LAJMI I FUNDIT:

Për çmimin e rrymës vendosim vetë

Për çmimin e rrymës vendosim vetë

Aprovimin e çmimit të tarifave të energjisë elektrike, pas privatizimit në KEK, thotë se do ta bëjë prapë Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Nuk garanton se nuk do të ketë rritje të çmimeve. Borxhi i konsumatorëve prej 350 milionë eurosh nuk do të falet. E, privatizimi do të rritë faturimin dhe inkasimin.

Menaxherja e re në projektin për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Fllanza Hoxha, nuk garanton se faturat e energjisë do të mbesin të njëjta pas privatizimit.

As borxhet e konsumatorëve, që janë mbi 350 milionë euro, nuk pritet të falen me ardhjen e investitorit të ri. Menaxherja e sapoemëruar në projektin për shitjen e rrjetit të shpërndarjes, Fllanza Hoxha, në një intervistë për “Express”, thotë se blerësi i ri me investimet që do të bëjë do të rrisë faturimin dhe inkasimin.

Procesi i parakualifikimit të kompanive për privatizimin në KEK, thotë se ka përfunduar me sukses. Në garë për të marr në dorë këtë rrjet, janë katër kompani ndërkombëtare, të cilat janë të barabarta në garë. “Me sukses është përfunduar procesi i parakualifikimit dhe tashmë i kemi katër kompani serioze ndërkombëtare në proces. Momentalisht jemi duke punuar në njoftimin e kompanive të parakualifikuara, me të dhënat e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut”, thotë Hoxha.


Ajo tregon se më 25 maj është hapur zyrtarisht Dhoma e informatave, ku të gjitha kompanitë e parakualifikuara do kenë mundësi të barabartë për mbledhjen e informatave në mënyre fizike dhe elektronike. Dhoma e Informatave fizike është e vendosur në ndërtesën e KEK-ut dhe funksionon në bazë të rregullores transparente për të gjitha kompanitë e parakualifikuara. Se cila prej kompanive të parakualifikuara është më afër për të marrë në dorë rrjetin e korporatës, sipas Hoxhës, është herët të dihet. Kjo thotë se do të varet nga ofertat e tyre që do të prezantojnë. /Telegrafi/