Nga: Neil McCormick, kritik i rokut
Përkthimi: Telegrafi.com
“Disa njerëz mendojnë se jemi një relike e së kaluarës”, pranon bateristi i grupit Pink Floyd, Nick Mason, duke parë me qetësi drejt kamerës. Ironia është se Masoni ishte vetëm 28 vjeç në atë kohë – në kulmin e rinisë dhe energjisë – por, për çudi, vërtet duket si një relike. Grumbulli i madh i flokëve kaçurrela dhe mustaqet e gjata [handlebar] e përkufizojnë datën e filmit pothuajse po aq sa edhe tymosja e pandërprerë e tastieristit Rick Wright.
Viti është 1972, i shënuar me numrat romakë MCMLXXII për këtë dokumentar koncerti të restauruar me përkushtim – Pink Floyd në Pompei [Pink Floyd at Pompeii]. Kuarteti i rokut ishte në kulmin e fazës së tyre psikodelike, por ende nuk kishin shpërthyer globalisht me publikimin e albumit The Dark Side of the Moon, që do të dilte një vit më vonë – për të cilin filmi ofron disa pamje joshëse. Regjisori Adrian Maben solli idenë e pazakontë që grupi të performonte repertorin e tyre eksperimental dhe epik të rokut ndërgalaktik, përpara shkallëve të zbrazura të një amfiteatri të rrënuar në Pompei, pa asnjë audiencë – përveç një ekipi filmik pa bluza që digjej nën diellin përvëlues.
Lexo po ashtu:
– Valët e trurit, inteligjenca artificiale dhe Pink Floyd
– Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme
– Tullat e shoqërisë në murin mental
– “Muri”, tullë pas tulle
Në atë kohë, filmi u konsiderua si një art-film paksa pretencioz, përshtypje që thellohej nga pamjet e grupit duke shëtitur në shpatet e malit Vezuv dhe duke vështruar pellgjet me lavë që vlonte, ndërkohë që slajd-kitarat distorzive të David Gilmourit jehonin në peizazhin e zhveshur vullkanik. Pesëdhjetë e tri vjet më vonë, filmi duket thjesht madhështor – një regjistrim i lavdishëm i një grupi në kulmin e fuqisë së tij, që do të ngazëllojë çdo roker të vjetër dhe që domosdo duhet të shikohet nga çdo muzikant aspirues.
Nga këndvështrimi i sotëm, vendndodhja sugjeron jo aq shumë lashtësi sa përjetësi dhe klasikë, duke nënkuptuar se Pink Floyd meriton të shihet përtej historisë së rokut, si pjesë e një spektri shumë më të gjerë krijimtarie. Ka diçka në mungesën e publikut që i jep performancës një intensitet të veçantë – art që krijohet në moment, për hir të së vetvetes, jo për të kënaqur opinionin.
Mjeshtri i rokut progresiv, Steven Wilson, ka rimiksuar muzikën për audio [surround] 5.1, gjë që është ndoshta kënaqësia më e madhe e këtij restaurimi, sepse tingëllon gjithëpërfshirës, jashtëzakonisht vibrant dhe ende tërësisht i pazakontë. Vetë flojdianët duken shumë të rinj, ndërsa Gilmouri, pa bluzë dhe me flokë të gjatë, luan me pajisjet e efekteve dhe prodhon tingujt të cilët kalojnë nëpër një spektër drithërues – nga e pazakonta eterike, te meloditë e ndjeshme dhe prekjet më të rënda.
Armiku i tij i ardhshëm, Roger Waters, mban një jelek të zi të hollë dhe shtrëngon kitarën e basit me krahë të tendosur e muskulorë, duke ndërtuar ritme të ndryshueshme – dhe herë pas here pothuajse fanki – mes hapësirave të gjera të tingujve. Ciniku i mëvonshëm duket se me të vërtetë po e shijon vetveten. Rick Wright tymos në heshtje në sfond dhe krijon pa shumë përpjekje peizazhe të ngrohta me piano, organo dhe sintetizator, tinguj që pluskojnë mes të gjitha boshllëqeve të këngëve. Kur bashkohet me Gilmourin në harmoni vokale në Echoes, atëherë e dëgjon vërtet atë tingull të mrekullueshëm dhe karakteristik të grupit Pink Floyd.
Por, ylli i filmit nuk është Gilmouri me pamjen e tij si Adonis, dhe sigurisht jo Watersi entuziast. Është Nick Masoni, me krahët që fluturojnë rreth baterisë në një veprimtari të pandërprerë, me kokën që rrotullohet për t’u lidhur me anëtarët e tjerë të grupit. Loja e tij, e lirshme, me stil dhe me një ndjeshmëri ritmike, është në qendër të gjithçkaje, duke mbajtur së bashku fluturimet imagjinare të grupit. Ai padyshim i adhuron çinelat e veta, të cilat ndritin dhe tingëllojnë edhe në momentet më të qeta.

Më prek fakti se sa rrallë dëgjohen cimbalet në muzikën moderne, të reduktuara në një efekt nga logjika metronomike e makinave ritmike dhe programimit digjital. Kënga eksperimentale e Saucerful of Secrets mbetet tërësisht befasuese – aq më shumë kur sheh këta katër të rinj duke e krijuar atë nga asgjëja.
Duke diskutuar për “varësinë” e tyre nga teknologjia, David Gilmour sheh drejt kamerës me një përbuzje. “Pajisjet nuk mendojnë çfarë bëjnë. Ato nuk mund të kontrollojnë vetveten”, thotë ai. Tani muzika po hyn në një epokë ku pajisjet mund të kontrollojnë vetveten – ku inteligjenca artificiale kërcënon të zhdukë çdo shpikje dhe spontanitet njerëzor nga krijimi muzikor. Ky film i jashtëzakonshëm na tregon se cili mund të jetë çmimi i kësaj, sepse një grup si Pink Floyd do ta kishte të vështirë të ekzistonte, dhe me siguri nuk do të lulëzonte, në këtë epokë të reduktuar dhe të standardizuar të transmetimeve digjitale në internet.
Aksioni vullkanik ndërpritet herë pas here nga skena të filmuara në studion “Abbey Road” gjatë incizimit të albumit Dark Side of the Moon, të cilat ofrojnë pamje të jashtëzakonshme të madhështive që do të vijnë – veçanërisht kur Waters luan me një sintetizator që tani konsiderohet klasik, derisa nga ai del papritur sekuenca e instrumentalit On the Run, dhe ai ngre kokën për të pyetur nëse dikush po e incizon këtë moment. Wright ulet në një re tymi cigaresh, me gishtat që pluskojnë mbi tastet e pianos, si një mjeshtër xhazi në këngën Us and Them.

Këto skena, me sa duket, janë inskenuar për kamerën dhe nuk përfaqësojnë seancat e vërteta të incizimit, por megjithatë ofrojnë njohuri intriguese mbi çarjet që më vonë do të shkatërrojnë këtë njësi të ngushtë. Gjatë incizimit të një soloje për Brain Damage, Gilmour bën një fytyrë të thartë kur Waters e ndërpret vazhdimisht nga dhoma e kontrollit, duke u ankuar për fidbekun. “Mos u shqetëso për atë”, mërmërit Gilmour. “Çfarë do të ishte rokënroli pa fidbek”?
“Herë pas here kemi disa debate mjaft të forta”, pranon Gilmour me një buzëqeshje të pafajshme, i pavetëdijshëm për hidhërimin dhe përplasjet e ashpra që do të vinin më vonë. Ai dhe Mason ishin të pranishëm në premierën e filmit në Londër [në BFI IMAX], dhe mund të shiheshin duke qeshur me këtë version të restauruar të vetvetes së tyre si të rinj. Në moshën 79-vjeçare, Gilmour ka qetësinë e peizazhit vesuvian. Ndërsa, si 81-vjeçar, Mason duket më pak si një yll rok dhe më shumë si një bankier i dalë në pension. Por, të dy ende krijojnë muzikë emocionuese dhe ende e ndjekin atë me një përkushtim të vjetër ndaj mjeshtërisë teknike.

Wright ka vdekur prej gati shtatëmbëdhjetë vitesh. Ndërkohë, Watersi, i munguar në këtë ngjarje, vazhdon si një superyll kontrovers nëpër turne, duke riformuar trashëgiminë e grupit nga fazat e mëvonshme të albumeve, të dominuara nga tekstet e tij, ndërkohë që ushqen një konflikt të shëmtuar dhe publik me Gilmourin.
Pink Floyd në Pompei na kthen pas në një kohë që na kujton se pse e deshëm grupin Pink Floyd. Nuk e arrin ndoshta intimitetin spontan të dokumentarit Get Back të Beatles-ave, por është kënaqësi të shohësh dhe dëgjosh këtë grup të jashtëzakonshëm në kulmin e rinisë së tyre – elegantë, të fokusuar, dhe duke interpretuar me gjithë shpirt. Çdo muzikant i ri duhet ta shohë këtë film dhe pastaj të mbyllë mjetet e veta të inteligjencës artificiale dhe të mësojë kënaqësinë e krijimit me punë dhe mund. Kthejini cimbalet! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Më të lexuarat

Probleme serioze për Decon dhe Flick: Ylli i Barcelonës refuzon të largohet këtë verë

Televizioni saudit e modifikoi videon e Trumpit - veprimi i presidentit amerikan ishte ofendues për arabët

Si u prish 'historia e dashurisë' midis Von der Leyen dhe Pfizer?

Pentagoni: Mund të ketë konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe SHBA-së nëse nuk zgjidhet kriza ukrainase

Gazetarja ukrainase mahnit grupin Shkodra Elektronike në prapaskenë - interpreton hitin "Zjerm" në gjuhën e saj

Deputetja e LDK-së kërkon zhbllokim të Kuvendit: Subjektet politike duhet të reflektojnë