LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësimi në pushtet, jo thjesht numra

Përfaqësimi në pushtet, jo thjesht numra

Pas përfundimit të bisedimeve të Lidhjes Socialdemokrate Maqedonase, LSDM të Zoran Zaevit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, të Ali Ahmetit për formimin e qeverisë së re, te këta të fundit shihet njëfarë vetëkënaqësie, e cila lidhet me faktin që ata do të kenë më shumë pushtet. E parë kjo me përfaqësimin në qeveri – në sajë të institucioneve të rëndësishme kyçe që do të drejtojnë: Parlamenti, Ministria e Jashtme, Ministria e Financave, posti i zëvendëskryeministrit të parë… Dhe realisht, këto nuk janë pak. Ndërkohë, në njëqind ditët e fundit të mandatit të kësaj qeverisjeje, Kryeministri do të jetë shqiptar. Megjithëse, në opinionin tim, kjo më tepër i ngjan një sadakaje për të plotësuar një dëshirë të BDI-së, si objektiv të realizuar, e cila si ide u shpalos më gjerë gjatë fushatës zgjedhore, hedhur qysh në fillim të muajit qershor, me rastin e përvjetorit të krijimit të kësaj partie dhe së cilës Zaev iu përgjigj me ashpërsi: “Nëse ky është kushti për koalicion, partia e Ali Ahmetit nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”. Dhe më tej, Lidhja Socialdemokrate ishte e gatshme t’i falte deputetë opozitës, VMRO-DPMNE-së, për të formuar qeverinë, vetëm që Kryeministri të mos ishte shqiptar.

Pra, fjala është për një Kryeministër që nuk është i shumicës etnike, por dhe pa e lëshuar dorën ndaj tij: “Një kryeministër vetëm për punë ditësh, për aq sa e meritojnë”. Është e vërtetë, një temë si kjo nuk duket të jetë më tabu, kur në vitet e mëparshme lansimi i kësaj çështjeje do të ndizte zjarrin kundër “nacionalistëve shqiptarë”, për “ndarje të Maqedonisë së Veriut” etj. Kështu, vështirë që nacionalizmi maqedonas, strukur në llagëmet e tij të pabarazisë etnike, edhe pas rreth tridhjetë viteve të shtetit të pavarur, të pranojë hapur peshën e faktorit shqiptar. Duhen dhe tridhjetë vjet të tjerë të pritet vlerësimi i një peshe të tillë, kaq jetike për stabilitetin e shtetit maqedonas? Në fund të fundit, qeveria ka nevojë të drejtohet nga një Kryeministër i aftë, pavarësisht cilës popullsi i përket, shtetas i të njëjtit vend, që mendon dhe punon me përkushtim për të gjithë shtetasit e vetë.


Prapëseprapë, ardhja e më shumë deputetëve shqiptarë në Parlament, si asnjëherë tjetër, është një arritje reale, sikurse, për rrjedhojë, edhe vendet e mësipërme në qeveri. Pa u ndalur më tej për këtë, fjalën e kemi gjetkë: Te rreziku kur këta numra të përfaqësimit në pushtet bëhen krahë të një euforie të pandalshme, të cilën, për fat të keq, e gjen aktualisht dhe në shkrime të disa mediave jovizive. Çështja është për një qeverisje serioze, që i hap rrugë dhe madje inkurajon zbatimin e atyre marrëveshjeve të rëndësishme që kanë mbetur në fillimet e nisjes apo vazhdojnë të luhaten pa ndonjë progres të dukshëm në rritjen dhe forcimin e rolit të shqiptarëve dhe pakicave të ndryshme që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në bashkëqeverisjen e vendit.

T’i kthehemi periudhës së shkuar, rreth tridhjetë vite më parë, kur në shtator të vitit 1992, Lidhja Socialdemokrate ngarkoi Branko Cërvenkovskin për formimin e qeverisë së re, pas rënies së qeverisë eksperte të të pavarurit Nikolla Klusev dhe kur partia që kish më shumë deputetë, VMRO-DPMNE, nuk arrinte ta formonte atë. Cërvenkovski e krijoi qeverinë me disa partnerë, ku nga më kryesorët ishte Partia për Prosperitet Demokratik e shqiptarëve. Shqiptarët kishin poste të rëndësishme: një zëvendëskryeministër, ministrin e Financave, të Punës, të Shkencës dhe një ministër pa portofol, si dhe disa zëvendësministra. Të gjithë me arsim të lartë dhe me përvojë pune të admirueshme. Por këto institucione të rëndësishme, atëherë vetëm ministrat kishin shqiptarë, kurse brenda strukturave qendrore, por dhe atyre lokale, me ndonjë përjashtim të vogël, asnjë prej shqiptarëve nuk ekzistonte për to. Ministrat i kishin duart të lidhura. Zëri i tyre në qeveri mbetej i vetmuar.

Sot, shqiptarët, nuk janë në situatën e rreth tridhjetë viteve më parë. Edhe pse nuk janë, ata përsëri shikohen me sy tjetër, me të qënit të pabarabartë me maqedonasit, si qytetarë të dorës së dytë. Statusi i tyre pak ka ndryshuar, me shumë vështirësi, pavarësisht disa rezultateve, edhe pse Marrëveshja e Ohrit e nëntëmbëdhjetë viteve më parë i detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të respektojnë interesat e të gjithë qytetarëve, që shteti të forcohet vetëm mbi bazën e bashkëjetesës dhe barazisë. Shumica e segmenteve të saj ka mbetur në hije. Por kjo, edhe për faj të tyre. Pozita e shqiptarëve nuk mund të avancojë dhe forcohet duke luftuar njëri- tjetrin e duke i vënë bërrylat, të joshur nga karriget e pushtetit. Apo për të mënjanuar nga ky i fundit partitë shqiptare me më shumë reputacion. Në këtë mënyrë, vetë faktori shqiptar vihet në pozitë të sikletshme. Pas tyre, hakmarrja, mëria qëndrojnë të patundura. Këtu e ka zanafillën që dhe ftesa e Bashkimit Demokratik për Integrim, për bashkim të faktorit shqiptar, drejtuar partive shqiptare (Alternativa, Aleanca për Shqiptarët, Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare) mbeti pa përgjigje. Flasim për një ftesë të sinqertë, pa paragjykime, që u shërben interesave të shqiptarëve dhe qytetarëve maqedonas në tërësi. Unifikimi i tyre mbetet ende i largët.

Nga ana tjetër, për Lidhjen Socialdemokrate Maqedonase, BDI-ja është partner i njohur i saj. Pasionet nacionaliste, nga cilado palë, vetëm i zbehin zhvillimet demokratike dhe vetë përpjekjet e deritanishme të faktorit ndërkombëtar për forcimin e bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E rëndësishme është që përfaqësimi në pushtet i shqiptarëve s’duhet të reduktohet thjesht në numra dhe aq më keq, të shihet si tolerancë e pozitës maqedonase në ndarjen e portofolave. Kërkesat legjitime të shqiptarëve mbeten në rend të ditës të qeverisë së re. Është detyrim i përfaqësuesve të tyre të zgjedhur – moszvarritja më tej e këtyre kërkesave, në bashkëpunim me kolegët maqedonas, për barazi reale etnike.