LAJMI I FUNDIT:

Për Beqaj nuk është dështim ristrukturimi i marrëveshjes me FMN-në

Për Beqaj  nuk është dështim ristrukturimi i marrëveshjes me FMN-në

Ristrukturimi i marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është një veprim i cili është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët. Me këtë veprim është arritur balancim mes interesit të qytetarëve të Kosovës dhe ruajtjes së raporteve korrekte me FMN-në dhe se e tërë kjo ka ndikuar në përmirësimin e gjendjen ekonomike të qytetarëve. Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, në një konferencë për media, ku shpalosi njëqind ditët e punës së ministrisë të cilën ai drejton.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, nuk e quan dështim të Qeverisë në 100 ditëshin e qeverisjes, ristrukturimin e marrëveshjes me FMN-në. “Unë nuk do ta quaj dështim ristrukturimin e marrëveshjes me FMN-në, cila do të vazhdojë me monitorim deri në fund të këtij viti .Ne nuk flasim për shkëputje të marrëveshjes me FMN-në, por një ristrukturim të marrëveshjes dhe realisht kemi bërë një veprim, i cili është mirëpritur nga qytetarët e vendit. Ne me këtë veprim kemi balancuar në mes të interesit të qytetarëve të Kosovës dhe ruajtjen e raporteve korrekte me FMN-në“, tha Beqaj, duke shtuar se me këtë veprim Qeveria ka arritur ta përmirësojë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Në fushën e telekomunikacionit, sipas tij gjatë këtyre 100 ditëve, ata kanë qenë të koncentruar në amandamentimin e ligjit dhe privatizimin e PTK-së dhe se janë zhvilluar procedurat për kualifikim me ç’rast janë janë kualifikuar dy ndërmarrje për privatizimin e PTK-së. “Qëllimi ynë është që të kemi një proces të hapur, transparent dhe konkurrues. Si Qeveri kemi obligim, jo vetëm të mbrojmë interesat e punëtorëve të PTK-së por të gjithë punëtorëve konform ligjit”, tha ai, duke shtuar se kanë marrë një liste me kërkesa nga sindikatat e PTK-së dhe se ato po shqyrtohen, raporton Ekonomisti.

Beqaj tha se këto ditë po ashtu janë para përfundimit të draf- ligjeve, të cilat do të propozohen në Qeveri për AKP-në, për riorganizim dhe likuidim të ndërmarrjeve, për dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme.


Në fushën e monitorimit të ndërmarrjeve publike, gjatë këtyre 100 ditëve, Beqaj tha se kanë filluar një proces të monitorimit të përformancës së ndërmarrjeve publike, konform obligimeve që dalin si dhe janë duke monitoruar edhe funksionimin e bordeve të tyre ndërmarrjeve. Monitorim ky I cili po bëhet në bashkëpunim me shtetin zviceran.

Në fushën e energjisë MZHE është marrë këto ditë dhe me privatizimin e shpërndarjes së energjisë, ku tashmë janë të kualifikuara katër ndërmarrje. Në ndërkohë është bërë dhe ristrukturimi i komitetit drejtues për projektin “Kosova e Re”, për të cilin janë parakulaifikuar po ashtu katër ndërmarrje.

Edhe pse në plan ka qenë në plan që Kosova A të mbyllet në vitin 2014, ministri Beqaj tha se konform zhvillimeve të fundit që janë bërë, kanë marrë qëndrim, që kjo të mos bëhet deri në vitin 2017, me qëllim që të mbahet balanci mes furnizimit, mundësisë për pagesë dhe investimeve. “ Kemi marrë qëndrim se nuk do ta mbyllim Kosovën A në vitin 2014 por do të shtyhet në vitin 2017, deri atëherë kur do të hyjë në funksion “Kosova e re”, në mënyrë që të jemi të gatshëm për furnizim me energji”, tha ai , duke shtuar se mbyllja e Kosovës A në vitin 2014 do të shkaktonte një nevojë për import, ku do të harxhohej një shumë e madhe parash në importin e energjisë. /Telegrafi/