli sigurisht që na asocion në atë se – pas vitit 1348 në Ballkan nuk ekzistonte një forcë që do të mundë ta ndalonte shtrirjen e shtetit osman në këtë rajon. Sistemi që sollën dhe praktikuan osmanët në rajon gjeti pranim tek populli vendas i Rumelisë, ngase detyrimet e vendosura nuk ishin më të larta nga ato që ishin praktikuar nga administratat e mëparshme, njëherësh edhe mbushej boshllëku politik nga i cili gjithmonë kishin pësuar dëme fshatarët. Në lidhje me këtë ekziston një letër e vitit 1463, ku mbreti i Bosnjës i ankohet papës se fshatarët po largohen nga feudalët dhe po i nënshtrohen osmanlinjve.[12]
Sipas regjimit osman, popullata ndahej në myslimanë dhe jomyslimanë. Jomyslimanët u quajtën zimmi, që nënkuptonte kategorinë e popullatës e cila do të paguante xhizjen ndaj shtetit, në shkëmbim të ruajtjes së pasurisë dhe jetëve të tyre. Ndërsa, myslimanët liroheshin prej pagesës së xhizjës, por obligoheshin të merrnin pjesë në fushatat luftarake të shtetit.
Osmanlinjtë respektuan traditat e vendit, duke nxjerrë kanunname (dekrete) prej kushtetutave vendore/zakonore, të cilat ishin të veçanta për vende të caktuara, gjë që nënkupton se kanunnamet osmane ndryshojnë sipas veçorive të shoqërive, përkatësisht traditave të vendit në fjale. Edhe në shpjegimin e Nikolla Jorgas (1871-1940) në librin e tij “Historia e perandorisë Osmane”, gjejmë: “Osmanlinjtë dolën në skenë jo si një popull, por si një ushtri e vetme, një soj i vetëm, apo si një sistem i vetëm në të cilin i bashkuan popujt e Rumelisë dhe u shuan të gjitha organizimet e feudalëve lokalë duke u rreshtuar në sistemin osman.”[13]
Gjatë zgjerimit të shtetit osman, shohim se osmanlinjtë në mënyrë të vazhdueshme kishin marrë rol aktiv-përfitues në konfliktet dhe luftërat midis shteteve të krishtera. Shtetet e krishtera, sidomos ato që ishin më të dobëta dhe kishin nevoje për mbështetje ushtarake, mundoheshin të përfitonin nga fuqia ushtarake e osmanlinjve kundër konkurrenteve të tyre politiko-ekonomik. Çështja e aleancave/marrëveshjeve me shtetin osman nuk ishte fenomen vetëm i shteteve/principatave që gjendeshin në Ballkan, por këtë e hasim edhe tek shtetet e rajonit të Mesdheut. Këtu mund të përmendim rastin e shtetit detar të Gjenovës, Venedikut, më vonë edhe të Francës (1521 e më pas) të cilët kishin bërë marrëveshje ekonomike me osmanlinjtë dhe qëndronin neutralë karshi shtrirjes së osmanlinjve në Rumeli, të cilat manifestoheshin me luftë.
Veç strategjisë bashkëpunuese dhe marrjes pjesë direkt në luftërat e brendshme, osmanët si themelues të shtetit të ri që kishin përvetësuar shumë nga rregullimi dhe traditat shtetërore të memlukëve, selçukëve dhe shteteve tjera islame të kohës, rol të rëndësishëm në fuqizimin e perandorisë së tyre luajti edhe përvetësimi i sistemit të devshirmes nga memlukët (1250-1512). Këta të fundit, në punët administrative kishin angazhuar robërit e luftës të racës së bardhë. Edhe Orhani (1356-1359) kishte formuar ushtrinë e jeniçerëve nga robërit. Ndërsa, Bejaziti, përmes sistemit të devshirmes kishte mbledhur të rinjtë e krishterë të cilët i kishte futur në sistemin e kapikullit në kuadër të së cilës këta të rinj pasi që merrnin edukimin e duhur islam dhe shtetëror, silleshin në Sarajin osman ku mund të ngjiteshin deri në pozitat më të larta të mundshme.[14]
Nuk mund të anashkalohet edhe roli i fesë islame në shtetin osman gjatë kësaj periudhe, e që ishte mundësi e mirë edhe për popujt e Rumelisë për t’u integruar në shoqërinë osmane përmes pranimit të fesë shtetërore. Edhe pse për një kohë të gjatë është debatuar mbi tezën e përhapjes së islamit në forma të dhunshme, historianët më eminentë të periudhës në fjalë, sikur; P. Witeku, Gibbonsi, Halil Inalciku etj. hedhin poshtë këtë tezë duke argumentuar se po të ishte qëllimi final përhapja e islamit, princërit e Rumelisë, sikur ishin serbët, shqiptarët e rumunët, nuk do të inkorporoheshin në sistemin e timarit duke iu dhënë timare në pronësi, ashtu siç shihet në defterin e tahririt të sanxhakut shqiptar të vitit 1431.[15] Vetëm në sanxhakun shqiptar të përbërë nga fiset shqiptare si Muzaka, Zenebishi, Arianiti, Kastrioti Koja?, të cilët pas luftës së Vjosës (1385) kishin pranuar sundimin osman, kishte 335 timare (timarxhinj), nga të cilat 56 (16 për qind) ishin në pronësinë e sipahive të krishterë. Edhe në periudhën e Mehmedit II kishte timariot/sipahi (timarxhinj) të krishterë.[16]
Duke qenë se edhe shqiptarët ishin pjesë e gjeopolitikës së Rumelisë, përkatësisht e sistemit bizantin, edhe kontaktet e para të shqiptarëve me osmanlinjtë ndodhen pikërisht në këtë periudhë kryengritjesh dhe luftërash në mes udhëheqësve të shteteve/principatave të ndryshme të Rumelisë, pas dobësimit të Bizantit.
Për takimin e shqiptarëve me osmanlinjtë flasin edhe kronistët e hershëm osmanë. Në kronikat e tyre shohim se kontakti i parë i osmanëve me tokat shqiptare është i vitit 1337, ku Andronikusi III kishte ftuar mercenarët nga bijtë e Ajdënit (Aydinoglular) të udhëhequr nga Umur beu, për t’i shtypur kryengritësit në tokat shqiptare, me ç’rast këta të fundit shkuan deri në Durrës.[17] Po ashtu, në kronikat osmane përshkruhet edhe një sulm tjetër i akënxhinjëve (sulmuesve), i vitit 1383, të cilin e kishte udhëhequr Kara Timur Pasha drejtë tokave të Shqipërisë (Arnavutllukut), por nuk jepen të dhëna se për cilën pjesë bëhet fjalë.[18] Megjithatë, konsiderojmë se do të ishte shumë më afër realitetit që për takimin e parë osmano-shqiptar të merret për bazë ftesa, përkatësisht kërkesa për ndihmë që Karl Topias i bëri Timur pashait, kundër Gjergj Balshës në luftën e Savrës më 1385, e cila përfundoi me fitoren e aleancës së topiajve me osmanët.[19] Pas kësaj lufte, principatat shqiptare filluan te njihnin sovranitetin e shtetit osman dhe ndër vasalët e parë nga shqiptarët ishin pikërisht topiajt.[20] Edhe pse Timur Pasha organizoi disa sulme në Epir dhe Artë, nuk mundi të marrë nën kontroll rajonin e Shqipërisë e të Greqisë, me përjashtim të Krujës, Beratit, Kosturit dhe Ulqinit të cilat mbetën nën kontrollin osman për një kohë shumë të shkurtër, ku pas sulmeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve, Timur pasha u detyrua të largohet nga rajoni.[21]
Osmanlinjtë, ashtu siç kishin vepruar me përfaqësuesit e popujve të tjerë të Ballkanit, ashtu vepruan edhe me shqiptarët. Fillimisht u mjaftuan vetëm me nënshtrimin dhe pranimin e vasalitetit të princërve shqiptarë ndaj osmanlinjve. Ndërsa, këta të fundit obligoheshin që të paguajnë tatimin dhe të dërgojnë fëmijët e tyre në sistemin e devshirmesë.[22]
Është me rëndësi të theksohet se; kur osmanlinjtë erdhën në Rumeli, formacionet politike shqiptare që kishin dalë në skenë pas vdekjes së Stefan Dushanit,[23] nuk ishin të unifikuara nën një udhëheqje, por ishin të ndarë në principata, prandaj edhe në defterin e tahririt te vitit 143, ata i gjejmë të regjistruara si udhëheqës të tokave të veçanta, sikur: Toka e Pavlo Kurtikut (Pavlo Kurtik), Balshajve, Arianiti etj.[24] gjë që kjo do t’ju mundësonte osmanlinjve një shtrirje shumë më të lehtë në rajon.
Ashtu si në gjithë shtetin osman, edhe në Shqipëri shoqëria u nda në klasën ushtarake dhe në rajat. Klasa ushtarake përfshinte të gjithë ata që ishin në shërbim të drejtpërdrejte të sulltanit dhe që nuk merreshin me prodhimin.[25] Ndërsa, sipas funksionit, ushtarakët ndaheshin në njerëz të pendës dhe të shpatës. Në grupin e parë bënin pjesë ulematë, kadinjtë dhe nëpunësit e financës, ndërsa në grupin e dytë zotëruesit e timareve, të zeameteve* dhe haseve* të lidhur me shërbimin ushtarak, zotërues të feudeve të lidhur me shërbime në administratën shtetërore, pronarët e mylqeve tokësore ku, për të gjithë këta i përbashkët ishte fakti se, si zotërues të tokës, gëzonin të drejtën të merrnin prej fshatarësisë një pjesë të të ardhurave.[26] Pjesa më e madhe e shtresës drejtuese në rajonet e ish-principatave shqiptare, me përjashtim të ndonjë sanxhakbeu, myftiu apo kadiu të dërguar nga viset tjera, ishin me prejardhje vendase. Siç ishte rasti edhe me Skënderbeun, i cili në vitin 1438 u emërua subash* i Krujës (akçahisar) në Shqipëri, post të cilin e ushtroi deri në kryengritjen e tij kundër pushtetit osman më 1443.[27] Njëherësh, edhe në regjistrimin e vitit 1431-32 i gjejmë 125 familje të krishtera të cilët ruanin kështjellën e Krujës dhe si kompensim ishin të liruar nga tatimet ndaj shtetit.[28]
Edhe përplasjet mes kishave katolike dhe ortodokse në trevat shqiptare, që zhvillonin një luftë për të përfituar epërsi dhe shtrirje politike në Ballkan, kishin luajtur rol të rëndësishëm në ndarjen e etnisë shqiptare sipas përfaqësimit të kishave. Ata që ishin të besimit katolik ishin të lidhur te Roma nëpërmjet kishës së Tivarit; ndërsa ata që ishin të besimit ortodoks-helen dhe ortodoks-pravosllav ishin të lidhur te Konstantinopolisi nëpërmjet kishave të Pejës, Ohrit dhe Durrësit.[29] Besimi, përkatësisht kisha kishte rol të madh në zhvillimin kulturor të popujve në këtë periudhë. Një gjë të tillë e hasim edhe tek shqiptarët të cilët flisnin gjuhët e kishës zyrtare: Muzakajt flisnin greqishten, gjuha zyrtare e Kastriotëve ishte latinishtja dhe sllavishtja, gjuha që përdornin familjet tregtare si Lesh Spani e Gjergj Mazreku që gjendeshin në Kosovë ishte sllavishtja. Ortodoksët shqiptarë si element etnik llogariteshin si serb dhe grek.[30]
Si përfundim, mund të thuhet se shtrirja e osmanlinjve në Rumeli, përkatësisht Ballkanin e sotëm vjen si rezultat i mungesës së organizimit politik të popujve të këtij rajoni. Mos uniteti i prijësve ballkanas u përcoll me luftëra ndërmjet fiseve dhe popujve të ndryshëm ballkanas, gjë që u bë shkak për prishjen e rehatisë ekonomiko-sociale te popujve. Ky mos unitet vjen edhe si pasojë e sistemit bizantin i cili nuk kishte njohur identitetet kombëtare të popujve dhe për rezultat, pas dobësimit të Bizantit, kemi edhe luftërat e brendshme në mes fiseve shqiptare të cilat ishin në gjendje të bënin aleancë me shtete dhe principata tjera për të përmbysur njëri-tjetrin siç është rasti i aleancave shqiptare me Venedikun dhe osmanlinjtë për të luftuar principatën tjetër, e cila ishte po ashtu shqiptare. /Telegrafi/
__________
[1] Kumtesë e lexuar në Javën e Albanologjisë, organizuar nga Instituti Albanologjik, 2014, Prishtinë.
[2] M. Kiel, Balkans the Turkish history, f. 190.
[3] H. Inalcik, Osmanli I, s. 60.
[4] H. Inalcik, Osmanli Sultanı Orhan (1324-1362) Avrupa’da yerleşim, f.85.
[5] M. Hüdai Şentürk, Osmanlı Devleti’nın kuruluş devrinde Rumeli’de uyguladığı iskan siyaseti ve neticeleri, f.90.
[6] M. Hüdai Şentürk, Osmanlı Devleti’nın kuruluş devrinde Rumeli’de uyguladığı iskan siyaseti ve
neticeleri, f.90.
[7] H. Inalcik, po aty, f. 86.
[8] H. Inalcik, Osmanlilar ve Haçlilar, Istanbul, 2014.
[9] M. Hüdai Şentürk, po aty, f. 97.e
[10] Emecen, kuruluştan Kaynarca’ya, Osmanlı Devleti Tarihi, f. 13-14
[11] M.Kiell, po aty, f. 190.
[12] H. Inalcik,Turqit dhe Ballkani, URA. f. 48.
[13] H. Inalcik,Turqit dhe Ballkani, URA. f. 48.
[14] G. Castellan, Balkanlarin Tarihi, Millyet yayinlari, çev. Aysegul Yaraman-Basbug, Istanbul 1995,
f.72.
[15] P. witek, The Rise of the Ottoman Empire, London 1938, f, 42; H. Inalcık, Fatih Devri üzerinde
Tetkikler, Ankara, f.137-140.
[16] P. Bartl, Arnavutluk Muslumanlari 1878-1912, Istanbul, f. 24.
[17] M. Kiel, Balkans in the Turkish Histori, f.189; H. Inalcik, Islam Ansiklopedisi, s. 384. Sipas së
cilës gjatë periudhës së luftërave te brendshme në Perandorinë Bizantine, ishte arritur një marrëveshje mes Andronikusit III dhe princit nga bijtë e Aydınit (Aydınoğlu) Umur beu, për të shtypur princërit shqiptarë, që si përfundim, bizantinëtm me ndihmën e turkmenëve, të udhëhequra nga Aydinbeu, arritën që të rikthejnë kontrollin deri në Durrës. Për marrëdhëniet mes Bizantit dhe principatave aydınoğları dhe karesioğlar-et shih: Himmet Akın; Aydınoğları tarihi, Ankara 1968.
[18] F. Emecen, TarihteTürk-Arnavut ilişkilerine genel bir bakış (osmanlı idaresinin kurulma ve gelişme
süreci), f. 294.
[19] N. Bozbora, f. 53, 83; P. Bartl, f. 20.
[20] Bozbora, po aty.
[21] Donald Edgar Pitcher, An Historical Geography of the Ottoman Empire. f. 44.
[22] N. Bozbora, Osmanli yonetiminde Arnavutluk, f. 54.
[23] A. Buda,Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij, Studime për epoken e Skënderbeut, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1989, f.7.
[24] N. Bozbora, po aty.
[25] F. Duka, Shqipëria nën sundimin osman, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, f.10.
* Tokë, ku shuma vjetore e tatimit ishte nga 20.000-100.000 akçe dhe varej prej sipërfaqes dhe
prodhimit.
* Tokë në vlerë te 100 000 akçe e më shumë.
[26] F. Duka, po aty.
[27] H. Inalcik, Osmanlilar ve Haçlilar, f, 92.
[28] M.Kiell, Islam Ansiklopedisi, Vellimi 26, f. 293-295.
[29] R. Mezani, “Integrimi i Popullsisë Shqiptare në Perandorinë Osmane” Java e shkencës, Kumtesat 1,
Prishtine 2013, f. 573 – 576
[30] I.Rexha, Antagonizmi ndermjet dy Kishave, Bashkimi Paqësor, nr. 4-5, Prishtinë, 1992.
__________
Bibliografia
-
Buda, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe epoka e tij, Studime për epokën e Skënderbeut, Akademia e Shkencave e RPS te Shqipërisë, Tirane, 1989.
-
Castellan, Geores, Balkanlarin Tarihi, Milliyet Yayinlari, 1995
-
Donald Edgar Pitcher, An Historical Geography of the Ottoman Empire. Leiden, 1972.
-
F Duka, Shqipëria nën sundimin osman, akademia e shkencave te Shqipërisë, Tiranë 1984.
-
F Emecen, Kuruluçtan Kuçuk Kaynarca’ya, Osmanli Devleti Tarihi, Feza Gazetecilik A.§., Istanbul 1999
-
F Emecen, Osmanli Klasik çaginda siyaset, timas yay. Istanbul, 2000.
-
Inalcik, Osmanlilar ve Haçlilar, Istanbul, 2014.
-
Inalcik, Osmanli Sultani Orhan (1324-1362) Avrupa’da yerleçim, Belleten, Ankara 2009.
-
Inalcik,Turqit dhe Ballkani (përkth. Agron Islami), Ura, nr. 8-9. Tiran 2012.
-
Inalcik, Islam Ansiklopedisi. Vëllimi 22, Istanbul 2000.
-
Inalcik, Osmanli I, Ankara 1999.
-
Inalcik, Fatih Devri uzerinde Tetkikler, Ankara 1987.
-
Iljaz, Rexha, Antagonizmi ndërmjet dy kishave për dominim në tokat e Arbërisë, Bashkimi paqësor, nr. 4-5, Prishtinë 1992.
-
Kiel, Balkans in the Turkish history, Sakarya Universitesi Balkan Araçtirmalari Uygulama ve Arastirma Merkezi Yayinlari. Vëllimi I, Sakarya, 2013.
-
Kiell, Islam Ansiklopedisi, Vellimi 26, Istanbul, 2002.
-
Hudai Çenturk, Osmanli Devleti’nin kuruluç devrinde Rumeli’de uyguladigi iskan siyaseti ve neticeleri, Belleten, Ankara 1993.
-
Bozbora, Osmanli Yonetiminde Arnavutluk ve Arnavut Ulusçulugunun Gelisimi, Boyut yay., Istanbul 1997.
-
P witek, The Rise of the Ottoman Empire, London, 1938.
-
P Bartl Milli Bagimsizlik Hareketi Esnasinda Arnavutluk Muslumanlari (1878-1912), çev. Ali Taner, Bedir yay, Istanbul 1998.
-
Rezart Mezani, “Integrimi i Popullsisë Shqiptare në Perandorinë Osmane” Java e Shkencës, Kumtesat 1; f. 573 – 576, Prishtinë 2013.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme