LAJMI I FUNDIT:

Përfitojmë 20 milionë euro me import të veturave të vjetra

Përfitojmë 20 milionë euro me import të veturave të vjetra

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, është shprehur i bindur se deri në fund të këtij viti Dogana do të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës me 830 milionë euro apo 18 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Huruglica bërë me dije se deri më 1 qershor të këtij viti në të gjitha pikat doganore janë mbledhur 282 milionë euro. “Dogana e Kosovës edhe këtë vit e ka barrën kryesore për mbushjen e Buxhetit të Kosovës. Sipas planifikimeve tona, presim t’i grumbullojmë 830 milionë euro apo 18 për qind më shumë sesa në vitin 2010”, ka thënë Huruglica.

Ai mendon se Kosova do të përfitojë nëse arrihet ndonjë marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e doganave. Huruglica ka bërë me dije se humbjet nga kontrabanda në veri sillen 20 deri 30 milionë euro në vit. Më tutje, Huruglica ka shtuar se pika doganore në Han të Elezit vazhdon të kontribuojë më së shumti në buxhet për shkak të Portit të Selanikut dhe Turqisë.
Huruglica ka folur edhe për importin e veturave më të vjetra se tetë vjet. Ai ka thënë se nëse lejohet një gjë e tillë, Buxhetit të Kosovës do t’i derdhen rreth 20 milionë euro në vit.

Ndërsa një vendim i tillë ende nuk ka hyrë në fuqi, por besoj se do të hyjë në fillim të muajt korrik. Kosova në vitin 2005 e ka futur një masë administrative, e cila ndalon regjistrimin e veturave më të vjetra se tetë vjet dhe, e cila në realitet nuk ka qenë e drejtë sepse çdo person ka të drejtë ta ketë një veturë të llojit çfarë ai ka mundësi. Shtetet demokratike për vetura kanë vendosur masa të kontrollit të kualitetit në kuptimin e sigurisë, sidomos në sistemin e frenimit dhe atë ekologjik.


”Pres rritje të importit, pritjet tona janë që së paku 20 milionë euro në vit do t’i sjellë të hyra shtesë Buxhetit të Kosovës ky projekt. Po flas gjithmonë duke pritur që ky ndryshim mund të sjellë në treg të Kosovës 10 ose 15 mijë vetura në vit”, deklaroi Huruglica. /Epoka e Re/Telegrafi/