LAJMI I FUNDIT:

A po nxitet arratisja e rinisë shqiptare?

A po nxitet arratisja e rinisë shqiptare?
Ilustrim

Kristian Kina

Vitet e fundit, të gjithë kemi qenë dëshmitarë sesi Shqipëria po rrudhet me hapa të shpejta. Fshatrat po shkretohen dhe tokat bujqësore po ngelen djerrë. Nuk ka kush i punon!


Nëpër shkolla është përgjysmuar numri i nxënësve dhe, për pasojë, edhe mësuesit po qëndrojnë me zemër të ngrirë, se shumë shpejt kanë për të dalë të papunë. Nuk kanë kujt t’i japin mësim.

Dhjetëra biznese janë drejt shpalljes së falimentit. Nuk ka më fuqi punëtore. Statistikat janë gjithmonë kokëforta dhe sipas tyre:

Kërkesat e shqiptarëve për azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Mbretërisë së Bashkuar ishin 32 mijë më 2022. Gjatë dy dekadave, në vitet 2002-2022, popullsia e Shqipërisë është plakur me 10.6 vite, norma më e lartë nga të gjitha vendet e Evropës e cila gjatë kësaj periudhe është plakur me vetëm 4.7 vite. Më 2023 kanë lindur 5 070 bebe ose 18.5 për qind më pak se skenari më pesimist për 2023.

Në projeksionet e OKB-së për ecurinë e popullsisë së Shqipërisë, deri në vitin 2100, pritej që lindjet më 2023 të ishin mbi 28 mijë, por në realitet ato ishin 22 për qind më të ulëta. Sipas një raporti nga BERZH-it, Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në botë, ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit. Ndërsa raporti që i përmbledh të gjitha këto më lart dhe tregon alarmin që i kanoset ekzistencës së shtetit tonë, është ai i OKB-së: Në vitin 2100, Shqipëria parashikohet të ketë vetëm 1.1 milionë banorë! E, në këta 1.1 milion banorë, gjysma do të jenë pensionistë, mbi 65 vjeç! Kështu, Shqipëria do të shndërrohet në vendin më të plakur në botë, në raport popullsie!

Sa e dhimbshme dhe njëkohësisht e pabesueshme! Ai që ishte ndër vendet me raportin më të lartë të rinisë, tani do të kthehet në një vend ku do të jetojnë të braktisur vetëm mosha e tretë!

Por, pyetja që të gjithëve u kalon ndërmend është: A mund të ndalohet ky shpopullim? Çfarë masash duhet të merren? Apo, mos vallë, ekziston një tendencë, thuajse nxitëse dhe provokuese, për të larguar të rinjtë shqiptarë nga vendi?

E vërteta është që rinia është ajo që bërtet, proteston, kundërshton, kacafytet me padrejtësitë, grumbullohet e revoltohet kur gjërat nuk ecin mirë. Gjithashtu, është ajo pjesë vitale e shoqërisë që as nuk e çon ndërmend që nëpër ditë zgjedhjesh të kompromentohet me një thes miell apo disa kartëmonedha që nuk mjaftojnë as për një javë. Mbase, në sistemet politike autokratike, nuk përfshihen dot në programin qeverisës, kështu që largimi i tyre është mënyra më e mirë për t’i kontrolluar. Fundja, më mirë larg, sesa kundër. Gjithsesi, vota e emigrantëve nuk do të jetë e mundur akoma dhe për disa vite të mira.

Por, mbase jam dhe shumë i ashpër në këtë opinion. Mbase kjo qeveri ka ndërmarrë shumë nisma, që ndoshta unë nuk i kam dëgjuar. Unë tërhiqem e kërkoj ndjesë nëse është ashtu. Do të tërhiqem, nëse dikush më thotë që të rinjtë kanë lehtësira të mëdha sapo mbarojnë studimet. Do të tërhiqem, nëse dikush më thotë që studentët përfitojnë subvencione të mjaftueshme sa për të përballuar lirisht studimet e tyre, pa u detyruar të punojnë punë të lodhshme nga tetë orë në ditë pas mësimit. Do të tërhiqem nëse dëgjoj që ekzistojnë përjashtime nga taksat për të rinjtë që hapin një biznes të ri apo startapi novator. Do të tërhiqem nëse shumica e përfituesve të garantëve rinore nuk kanë lidhje nepotizmi, klientelizmi apo partiake.

Do të tërhiqem e kërkoj ndjesë të thellë, nëse dikush më thotë që çiftet e reja, pa asnjë lidhje politike e miqësore, stimulohen me lehtësira të qenësishme për të blerë një apartament në Tiranë. (Një ndër ato 50 mijë që qëndrojnë bosh dhe as që futen në treg për shitje ose dhënie me qira.)

Do të kërkoj ndjesë, nëse dëgjoj që pagat e të rinjve shqiptarë, me një profesion ose diplomë të njëjtë si bashkëmoshataret e tyre në Evropë, janë të njëjtat ose në raport vlerësues të njëjtë.

Do të tërhiqem nëse klientelizmi e korrupsioni në çdo hallkë të sistemit këtu do të rezultojë i njëjtë me atë të ndonjë prej vendeve evropiane, e që do të shërbejë dhe atje si një gangrene mbytëse për avancimin e karrierës së gjithkujt prej tyre, siç shërben këtu.

Do të tërhiqem e kërkoj falje lehtësisht nëse ndonjë prej argumenteve të dhënë nuk është i vërtetë.

Por, kam frikë se po me të njëjtën lehtësi, kjo qeveri nuk po ngurron të nxisë jashtë territorit tonë të rinjtë tanë të mrekullueshëm, ata që duhet të jenë e tashmja dhe e ardhmja e vendit.

Një orë e më parë, kjo qeveri duhet të kuptojë që:

Shqipëria iu përket të rinjve!

Pa rini, nuk ka Shqipëri!