Nga: Stefan Çapaliku (pjesë nga romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, pjesa e parë)
Zhurmë e tmerrshme. Shkundullimë. Diçka e madhe ra përdhe, si të ishte meteor. Dukej se nata po e amplifikonte edhe më shumë zhurmën e një çasti më parë. Frikë. Të gjithë në këmbë në dhomën tonë. Unë, motra dhe prindërit. Im Atë me kokën në dritare. Të tjerët mbanim frymën. Errësirë. Lehje qenjsh. Zhurma dhe një re pluhuri që hyri nga dritarja dhe më ngacmoi hundët. Teshtima ime. Askush nuk më thotë shëndet. Shkoj te krevati i madh. Strukem te Mama. Është ftohtë. Shumë ftohtë, e dridhem pa marrë vesh asgjë.
– Rrëzuan kompanjelin e Kishës Françeskane – tha im Atë me një zë funebër e që nuk e njihja.
Lëvizje nëpër shtëpi. Të mitë dolën në çardak. Pëshpëritje deri herët në mëngjes. Unë me motrën te shtrati i madh. Zhurmat në çardak vazhdonin. Ishin zgjuar të gjithë. Më duket se atë natë e kanë gdhirë duke pirë kafe turke e duke mallkuar ata që po na shkatërronin tempujt.
Të nesërmen zbrita vonë te soba. Gjyshi ishte në shtëpi gjysëm i shtrirë në shezlongun e tij dhe buzëvarur. Gjyshja ime duke pjekur kafe te shporeti dhe një burrë thatim, i shkurtër, i ulur në një karrike ngjitur me babëngjysh duke lexuar një letër. Nuk i mbaj mend fjalët e asaj letre, por më është ngulitur në krye portreti i gjyshit me sy të tmerruar dhe me gojë të hapur, si të ishte përpara një gryke pusi.
Shumë më vonë arrita të marr vesh se ai burri i shkurtër dhe thatim, veshur me kostum të vjetër, të zi dhe këmishë të bardhë dhe që permendte pa nda emrin e kryeministrit Mehmet Shehu, kishte qenë Patër Meshkalla, një jezuit shqiptar, që para pak vitesh kishte dalë nga një burgim i gjatë. Pjetër Meshkalla kishte qenë shok klase në fillore me gjyshin. E kam gjetë atë letër drejtuar kryeministrit të asaj kohe dhe po e sjell këtu, ashtu siç ka qenë:
Shkëlqesë:
Mendova t’i drejtohem, me ketë letër, Shkelqesës Suej, për me i shfaqë mendimin tem, jo ndryshe, veçse si njeriu – njeriut.
Nji hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kisha, tue u rrëzue kumbonaret e sidomos, tue u lejue të vehen në lojë personat e gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt ka ba fushata e shfrenueme e diskretituese antifetare e zhvillueme me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje, populli ka mbushë kishat, deri në çastin e fundit të mbylljes së tyne.
Ç’vlerë ka, atëherë, qëndrimi i nji pakice të pandërgjegjshme a të frigueme me lloj- lloj presionesh?!
Sidomos pjesa e kërcnueme dhe e frigueme me presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtrengohet me mohue me gojë, atë që beson; kështu, fushata që po bahet synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste e asht tue prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut.
Njerëzit kanë frigë me u takue, me u përshendetë rrugës, meqë janë në sy ose “të prekun”! E kush po din se cilët janë!
Vij tash tek unë. Unë, tanë vijën e jetës teme nuk mund ta ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore, do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri ose dheu që pengon rrjedhen e ujit. Populli me njef dhe e din mirë se kam shkri jetën për të. Unë tham se në këtë luftë kunder Fesë, ne edhe po diskretitohena faqe botës, së cilës i kena dhanë premtime solemne për liritë e të drejtat njerzore në Shqipni.
Nuk më ka shtye me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicjoni, as interesi, por vetëm ndergjegjia, e verteta dhe e mira.
Me nderime,
Pjetër Meshkalla,
Meshtar katolik
Me sa duket kjo ka qenë e vetmja arsye e terrorit që vura re te fytyra e gjyshit. Ai mbajti heshtje të gjatë mbas letrës dhe u kthye nga Patria duke e parë drejtë e në dritë të syve. Mandej u përmendën fjalët burg, tortura dhe pushkatime. Gjyshja i solli Patres kafen dhe ai, duke parë nga unë, i tha gjithë nerv gjyshit:
– Po mire, more Tefë, po sikur tashti me u hapë dera e me hy dikush i armatosun e me ta marrë atë fëmijë. Ktë këtu! – Dhe bëri me dorë nga unë. – Ti a çohesh me i dalë Zot? – dhe thërriti me të madhe: – Hë more, a çohesh? Fol!
– Po, tha gjyshi, – duke me parë në sy – Po. Çohem.
– Kështu pra, – ia priti Patria. Mue më kanë marrë kishen. E si thue ti?! Mos me i dalë
Zot?!
Piu kafen me dy hurma. Futi letrën në xhep dhe iku. Sytë e zmadhuar të gjyshit tim, që e ndiqnin nga dritarja, mbetën mbrapa
***
Gjyqi i Pater Meshkallës u organizua në auditorin e madh të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Gjyshi e urdhëroi tim Atë të shkonte e të shihte se çfarë do të ndodhte. Ai vetë nuk kishte zemër. Kishte frikë se mos i dilte profecia e tij, atëherë kur u patën grindë për letrën. Nuk mundem, tha, kam frikë se më mbulojnë ngashërimet dhe koritem. Im Atë u nis. Mama i pëshpëriti diçka në vesh në prag të derës. Diçka si “kujdes”. S’e di mirë. Besoj se kjo ishte me një fjalë e gjitha.
Kur im Atë u kthye atë natë në shtëpi, ai erdhi drejt e te dhoma e gjumit dhe nisi t’i tregonte gjyshit me zë të ulët:
– Ata kishin përgatitur një biçim mbledhjeje për demaskimin e aktivitetit fetar të Pater Pjetër Meshkallës dhe e kishin mbushë sallën me dëshmitarë të rremë, spijunë, njerëz të Partisë e të Rinisë Komuniste.
– Po Patria?- pyeti gjyshi
– Kur ai pa se auditori ishte plot e përplot me njerëz, madje se ishin vendosur edhe altoparlantë për t’u dëgjuar në rrugë, vetëm atëherë ia nisi fjalës së tij duke thënë: “Ah sa mirë që po me jepet rasti me folë njëherë para popullit me altoparlantë. Unë jam katolik dhe besoj në Zot. Ju dini të rrënoni kishat, por toka nuk luan vendi. Ju prishni Kishat e Xhamijat. Turp! Në truell të Kastriotit çdo gja po e zhgatrroni. Turp!”
E mandej në sallë ia nisën diskutimet e porositura me tone të zjarrta kundër Zotit e Fesë. E akuzuan si tradhtar të kombit e agjent të Vatikanit. E atëherë ai u trimërua edhe më shumë e, pa iu dridhë qerpiku, deklaroi se: “Kur linda kisha vetëm nji emën, ky ishte emni Shqiptar, sepse linda prej prindve shqiptarë e mandej u pagzova e me vuen emnin Pjetër e me quejtën katolik… Pra, emni i parë që kam marrë në këtë tokë dhe e kam mbajtë me nder, ka qene emni Shqiptar”.
Më pas e akuzuan se nuk e kishte rininë me vete, tha im Atë me buzën në gaz, por Patër Meshkalla iu përgjigj se: “Njerzit janë të lidhun me bukën e gojës dhe se kjo rini servile që po rritni asht ajo që s’do të durojë ma, që do t’ju shporrin qafet e një ditë ka për t’ju hangër kryet”.
Në fund atij i vunë prangat dhe, ashtu me pranga ndër duar, iu kthye edhe njëherë njerëzve duke i porositë se, po të shprehë lirisht mendimet e tij populli, ky pushtet nuk ka për ta pasë të gjatë! Dhe e përfundoi si i kish hije staturës së tij jezuite me një citat në latinisht: “Errare humanum est perseverare diabolicum est.” (Të gabosh asht njerzore, të kambngulësh asht djallzore). E dënuen me dhjetë vjet burg, – mbaroi së treguari im Atë.
– Kam frikë se nuk ka me ia dalë kësaj here – shtoi gjyshi. – Asht shëndetlig. Shëndetlig dhe kryefortë. Ai mezi ia doli herën e parë kur e arrestuen më 1946. Por kësaj radhe?
Një Zot e di…
/Telegrafi/
Promo
Reklamo ketuSpeciale Kriza në Ukrainë
Më shumë
CH-N

Kreditimi Rural i Kosoves

Kreditimi Rural i Kosoves

InterAlumin

InterAlumin

Lëshohet lokali me qira – mundësi fantastike për një vend të ri biznesi në Prishtinë te Qafa! ID-201

TOKË ME QIRA – 18 ari në Obiliq ID-154

Zbritje – lokal me qira në lagjen “Aktash”, Prishtinë ID-160

Në shitje lokali 550m2 ID – 200

Shitet banesa 80m² në Arbëri, Prishtinë ID-199

Çdo verë i njejti debat – a duhet të veshin meshkujt pantallona të shkurta?

Magnum Trainers – trenerka që kombinon stilin dhe komoditetin për gratë

Këto këpucë kanë kombinimin perfekt të ngjyrave për stilin tuaj

Fillo verën duke blerë bluzën Magnum – Ellib Black

Disa arsye pse duhet t’i keni këto atlete Nike për basketboll
Më të lexuarat

Protestat në Beograd, "The New York Times": Vuçiq asnjëherë nuk ka qenë kaq i humbur - është shfaqur plaga

Van Basten i kërkon FIFA-s inkuadrimin e dy rregullave që do ta ndryshonin futbollin përgjithmonë

Sa refuzoi nga Arabia Saudite dhe sa do të fitojë në MLS – zbulohet paga e Messit te Inter Miami

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Lutfiu: Arrestimi i drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, skenar i presionit ndaj shqiptarëve

Aktivistët serbë të Kosovës: Vuçiq s’i lejoi serbët të dalin në zgjedhje

Momenti kur Ukraina shkatërron një sistem mbrojtës ajror të forcave ruse