LAJMI I FUNDIT:

Perspektivë e vonuar për bujqësinë

Perspektivë e vonuar për bujqësinë

Pas gati dhjetë vjetëve drejtuesit e institucioneve të Kosovës do të mund të mburren për një sektor të zhvilluar të bujqësisë. Kështu parashihet në një analizë të USAID-it për këtë sektor, ku bëhet e ditur se vendi ka potencial që përmes sektorit të bujqësisë deri në vitin 2020, në raport me vitin 2010, ta rrisë prodhimin për 798 milionë euro, të krijojë 151 mijë vende pune dhe ta rrisë eksportin për 73.2 milionë euro.

Mary Hobbs, drejtoreshë e Zyrës së USAID-it për Rritje Ekonomike në Kosovë, thotë se USAID-i e sheh sektorin e bujqësisë si një nga shtytësit kryesor për krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e eksportit dhe rritjen ekonomike.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë se Qeveria e Kosovës zhvillimin e sektorit të bujqësisë e ka vendosur në mesin e prioriteteve, në mënyrë që të kemi një sektor të qëndrueshëm, i cili do të sigurojë rritje ekonomike, rritje të prodhimtarisë, eksport të prodhimeve vendore etj. Ai pohon se edhe përkrahja financiare për këtë sektor po rritet nga viti në vit dhe përpos kësaj do të funksionojë edhe zinxhiri hulumtues kërkimor.

Stavileci sqaron se vitin e kaluar në disa sektorë të bujqësisë ka pasur shtim të prodhimtarisë si, ndërsa deri në vitet 2014-2015 sektor strategjik do të jenë ai i drithërave, i qumështit, hortikulturës, ku prodhimtaria vendore do ta mbulojë importin e këtyre produkteve. I pari i Bujqësisë në vend thotë se në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, buxheti për bujqësinë në vitin e ardhshëm do të shkojë në 3 për qind të buxhetit të përgjithshëm, dhe kur kësaj i shtohen edhe mjetet e donatorëve për këtë sektor që janë në rreth 15 milionë euro, atëherë bujqësia do ta ketë një buxhet vjetor prej rreth 50 milionë eurosh.


Për dallim nga Kosova, e cila për bujqësinë ndan rreth 1 për qind të buxhetit të përgjithshëm, kjo përqindje në vendet e rajonit shkon prej 3 e deri në 8 për qind. Mirëpo, Stavileci thotë se sektorit të bujqësisë po i jepet prioriteti i duhur, pasi që në vitin 2007, siç thotë ai, nuk ka pasur kurrfarë subvencionimi për këtë sektor.

Nga ana tjetër, eksperti i bujqësisë Imer Rusinovci, thotë se sektori i bujqësisë duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës. “Unë nuk shoh bujqësi të mirëfilltë në Kosovë, ndonëse platforma e bujqësisë duhet të jetë e mirëfilltë”, shprehet Rusinovci. Sipas tij, diskriminimi për këtë sektor fillon me ndarjen e buxhetit, ku vendet e rajonit për bujqësinë ndajnë rreth 8 për qind, ndërsa në Kosovë nuk është as një për qind.

Përndryshe, Kosova prodhon pak produkte bujqësore, prandaj importi i ushqimit është i lartë. Madje, ai është në rritje e sipër. /Zëri/Telegrafi/