LAJMI I FUNDIT:

GRATË JANË NË TOKË

GRATË JANË NË TOKË
Victor Hugo (1802-1885)

Poezi nga: Victor Hugo
Përktheu: Alfred Kola

Gratë janë në tokë
Gjithçka prej tyre të përsoset;
Universi është mister i plotë
Me puthjen e tyre zbulohet.

Rrethuar është dashuria,
Prej valës dhe kupës qiellore,
Dhe, në thelb, e gjithë natyra,
Është stoli e asaj dore.


Shpirtit, gjithçka e praruar
I jep parfum a ngjyrë si pekule;
Zoti, po të mos krijonte gruan,
Nuk do kish krijuar as lulet.

Ç’vlerë kanë të tuat shkëndijëza
Safir blu, pa sytë e përkorë?
Diamantet, pa të bukurat vashëza,
S’janë gjë tjetër veç fiçorë.

Te lëndinat mbjellë me shkozë,
Trëndafilat flenë më këmbë,
Dhe janë t’hapura ato gojë
Asnjë gjë për të thënë.

Çfarë magjeps a ëndërron
E merr dritën veç prej grave;
Perla, pa Evën, nuk shijon,
Oh, pa ty, o bukuri krenare,

Ngjan e gjitha një shëmti,
Si të ikte dashuri e ngratë,
S’është më veçse ligështi
E një kafshe nëpër natë.